Terbimi – nje vizion tjeter romani

Pershtypje per romanin “Terbimi” te autorit Xhevahir Lleshi, hedhur ne qarkullim nga shtepia botuese Plejad

Dr. Eris Rusi

Isha në ethet e një kërkimi të një vepre letrare të re, të freskët dhe doemos jo në rrjedhën e atyre që kisha lexuar. Dhe mbi të gjitha shpresoja që ky lexim të më linte një mbresë të fuqishme. Domethënë, të më bënte përshtypje të thellë, ndryshe nga ato që shfletoja përditë. Dhe nga e gjitha kjo trembesha se mos më dëshpëronte, pse jo edhe për një farë mjerimi të brendshëm, siç ndodh rëndom, po të mos ndeshja në një lexim të tillë.

Po, për fatin tim më ra në dorë “Tërbimi”, romani më i ri i Xhevair Lleshit dhe ky, e ndjeva se do të më linte shije tjetër, si të thuash ishte si një zbulim. Kisha pasur në duar dy vepra të tij: “Tala” (roman, Altera, 2020) dhe “Telelkat” (roman, Onufri, 2021), autor pothuaj i panjohur në letrat shqipe, ndonëse ka një sërë librash me poezi, tregime, romane, monografi, drama, ese etj., duke pasur parasysh edhe libra të shumtë historikë e psikologjikë.

Do të thotë që nuk e ka tërhequr si duhet vëmendjen? Apo është lënë qëllimisht?… E pra, romani i tij i ri, ashtu siç tërhoqën vëmendjen “Tala” dhe “Telelkat” të vjen si një mik i paftuar vërtet, por që pikërisht ky të mbetet në kujtesë, të rrëmben, të bën për vete, dhe e pi menjëherë, me një frymë, si një gotë verë të mirë. Është një rrëfim tronditës, përplot skena që të përthithin, jo vetëm pse janë skena frojdiste, porse e shikon qartë teksa të shkakton një mendim tjetër të rrezatojë për ty dhe për lexuesin.

Që me leximin e parë bie në sy se të krijohet njëfarë dhimbjeje e imazhit, që gjithçka në roman e përjeton si për vete. “Tërbimi”, pëshpërit me vete, është një titull që të tërheq, të, po edhe një e shkruar e bukur, tërheqëse, ndryshe… Ai, fare mirë mund të quhet edhe “një poemë dramatike për pyllin!”…

Kjo vepër të jep finesë të hollë, marrëdhënie të reja me natyrën, të dhuron një jetë që askush s’e ka bërë a pat mësuar diku, gjithçka e bukur sikur fshihet pas veshmbathjes dhe baltës, apo pas një emri të çuditshëm, Sem Barutit, atit dhe Kajlës së tij që duken se mund të fshihen pas jetës së thjeshtë, por me aq tharm larushitës e me aq art.

Pasi e mbarova “Tërbimi-n”, pata rastin të bisedoj me shkrimtarin, i cili me ditë të tëra i vetëm në mes subjektit të ri të romanit që po shkruante, gati i harruar, i bllokuar nga ethet e emocionit, kishte parë qenin-ujk që kishte hyrë nëpër ëndërr në shtëpitë e pyllit.

Duke pasur parasysh këtë gjëmë ai qe marrë shumë me tëholljen e gjuhës në çdo imtësi, pa kaluar në tendenca e prirje që të prishin punë po edhe pa kaluar në shkrimin metodik dhe universal, i bërë edhe më i vetëdijshëm për vështirësinë dhe rëndësinë që merrte gjuha në një filozofim të rrallë.

“Tërbimi”, – më tregonte autori, – më parë se të ishte një subjekt, një ngjarje e madhe, qe një njollë e fuqishme që hapej mbi rrafsh ose mbetej pa rrjedhë aty ku qe hedhur, si e fshehur, pa marrë trajta të reja më tej, ose me fjalë të tjera, si të qe një qenie pa pirë e pa ngrënë gjë. Diçka që kalamendej, shtrihej, rrokullisej, rropatej madje edhe për të kuisur, duke hungëruar si në klithma të papara, ndërsa ti, kushdo qofsh, përgjon, thërret atë që të vjen përbrenda për ndihmë. Kësisoj, i kthehesh disa herë situatës së vështirë që mbetej gjithnjë tejet ngacmuese, duke shkruar dhe ecur tërë shkulm e dëshirë, për ta bërë gjithçka aty që të flasë sa më bukur…

Janë pikërisht këto mendime të hedhura nga personazhet, ca tipa që s’i ke parë ndonjëherë kurrë, që të ngjiten në mendim dhe shprehje, të ndezin e të shuajnë, të bëjnë herë-herë edhe hije, që do të lënë gjurmë të pashlyeshme në atë univers të krijuar që edhe tundet prej gëzimit dhe entuziazmit po ndërkohë edhe ecën i menduar përmes një pikëllimi përplot nur që të frymëzon e të ushqen fantazinë për të vijuar më tej këndimin e poemës. Ti je me doktorin e bimëve, Syriun, me Bim Barutin dhe Majlën, Runiun dhe Semin me Kajlën. Të Parin që vjen e prehet paksa aty në Pyllin e Bletës (vetë Pylli është një personazh madhështor!), Nemo Piliçi, Qenin e Tërbuar (Demën), natyrisht edhe shumë të tjerë që dalin dhe hyjnë në labirintin ku shkel gjurma e romanit. Ata rriten, shkurtojnë ditët, bëhen Zai dhe tërbohen, shkelin treva që nuk i gjen aq lehtë në përditshmërinë e rëndomtë, e pastaj papritur të dhurohen ty që e lexon në shprehje e gjuhë do të thosha pa ngurrim aq brilante.

Ai shpërthim dhe ato gjurmë të thella dhimbjeje të brendshme, do të ndikojnë fuqishëm në vizionin e tij ndaj botës, gjë që reflektohet qartë në vepër, sidomos tek rrëfimet hyrëse të Semit si flakë që digjen në vatër e ku bubërrojnë fjalët e ndezura me histori, libra, lexime, botë të brendshme dhe me veprim tronditës…

Romanin – poemë dramatike, në plot kuptimin e fjalës, e përshkon poetika e ligjërimit dhe përmasa e meditimit.

Ndërkaq, ritmi i një narracioni poetik dhe i një latimi të hollë, shpaloset mjaft bukur edhe në përshkrimet e natyrës në të gjithë romanin. Të duket se jashtë teje kanë zënë vend dëshirat e një minute, ca pëshpërima ere që fryn e mbarsur për shi, aty ku fshihen edhe qejfet e një nate nën bisqet e hollë të pranverës, që zhduken e pluskojnë në një mjegull të dendur dhe gati të padukshme që na shtyn drejt puhisë mëngjesore…

Zhurmat trysin tronditshëm shpirtin delikat të shkrimtarit, ai na shfaqet kurdoherë në shije dhe kërkesa të holla, duke nënshtruar dëshirat përvëluese, herë-herë me personazhe të mbushur me lakmi, zili, hakmarrje, dhunë, moskomuni¬kim, duke e gjetur amshimin në natyrë, tek elementet fillestarë nën pëshpërimën e muzikës së thjeshtë, që të bëhet se e ke humbur përgjithmonë. Natyrshëm aujtori në faqet e këtij romani bindet se vetëm kjo është e vërteta e kuptimit të dëlirë të botës…

I përfytyroj gjithnjë këto skena të gjalla që na jepen përmes një emocioni kur mundohet ta lidhë mirë çdo nyje të romanit, gjithnjë duke krijuar një figurë aq simpatike e të veçantë. Kjo bëhet provë e re e sakrificës sikur do t’i vijë enkas që të ndërmerrte një udhëtim imagji¬nar atje në ato kodra përplot pyje madhështore ku ngjizet natyra e virgjër që të lë përshtypjen se vjen nga prehistoria në shpirtin e secilit prej nesh.

Dhe gjithmonë secili e kërkon paqen me veten. Fundja njeriu i urtë kuptohet te nënshtrimi i zemërimit. Sidomos kjo bie në sy në përpjekjen për të gdhendur sa më bukur portretet e personazheve, ku narratori mëton që t’i paraqes ata në sfondin e tyre të plotë, e ku sërish është e theksuar prirja e një ligjërimi mjaft të goditur poetik, i pasionuar e i dhënë e tëri pas një ideje e duke shfaqur se ato çaste i derdhet muza rrëké, si shiu i një gojëtarie të bekuar e të pafund. Kjo gjë dukej pa asnjë plasaritje duke e treguar në sytë e kujtdo një mendje të mprehtë, si një marrëzi e ëmbël por e pahijshme, që e vishte me një joshje magjike me të cilën dehte veten…

Është rrjedha e vetëdijes së protagonistit, ndryshimi i sekuencave në rendin logjik, mbivendosja e planeve narrativë, dialogu, monologu i brendshëm. Gjithçka bëhet me një funksion, përdorimin e kësaj teknike të shkruari, e shfaqur tashmë në mirë në romanet e tij të fundit, duke tërhequr vëmendje rreth nevojës për të aktualizuar narracionin e duhur. Atje, tek elementet fillestarë të thjeshtë e të dëlirë, që për fat të keq i kemi harruar përgjithmonë, bën majë një ligjërim krejtësisht i natyrshëm, një krahasim që vjen vetvetiu, një meditim i hollë, një stil i rrjedhshëm e me një gradacion mjaft funksional e përshkon tej e tej të thuash gjithë romanin, por që shfaqet hera-herës me zë të fuqishëm atë zë si prej perëndie…

Se pylli të bën më të ëmbël, më të rreptë, më të saktë, nervoz po ashtu, të ngre e të ul, të përsos gjestet, ku natyrisht mbetesh pa frymë, qesh, zymtohesh, rraskapitesh e jepesh më në fund, por ndërkaq ngrihesh plot ngadhënjim. Aty fjalët përzihen me gjethet e blerta e të rëna dhe janë plot ambicie e kur t’i shohësh që merren edhe me artin e thurjes së qëndismave, me një shpirt të lartë e muzikë hyjnore…

Romani “Tërbimi”, shprehur me një gjuhë poetike dhe simbolike, në realitete të çuditshme, arrijnë të përzihen aq mjeshtërisht sa është vështirë ta gjesh kufirin midis tyre. Se dihet që në pyll të vret psherëtima…

Gjatë gjithë leximit vetvetiu ke shumë emocion sido të përmbajtur, duke ndjekur ngjarjen, ritmin, dramacitetin, për ato gjëra të çuditshme që u ndodhin njerëzve. Aty pleksen lloj-lloj tipa, dashuri dhe ankth dhe je kurdoherë në pritje.

Në prozën e Xh. Lleshit nyjat lidhen dhe të bëhet se kanë dalë nga një ikonë dhe me shumë dëlirësi të shenjtë. Në atë mjedis përplot amë vendoset personazhi rrëfyes dhe karakteri i çuditshëm i tij, tortura e tij e brendshme dhe rrjedha e asaj që ndodh, si një mujshar i vërtetë, duke përjetuar dhimbje e dashuri, me një zbërthim të qetë në dukje të botës së brendshme, herë me prirje vizionare e herë gati të çmendur, ose një bartës i pafajshëm fatkeqësie, thua se vjen nga thellësitë e jetës…

Tek romani “Tërbimi” dhe proza e tij poetike, jo më për fjalën, po edhe për lëvizjen, vizionin, gjithnjë me një përjetim aventure, që të fal kënaqësi të vërtetë por që asnjëherë nuk kuptohet plotësisht, herë në një arkitekturë të përsosur dhe herë e shkatërruar, e prej saj ti, lexuesi, ndërton sërish një vepër, po kësaj radhe një subjekt tjetër, që përputhet me karakterin, duke e bluar atë histori dhe që më pas mbetet i zhgënjyer. Si diçka e panjohur dhe e pavlerësuar, po gjithnjë e vështirë, e ruajtur si për vete, mbushur me plot kënaqësi të fshehta gjithsesi mbetur në një pritje të gjatë dramatike dhe emocionuese. Jeta në këtë roman është dashuri e dhimbje, po edhe pritje dhe pikërisht te kjo ndjenjë e fortë, te kjo ndjenjë e besnikërisë është edhe shkrimtari.

Ndoshta një ditë ai dhe historitë e tij kthehen. E pse të mos u besojmë baladave? Ku i dihet, të gjithë ne kemi ikur dhe jemi kthyer me mijëra herë, thotë një shkrimtar i madh. Dhe po qe kështu ai do të kthehet. Së pari nga rruga e kësaj çudie, tërbimit, për t’u falur në një kishë apo xhami që kurrkush nuk e ka dhe as i gjen gjëkundi, duke ecur lirishtave të Pyllitave duke u endur zbathur, pasi të mbetet krejt i habitur para ikonave të jetës, gjithmonë duke pritur me mall për t’u shfaqur përsëri, ndonëse në një formë tjetër…

Romanin Tërbimi të Xhevahir Lleshit e gjeni online tek BUKINIST.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *