Pavaresia e Shqiperise, – 12 libra qe rekomandojme per lexim

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ndan me lexuesit në vigjjilje të 28 nëntorit, një listë me 12 libra për historinë e Shqipërisë, botime që synojnë të reflektojmë mbi të kaluarën dhe na ndihmojnë për ta parë të tashmen më qartë. Këtë vit u bashkua me ne dhe Glina, duke ndarë së bashku vlerat e leximit në shqip.

Me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor, platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al rekomandon libra që kanë të bëjnë me historinë, traditën, studimet etnografike, juridike, apo botime që sjellin të dhëna mbi rrugëtimin e vendit dhe identitetin e shqiptarëve ndër shekuj. Kjo përzgjedhje bëhet bazuar mbi shije subjektive, pëlqimet e lexuesve, reagimet e lexuesve të specializuar – fokusuar tek ato libra që sjellin artefakte të reja mbi historinë, hedhin dritë mbi ngjarje apo personalitete të shquara, ofrojnë ndihmesë në leximin dhe kuptimin sa më të mirë të të kaluarës tonë dhe na informojnë për të reflektuar mbi të tashmen dhe të ardhmen.

Librat e përzgjedhur ngjallin interes për prirjet, për faktet por edhe për idetë dhe tezat që shtrojnë. Synimi ynë është që të shkaktojnë debate dhe nxisin lexuesit që të lexojnë më shumë libra për historinë e Shqipërisë.

Kjo është përzgjedhja e parë në morinë e botimeve që janë në treg dhe që mund t’ua dërgojmë lexuesve. Kësaj liste i mungojnë tituj të botuar nga institucione të specializuara si Akademia e Shkencave, institutet apo qendrat e specializuara studimore, si dhe ato libra të cilët nuk ribotohen prej shumë kohësh.

Ne kemi përzgjedhur autorë të njohur por edhe autorë të rinj; si dhe jemi fokusuara edhe në zhanre të ndryshme; jo vetëm tek studimet historike, por edhe tek esetë, botimet mbi historinë e emblesë shqiptare, etj. Kjo listë librat ka autorë të tillë si Kristo Frashëri, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Kostë Çekrezi, Ilir Ikonomi, Mathieu Aref, Tajar Zavalani, Ndriçim Kulla, Oliver Schmitt, Jaho Braha, etj.

Duke qenë të hapur për propozime nga lexuesit tanë, në mënyrë që kjo listë të përmirësohet nga Bukinist.al në nëntorin e vitit 2022, po ndajmë me ju 12 librat që po rekomandojmë në këtë 109-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, me shpresën që të ketë sa më shumë lexues dhe një perceptim sa më të qartë të Shqipërisë së djeshme, e cila të “prodhojë” shqiptarë të mirë në kohën tonë.

1.“Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemali” nga Ilir Ikonomi

Ky libër është një përpjekje e re për të hedhur dritë mbi ngjarjet e Shqipërisë dhe Ballkanit në fillim të shekullit XX, kur Lufta e Parë Botërore ishte në prag dhe popujt e vegjël përpiqeshin me të gjitha fuqitë të shpëtonin nga hija e rëndë e shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Ilir Ikonomi ka sjellë fakte nga udhëtimi i Ismail Qemalit drejt Vlorës, – dhe përpjekjet e mëdha për të krijuar realitetin e një Shqipërie të pavarur, përtej interesave dhe konjukturave që luheshin për ta mbajtur sërish vendin nën Perandorinë osmane, për ta aneksuar fqinjët apo për të krijuar një protektorat ndërkombëtar.

2.“Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” nga Kostë Çekrezi

Kostë Çekrezi njihet relativisht pak nga lexuesi, por padyshim është ndër njerëzit me kulturë të jashtëzakonshme, i cili një shekull më parë përgatiti historinë e parë të Shqipërisë shkruar në gjuhën angleze dhe botuar në SHBA në vitin 1919, dhe ribotohet në shqip pas 93 vitesh.

Kostë Çekrezit ishte një nga intelektualët dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria, pjesë e kuartetit të famshëm të diasporës shqiptaro-amerikane: Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako.

3“Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik” nga Aurel Plasari

Në qendër të kësaj sprove është procesi kompleks që shndërroi emrin e një krahine të ngushtë të fasadës adriatikase, të lokalizuar në atë që sot është Shqipëria e Mesme, në një emërtim territorial etnik. Duke rilexuar nga një prizëm i ri dokumentacionin që tashmë njihet prej historianëve, Plasari hedh dritë mbi një varg çështjesh që kanë patur dhe vijojnë të kenë një domethënie mjaft të madhe politike. Ndër to është i ashtuquajturit hiatus nëntë shekullor nga Albanët e shekullit II të erës sonë të përmendur nga gjeografi grek, Ptolemeu, tek rishfaqja e tyre në burimet e shkruara në shekullin XI; si dhe raporti midis formimit të etnosit, ndërtimit të identitetit etnik dhe shtetformimit ndër arbërit.

4. “Histori e Shqipnis” nga Tajar Zavalani

Ky libër u përgatit nën trysnin e botimeve dhe perceptimeve të gabuara që europianët kishin për shqiptarët. Shumë libra që janë shkruar mbi Shqipërinë, qoftë edhe nga shkrimtarë me qëllime të mira, kanë qenë ose të përciptë ose janë marrë vetëm me një aspekt të jetës sonë shoqërore dhe kombëtare. Ata kanë ndihmuar që të formohet mendimi se Shqipëria e tërë është banuar nga fise që nuk njohin tjetër veçse hakmarrje dhe grabitje.

Ky libër përfshiu fillimisht historinë e Shqipërisë që nga Kongresi i Berlinit deri në pushtimin italian të vendit në vitin 1939. Libri u shkrua fillimisht në frëngjisht. Ky libër u rishikua duke iu referuar arkivave britanike ku gjenden dokumente të shumta rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. Më pas u plotësua duke shkruar historinë që nga ilirët deri në ditët tona, përfshirë referenca edhe mbi gjeografínë, racën, gjuhën, fiset, Kanunin etj.

5. “Pellazgët – pararendësit e qytetërimit greko – romak” nga Mathieu Aref

Ky është një botim që sapo ka dalë në shqip: Teza pellazge është e debatuar shumë në ditët tona. Vetë autori ka shkruar në parathënie për librin: “Teza ime në thelb lidhet me periudhën para-Helene, ndërsa në mënyrë plotësuese lidhet me periudhën arkaike. Ajo synon të studiojë trashëgiminë kulturore të së kaluarës lidhur me origjinat e qytetërimit grek nëpërmjet referimit te Pellazgët. Teza sjell një qartësim të ri lidhur me njohuritë tona historike dhe kulturore që ka të bëjnë më Greqinë (pra të këtyre periudhave) dhe nxjerr në pah fillesat e qytetërimit Grek stricto sensu (në kuptimin e ngushtë të fjalës), qytetërim që u shfaq në fi llim të shekullit VIII para Krishtit. Autorët më të lashtë antikë, ndër të cilët Homeri1), Hesiodi2), Hekate i Miletit, Helanikos-i nga Lesbos-i, Herodoti, Tuqididi, Diodori i Siçilisë, Straboni, Pausanias ose tragjedianët (Eskili, Sofokliu dhe Euripidi) i kanë përmendur gjerësisht Pellazgët sepse popullonin që nga koha e antikitetit më të hershëm rajonet që do të bëheshin Greqi dhe e kanë vënë në dukje në mënyrë të konsiderueshme autoktoninë e tyre. Këta Pellazgë (barbaro-folës sipas Herodotit), paraprirës të Grekëve, u lanë trashëgimi atyre (Grekëve) elementët thelbësorë të qytetërimit të tyre : mitologji, kulte, kulturë dhe një pjesë të gjuhës së tyre”.

6. “Histori e Mendimit Shqiptar” nga Ndriçim Kulla

Ndriçim Kulla është studiues dhe botues i Plejad-it, i cili ia ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës dhe aktivitetit të tij zbulimit dhe botimit të auorëve më të spikatur të mendimit shqiptar, – sidomos mendimtarëve të gjysmës së parë të shekullit të XX. Vetë Kulla është shprehur: I nisur afro 25 vite më parë, rrugëtimi im kërshërimtar në fletoret e viteve 30-të, duket se arriti një përfundim të rëndësishëm me “Antologjinë e mendimit shqiptar” të botuar për herë të parë në vitin 2003. Ishte një libër i vëllimshëm që përzgjidhte rreth 25 autorë dhe që shtrihej në një hapësirë kohore prej 70 vitesh”. “Qasja e parë me një mendim të mohuar prej dekadash ishte sa ngazëllenjëse aq edhe traumatike. Lexohej mrekullisht shpirti dhe psikika shqiptare e ngritur në një vertikalizëm të paparë ndonjëherë më parë dhe kuptohej se sa shumë kishte humbur mendimi i sotëm nga mos-njohja apo mos-pasja për traditë të më parshme këtë shkëlqesë intelektualiteti dhe fisnikërie”, – thotë Kulla.

Më herët është botuar “Enciklopedia e mendimit shqiptar” në tre vëllime dhe afro 80 autorë. Meqenëse interesi ish rritur edhe nga bota e shkollës dhe ajo akademike, “sonda” e kërkimit të hallkave lidhëse të mendimit të viteve 30-të me mendimin e Rilindjes, filloi të nxjerrë xhevahirë që zbulonin se kjo Rilindje kishte pasur një lidhje të sajën edhe me humanizmin e katolikëve të famshëm të “5B” të veriut (Barleti, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani).

“Sjellja në duart e lexuesit e një vepre kaq të domosdoshme për studimin e mendimit të prodhuar ndër vite nga elita shqiptare, tashmë ka përmbyllur edhe qarkun e rrugëtimit tim gjatë këtyre tri dekadave në qëmtimin dhe dëshmimin e këtij mendimi, sidomos në pjesën e tij të viteve 30-të”, – thotë autori Ndriçim Kulla.

7. “Mosmarreveshja” nga Ismail Kadare

Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten.

Shqiptarët me shenjat e tyre, flamurin dhe himnin, do të aviteshin me drojë te sheshi i kombeve, përballë flamurit dhe himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiller-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për të dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë.

Nëpërmjet himnit, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që prisnin përgjigje për të.

8. “Principata e Arbërisë – vështrim historik” nga Kristo Frashëri

Principata Mesjetare e Arbërisë e viteve 1190-1215 është formacioni i parë shtetëror shqiptar. Si proces historik, formimi i tij nënkupton për vendin fillimin e një diferencimi të ri shoqëror, plasaritjen e bashkësive krahinore, zhvillimin e lidhjeve ndërkrahinore, dobësimin e ndjenjës së fisit dhe zëvendësimin e saj me ndërgjegjen e kombësisë. Ai nënkupton krijimin e një bashkësie banorësh me gjuhë, territor, doke dhe zakone të përafërta.

Edhe pse Principata e Arbërisë pati jetë të shkurtër, ajo la pas dy rezultate të mëdha historike. E para, ajo e konsolidoi ekzistencën e kombësisë shqiptare si një kombësi e veçuar në hartën etnike të Gadishullit Ballkanik. Nga ana e saj, kjo ndikoi në përhapjen dalëngadalë të emrit arbanitë në mbarë folësit e gjuhës shqipe, pavarësisht se ku banonin. E dyta, ajo e sanksionoi aspiratën e arbanitëve për të patur një shtet të veçuar nga shtete të ndryshme tashmë të konsoliduara në hartën politike të Europës juglindore.

9. “Arbërit e Jonit” nga Pëllumb Xhufi

Libri vjen si një eksplorim i thellë përvojash dhe arkivash brenda dhe jashtë Shqipërisë nga studiuesi i mirënjohur Pëllumb Xhufi rreth rezitencës së Shqipërisë së jugut ndaj pushtimeve osmane. Po ashtu, këtu ka të dhëna të dorës së parë për betejat, organizimet administrative, strukturat demografike dhe sociale, si dhe të dhëna rreth zhvillimeve sociale, kulturore dhe fetare të qyteteve përgjatë rivierës shqiptare. Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë.

Mbi bazën e burimeve të shumta, në një pjesë të madhe të panjohura e të zbuluara prej tij në arkivat e Venedikut, studiuesi i njohur i Mesjetës shqiptare, Prof. Pëllumb Xhufi, evidenton rolin e luajtur në ngjarjet historike të atyre shekujve nga shqiptarët e Labërisë, të Himarës, të Delvinës e të Çamërisë. Fushata ushtarake, beteja e kryengritje shpesh herë të panjohura mbushin e pasurojnë njohuritë e deritashme për historinë e së ashtuquajturës “Shqipëri e Poshtme” në shek. XV-XVII. Por, në këtë libër, mbi bazën e burimeve dokumentare të cituara bollshëm, lexuesi do të njihet edhe me aspekte po aq interesante të organizimit administrativ, të veprimtarive ekonomike e tregtare, të lëvizjeve demografike, të strukturës sociale, të institucioneve juridike, të zhvillimeve kulturore e fetare të shoqërisë shqiptare në ekstremin jugor të saj, ku mbetën gjithnjë të forta lidhjet dhe shkëmbimet me shtetet italiane, në veçanti me Mbretërinë e Napolit e me Republikën e Venedikut.

10. “Fiset shqiptare” nga Robert Elsie

Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde

Robert Elsie na ofron një lëndë gjithëpërfshirëse për69 fise të ndryshme, duke përfshirë edhe të dhëna për pozicionet, përkatësinë fetare, strukturat fisnore dhe relacionet ndërmjet tyre, statistikat e popullatës, folklorin e fisit, legjendat, doket dhe historinë e fisit.

Në të janë përfshirë edhe pasazhe dhe fragmentet nga veprat e udhëpërshkruyesve të njohur të shekullit të XIX dhe të fillim shekullit të XX, siç bie fjala Edith Durham, Baron Franc Nopça, Johan George von Han dhe Karl Shtajnmecit, të cilët udhëtuan nëpër rajonet e fiseve, si dhe janë përfshirë biografitë e shkurtra të figurave të shquara të cilat kishin lidhje me fisin.

Libri “Fiset shqiptare” do të mbetet një vepër e domosdoshme dhe autoritative e referencave. Ka fare pak njerëz në botë që do të mund të shkruanin një libër të këtillë; asbolutisht, asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde

11. “Shqiptarët” nga Oliver Jens Schmit

Shqiptarët janë populli më i madh me shumicë myslimane i Europës. Sot ata shtrojnë pyetjen se kujt i përkasin: botës islame apo Europës së krishterë? Çështja shqiptare, veçanërisht e ardhmja e Kosovës, ka vënë në punë edhe politikën europiane. Ky libër paraqet historinë e pasur dhe me ndryshime të shpeshta të shqiptarëve në Europën Juglindore nga antikiteti e deri më sot dhe krijon kështu një bazë për ta kuptuar më mirë këtë rajon.

Historia e shqiptarëve është një oscilim mes Lindjes e Perëndimit. Këtë rrugëtim e përshkruan në librin e tij më të ri historiani Oliver Jens Schmitt. Publikut i ofrohet një doracak me informata themelore dhe interpretime përtej miteve të propaganduara nga nacionalhistorianët shqiptarë Pas studimit Shqipëria venedikase dhe autobiografisë së parë gjithëpërfshirëse të Skënderbeut, historiani Oliver Jens Schmitt para pak muajsh, bashkë me historianin gjerman Konrad Cleëing, edituan një libër të vëllimshëm (839 faqe) mbi historinë e Evropës Juglindore. Kjo vepër përmban artikuj shkencorë të historianëve tash për tash më kompetentë nga hapësira gjermanofolëse mbi Evropën Juglindore dhe ka gjasa të bëhet pikë reference për çdokënd që interesohet për historinë e kësaj pjese të kontinentit të vjetër. Por zelli i Oliver Jens Schmittit nuk ka të ndalur. Për nacionalistët shqiptarë disa interpretime e fakte, përfundime dhe zbulime të Schmittit mund të konsiderohen si provokime, por do të ishte fatale që për librin të flasin ata që nuk e kanë lexuar. Kjo ka ndodhur tashmë me autobiografinë e Skënderbeut të Schmittit, kur autori u sulmua nga nacionalhistorianët dhe nacionalshkrimtarët shqiptarë, ndonëse shumica nuk e kishin lexuar librin. Kështu u zhvillua një debat alla shqiptarçe, ku flitej për sedrën nacionale dhe jo për faktet.

12. “Flamuri i Kombit Shqiptar” nga Jaho Brahaj

Tezat e lashtësisë së shqiponjës dykrenare, emblemë dhe simbol i Flamurit të kombi tonë, ka më shumë se dy shekuj që është vënë në qendër të vëmendjes së dijetarëve të huaj dhe shqiptarë. Kësaj teme i kushtohet studimi i autorit Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të mesjetës shqiptare.

Tezat e lashtësisë së shqiponjës dykrenare, emblemë dhe simbol i Flamurit të kombi tonë, ka më shumë se dy shekuj që është vënë në qendër të vëmendjes së dijetarëve të huaj dhe shqiptarë. Kësaj teme i kushtohet studimi i autorit Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të mesjetës shqiptare.

Ky studim me vlera shkencore është i pari i këtij lloji që ndërmerr një trajtim kaq të hollësishëm të kultit të shqiponjës, simbolit të Flamurit tonë Kombëtar, duke e parë në këndvështrimin e disiplinave të ndryshme shkencore si mitologjia, etnologjia etj, çka hedh dritë jo vetëm mbi lashtësinë e emblemës së flamurit kombëtar, por edhe ndriçon problemin e etnogjenezës së popullit tonë, duke hapur shtigje të reja për hulumtime të mëtejshme. Është e para herë që në librin “Flamuri i Kombit Shqiptar” shpjegohet në bazë të hulumtimeve të suksesshme, të bazuara në materiale konkrete arkeologjike e etnologjike, se cila është zanafilla e shqiponjës dykrenare, motiv që kombi ynë e ka edhe simbol të flamurit që prej pesë shekujsh. Studiuesi Jaho Brahaj shpjegon enigmën e zanafillës së shqiponjës dykrenare, e cila është trashëguar nga kohët e hershme bashkë, me besimet dhe kultin e këtij shpendi.

Studimi monografik “Flamuri i Kombit Shqiptar” është mbështetur kryesisht në strukturat shpirtërore e materiale të krijuara ndër mijëvjeçarë nga populli ynë dhe të ruajtura, të trashëguara e të dokumentuara nga kultura materiale: në hajmali, ornamente, në qëndisma, tekstile popullore, stoli metalike, gdhendje në gur, në dru etj.

Hulumtimi i autorit për këtë monografi përfshin gjithë trashëgiminë e objekteve arkeologjike me këtë temë, të ruajtura në truallin ballkanik e të botuara nga studiuesit tanë e të huaj dhe po ashtu trashëgiminë shpirtërore të ruajtur nga popullsia jonë, në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

Glina në bashkëpunim me Bukinist.al të dhuron 20% zbritje në librat e përzgjedhur shqip

Përgatiti Albert Gjoka, menaxher i Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *