Leximtari publikon librat më të kërkuar nga lexuesit tek Bukinist.al gjatë vitit të kaluar: Librat e biznesit dhe zhvillimit personal, klasikët modernë por edhe autorë si Ismail Kadare apo Tom Kuka ishin ndër më të pëlqyerit e vitit që lamë pas
Gjatë vitit 2021 në platformën më të madhe online të librit shqip, Bukinist.al vazhdoi interesi në rritje për librat e zhvillimit personal dhe të biznesit. Libri “Babai i pasur, babai i varfër” kryesoi listat duke shënuar, së bashku me librin e Napoleon Hill, “Mendo dhe bëhu i pasur”, i hedhur në qarkullim nga OMSCA-1. “S’ka më justifikime”, i Brian Tracy, botuar nga Koliqi, mbetet ndër librat më të kërkuar në këtë kategori tek platforma Bukinist.al.
Interesi i lexuesit për Khaled Hosseinin dhe për romanin “Gjuetari i balonave” mbetet ende tejet i lartë, edhe për shkak të krizës që pati Afganistani gjatë vitit të kaluar. Surprizë e këtij viti ka qenë romani “Mbaron me ne” i Colleen Hoover, botuar nga Living. Ky roman u kthye në “pandemi” për lexuesit pas shpërndarjes dhe promovimit në rrjetet sociale.
Publikimi i serisë “Shtatë motrat” i Lucinda Riley e ktheu romanin më të fundit, “Motra e humbur” në një bestseller absolut edhe në gjuhën shqipe.
Dy klasikët modernë, Gabriel Garcia Marquez dhe George Orwell vazhdojnë të jenë të pëlqyer nga lexuesit tanë: mbase edhe për interci të leximeve të periudhës së pandemisë. Romanet “Dashuria në kohërat e kolerës” dhe “1984” janë në krye të librave më të shitur.
Fatmirësisht Ismail Kadare vazhdon të jetë i kërkuar, – ku këto kohë është shfaqur edhe një lexues i ri, i cili po ndërton një komunikim specifik me veprën, përtej paragjykimeve apo klisheve ideologjike. Romani “Pallati i ëndrrave” konsiderohet vepra më e mirë e tij dhe këtë e ka konfirmuar edhe lexuesi tek Bukinist.al gjatë vitit 2021.
Tom Kuka, me romanin “Flama” ka shënuar rritje të interesit nga lexuesit tanë; sidomos pas fitimit të Çmimit Europian të Letërsisë në maj të vitit 2021.
Kjo listë është prodhim real i sjelljes dhe shijeve të lexuesve në një platformë online si Bukinist.al, – por sigurisht është objekt diskutimesh, dhe debatesh mbi llojet e librave që lexohen. Prandaj, ne i mirëpresim diskutimet rreth “bestseller-ave” të mëposhtëm.
Më poshtë gjeni 12 librat më të shitur gjatë vitit 2021 tek platforma Bukinist.al
“Babai i pasur, babai i varfër” nga Robert Kiyosaki
Në kohën kur po përballeshim me pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, dhe kur jeta me vdekjen ishin aq pranë, lexuesit donin libra që iu vinin në ndihmë për të mbajtur stabilitetin financiar dhe për të mos cënuar të ardhurat e tyre. Thuajse gjatë gjithë vitit ky libër ka qenë ndër më të kërkuarit.
“Babai i pasur, babai i varfër” është një guidë bazike për t’u edukuar me paratë dhe kapitalin, në mënyrë që çdo individ të jetë në gjendje që të marrë nën kontroll të ardhmen e tij financiare.
“S’ka më justifikime” nga Brian Tracy
Ky libër i Brian Tracy-t është më i komentuari dhe më i vlerësuari nga lexuesit në morinë e librave të shumtë që ka. Autori i qindra librave për zhvillimin personal dhe për biznesin sjell një udhëzues special për këdo që do të rritet përmes vetëdisiplinimit. Duke ndjekur udhëzimet që jepen në këtë libër mund të bësh arritje të mëdha në jetën tënde personale dhe profesionale, përmes tri fushave: qëllimet personale; qëllimet në biznes dhe lumturinë e përgjithshme.
“Mendo dhe behu i pasur” nga Napoleon Hill
Ky libër kryeson përherë listat e shitjeve dhe pa frikë mund të konsiderohet si një nga librat më të mirë në botë në fushën e zhvillimit personal. “Mendo dhe bëhu i pasur” ka ndihmuar shumë njerëz të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre.
Libri është një shtysë e shkëlqyer motivuese për zhvillimin e intelektit personal. Autori shpjegon se filozofia që mësohet në libër mund të përdoret për t’i ndihmuar njerëzit që të kenë sukses në të gjitha fushat dhe të bëjnë ose të arrijnë të jenë pothuajse çdo gjë që duan.
“Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini
Shfaqja në skenë e krizës në Afganistan, dhe protagonizmi që pati në mediat ndërkombëtare Khaled Hosseini, rikthyen më shumë se asnjëherë vëmendjen tek ky autor: Tre veprat e tij, “Gjuetari i balonave”, “Dhe malet oshëtinë” dhe “Njëmijë diej vezullues” janë bestseller-at absolut të kohës tonë. Edhe gjatë vitit 2021 pati një interes gjithnjë e në rritje nga lexuesit shqiptarë për veprat e këtij autori, ku padyshim, më i pëlqyeri mbetet “Gjuetari i balonave”. Siç e thotë edhe Amazon, “ky libër ka vetëm një të metë, – mbaron shpejt”.
“Mbaron me ne” nga Colleen Hoover
Lexuesi e risolli në vëmendje këtë roman disa vite pasi ishte botuar. Promovimi që iu bë në Tik-tok dhe rekomandimet që i bënë lexuesit në rrjetet sociale e bënë menjëherë një bestseller absolut në të gjithë botën, duke kryesuar listat gjatë vitit 2021. I tillë u bë brenda një kohë të shkurtër edhe në Shqipëri, menjëherë sapo u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese Living. Brenda pak javësh pati ribotime, pasi lexuesit e përpinin.
“Mbaron me ne” është një roman i guximshëm dhe realist; është një histori e paharrueshme dashurie, ku secili prej nesh e gjen veten pjesë të kësaj historie.
“Arti i brishtë i not giving a f.ck” nga Mark Manson
Janë të rrallë librat që e mbajnë kaq të gjallë interesin e lexuesit sa “Arti i brishtë i not giving a f.ck” i Mark Manson. Përgjatë tre viteve, ky libër vazhdon të lexohet, duke thyer çdo pritshmëri. Kjo lidhet edhe me një arsye: Mendësia që kërkon të krijojë tek lexuesit është një ndihmesë për këdo që jeton në realitete kaq problematike sa Shqipëria. Pikërisht për këtë fakt ka pasur një numër të madh lexuesish.
Në këtë guidë për zhvillimin personal, na tregohet se çelësi për të qenë më të lumtur, është të mos përpiqemi të jemi gjithë kohën “pozitivë”, por të përmirësohemi në përballimin e vështirësive.
Manson na këshillon të mësojmë kufizimet tona dhe t’i pranojmë ato. Ai thotë se ky është burimi i vërtetë i forcës. Kur përqafojmë frikën, fajet dhe pasiguritë tona – kur nuk u largohemi dhe nuk u shmangemi të vërtetave të dhimbshme, por përballemi me to – mund të gjejmë guximin dhe vetëbesimin, të cilat i kërkojmë me aq dëshpërim.
“Motra e humbur” nga Lucinda Riley
Saga “Shtatë motrat” nga vëllimi i parë deri në vëllimin e shtatë ka qenë si një ortek në mënyrën sesi lexuesi e ka pritur. Prandaj, për vëllimin “Motra e humbur” lexuesi u tregua i paduruar, duke e porositur që pa u hedhur ende në qarkullim.
Secila nga 6 motrat D’Aplieze ka bërë një udhëtim të jashtëzakonshëm për të zbuluar origjinën, por yllësia e Plejadës nga ku morën emrat, përbëhet nga 7 yje dhe askush nuk e ka zbuluar ende se kush është Meropi në të vërtetë dhe ku ndodhet.
Me adresën e një vreshti dhe skicën e një unaze smeraldi në formë ylli, fillon një garë që do t’i bëjë motrat të përshkojnë vërtet të gjithë botën: nga Zelanda e Re në Kanada, nga Anglia në Francë dhe më në fund në Irlandë, të bashkuara më shumë se kurrë në misionin për të plotësuar familjen para përvjetorit përkujtimor për vdekjen e Pa Saltit. Një kërkim që do t’i vërë në gjurmët e një gruaje që në të vërtetë nuk dëshiron të gjendet… por pse?
“Kur qau Nicja” nga Irvin D. Yalom
Në librin “Kur qau Niçja”, Irvin Yalom ngjall fakte dhe trillime, atmosferë dhe ankth, duke shpalosur një histori të paharrueshme për forcën e miqësisë.
Në Vjenën e shekullit XIX, një dramë dashurie, fati dhe vullneti luhej në mendjen e bërthamës intelektuale që përcaktoi epokën. Zhozef Brojeri, një nga themeluesit e psikoanalizës është në kulmin e karrierës së tij. Fridrih Niçe, filozofi i madh europian, është në prag të vetëvrasjes nga dëshpërimi, i pafuqishëm për të gjetur një kurë për dhimbjen e tij.
“Dashuria në kohërat e kolerës” nga Gabriel Garcia Marquez
Sikundër nënkuptohet nga titulli, Garcia Márquez ka shkruar roman për dashurinë, për dashurinë me të gjitha fytyrat e saj: dashuri rinore, dashuri bashkëshortore, dashuri romantike, dashuri të mishit, dashuri, madje, edhe me shenjat e kolerës. Për më tepër, ai ka shkruar një vepër arti që rrezaton një humanizëm të atillë, që lexuesit do ta ruajnë thellë në zemër si diçka të shtrenjtë dhe do ta kujtojnë sa të kenë jetë në këtë botë. Kryevepra e Marquez-it na vjen në shqip përmes rishikimit dhe plotësimit në gjuhën tonë që i ka bërë përkthyesja Mira Meksi.
“Pallati i ëndrrave” nga Ismail Kadare
“Pallati i Ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, e vlerësuar madje si vepër që mund të fitonte të gjitha trofetë letrare. Madje, ai do ta meritonte çmimin Nobel edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i Ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë.
Kur George Orwell shkruante këtë libër, viti 1984 ishte e ardhme. Sot, ai vit është e shkuar. Por pas kësaj vepre, viti i vërtetë 1984 do të jetë gjithmonë një datë e së ardhmes, viti i fillimit të një epoke të mjegullt për historinë e njerëzimit.
“1984” është një roman distopik i shkrimtarit anglez George Orwell. “Vëllai i madh po të vëzhgon” është parulla që lindi prej këtij libri, i cili shumë shpesh është quajtur “roman despotik”, ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka. Ai është një vizion i zymtë i së ardhmes, që shpie në pasojat ekstreme të kushteve dhe prirjeve totalitare të botës aktuale.
Regjimi totalitar i Vëllait të Madh, që vëzhgon vazhdimisht gjithkënd dhe gjithçka nëpërmjet ekraneve të panumërta, ushtron kontrollin absolut mbi veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve.
Gjithçka i shërben pushtetit. Librat, gazetat, arkivat dhe mendjet falsifikohen pareshtur, sepse “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen; kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën.”
“Flama” nga Tom Kuka (Pseudonim)
Pakkush do ta merrte seriozisht Tom Kukën në fillesat e tij, por me dy romanet, “Gurët e vetmisë” dhe “Ora e ligë” nisi vëmendja e lexuesit të specializuar dhe fitimi i trofeve të para si shkrimtar të Enkel Demit. Romani më i fundit, “Flama” kulmoi me fitimin e trofeut të Çmimit Europian të Letërsisë për vitin 2021, gjë që solli rritjen e shitjeve të të gjithë librave të Tom Kukës, dhe veçanërisht edhe të romanit “Flama”.
I ngjashëm me romanin e Konicës “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, Tom Kuka, me stilin e tij, që shkon nga magjikja te realja, rikthehet për të na rrëfyer gjëmën e madhe të mëkatit.
Di Hima, si një tjetër Doktor Gjilpëra, kërkon të gjejë një vrasës, kurse qytetit po i merret fryma nga morti. Tom Kuka mbush karron e tij me trupat e lëngatës së Flamës, ndërsa dikush vret për të mbuluar mëkatin nga rrjedh e gjithë llahtara.
Një metaforë e mrekullueshme për njeriun e sotëm, që po përjeton një pandemi mbarëbotërore, ndoshta për shkak të grykësisë dhe përdhosjes që i ka bërë natyrës dhe vlerave njerëzore.
Përgatiti materialin Albert Gjoka, menaxher i Bukinist.al
Nëse doni më shumë informacion se cilët janë 90 librat më të shitur tek Bukinist.al, shkoni tek LINKU