Përshtypje rreth librit “Të lirë: Të rritesh në fund të historisë” të autores Lea Ypi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dudaj”
Blendi KAJSIU
Libri i Lea Ypit, “Të lirë: Të rritesh në fund të historisë”, është një xhevahir i rrallë letrar që të ngacmon thellësisht si emocionin, edhe mendimin. Autorja me mjeshtri e tërheq lexuesin në udhëtimin e saj autobiografik nga fëmijëria në komunizëm tek adoleshenca në tranzicion. Në këtë rrugëtim, Lea nga njëra anë na bën të përjetojmë gëzim dhe zhgënjim, shpresë dhe trishtim, të qeshim dhe qajmë me situatat sa komike edhe tragjike të jetës në komunizëm dhe në tranzicion; Nga ana tjetër, krejt natyrshëm na fton në një reflektim të thellë të lirisë si koncept politik dhe përjetim jetësor.
Pjesa e parë e librit rrëfen fëmijërinë e Leas në komunizëm në një familje, ku të dy prindërit kishin “biografi të keqe”. Është një fëmijëri normale brenda një situate anormale, ku familja duhet t’i fshehë asaj vazhdimisht jo vetëm origjinën familjare, por dhe fatin e të afërmve të saj.
Gënjeshtrat, me të cilat rritet Lea, ekzistojnë brenda një gënjeshtre më të madhe, të Partisë së Punës, brenda së cilës shoqëria shqiptare rritet me idenë se është tërësisht e lirë dhe fanar ndriçues i njerëzimit.
Natyrisht, Lea, edhe pse fëmijë me naivitetin dhe koherencën e saj, e vë vazhdimisht në dyshim fabulën e prindërve, edhe pse e pranon atë. Ajo e kupton se ka diçka që nuk shkon, se prindërit edhe pse “besnik të partisë” nuk vënë një foto të xhaxhit Enver mbi televizor. Se ndryshe nga shokët e klasës, ajo nuk ka asnjë partizan në familje. Se gjyshja e saj që i flet asaj vetëm frëngjisht në shtëpi nuk është si gjyshet e tjera.
Në fakt, familja e Leas dhe fëmijëria e saj janë kaq të jashtëzakonshme saqë nëse nuk do kishim të bënim me një autobiografi shumë syresh do mendonin se po lexojnë një histori të trilluar në mënyrë të ekzagjeruar. Kemi të bëjmë me rastin tipik kur jeta tejkalon trillimin artistik. Ndaj nëse shumica e shkrimtarëve mburren sepse e kthejnë të përditshmen në të jashtëzakonshme, Lea ka tejkaluar sfidën e kundërt, normalizimin e të jashtëzakonshmes.
Natyrshmëria dhe thjeshtësia, me të cilën ajo rrëfen fëmijërinë e saj përveç efektit artistik të krijimit të afrimitetit me lexuesin ka edhe një efekt analitik në theksimin e anormalitetit të regjimit komunist ku jeton Lea e vogël. Anormaliteti i thellë i situatës së familjes së saj të persekutuar nga të dyja anët, reflekton anormalitetin e thellë politik të vetëkomunizmit shqiptar. Këtu paralelet mes asaj që ndodh brenda familjes së Leas dhe sistemit politik janë të parezistueshme. Të persekutuar nga të gjitha anët familja e Leas, sikurse e gjithë klasa e të persekutuarve, u detyrua të komunikonte me një gjuhë të kodifikuar për t’u mbrojtur si nga brenda (nga fëmijët) edhe nga jashtë (nga spiunët).
Në fjalët e Xhorxh Oruellit, kemi të bëjmë me një newspeak, një gjuhë ku fjalët marrin kuptimin e tyre të kundërt; ku liria është skllavëri, ku diktatura është demokraci dhe burgimi është edukim. Ama ky newspeak i familjes së Leas të kujton shumë transformimin e gjuhës në komunizëm, jo vetëm drunjëzimin e saj por edhe mënyrën se si koncepte si demokracia e centralizuar transformohet në diktaturën e proletariatit, e cila më pas nënkupton demokracinë e vërtetë. Normalizmi i këtyre anormaliteteve nxjerr në pah kontradiktat e brendshme të sistemit komunist. Një sistem ku përbri solidaritetit ekziston një konkurrencë e llahtarshme mes individëve për status social; për t’u dalluar nga të tjerët dhe për të mira materiale. Ku njeriu i ri antikapitalist dhe antimaterialist adhuron kanoçen borgjeze të “Coca-cola”.
Një nga situatat më tragjikomike ku dalin në pah këto kontradikta është zënka mes familjes së Leas dhe fqinjëve të tyre më të mirë për një kanoçe “Coca cola”.
Pjesa e dytë e librit përkon me rënien e komunizmit dhe periudhën e tranzicionit. Tashmë, Lea bashkë me Shqipërinë kanë hyrë në adoleshencë. Të dyja janë në tranzición, në kërkim të vetvetes. Është një tranzicion i vështirë për të dyja. Dalja nga fëmijëria komuniste është traumatike sepse bazohej në një gënjeshtër. As Lea dhe as Shqipëria nuk ishin ashtu siç besonin gjatë komunizmit.
Por deri këtu shkon paralelizmi midis adoleshencës së Leas dhe tranzicionit shqiptar. Nëse adoleshenca e Leas ishte plot dyshime, paqartësi dhe mungesë të plotë të një destinacioni të qartë, tranzicioni shqiptar kishte një qartësi të frikshme deri në dogmatizëm rreth destinacionit europian, lirisë dhe tregut. Nëse dje duheshin sakrifica për të arritur komunizmin, tashmë sakrificat duhen për të kapur Europën.
Me sytë e Leas adoleshente ne përjetojmë jo vetëm krizën e saj identitare, por edhe tragjeditë e shumta që prodhon tranzicioni, që nga papunësia, prostitucioni, trafiku dhe deri te kriza e firmave piramidale. Por, ndryshe nga shumë vepra artistike që janë shkruar mbi tranzicionin (dhe komunizmin) shqiptar, nuk kemi të bëjmë thjesht me një proces vajtimi aq sa me një reflektim të mprehtë letrar dhe politik. Edhe këtu, si në rastin e komunizmit, tragjikja dhe komikja ndërthuren natyrshëm. Përkrah historive të dhimbshme të trafikimit të vajzave shqiptare për prostitucion jashtë, kemi edhe histori komike të grave me personalitet dhe autoritet që marrin pjesë në takime me delegacione të huaja veshur me këmisha nate. Do mjaftonte vetëm mjeshtëria letrare e autores, autenticiteti i rrëfimit të saj, analiza dhe vëzhgimi i hollë i personazheve, aftësia për të kombinuar tragjiken dhe komiken dhe për të shpjeguar kompleksitetin e marrëdhënieve shoqërore shqiptare si në tranzicion edhe në komunizëm, por pa rënë në klishetë e “totalitarizmit komunist” apo të “tranzicionit të dhimbshëm”, që libri në fjalë të klasifikohej si një perlë letrare. Por libri bën më shumë se kaq. Ai e përdor letërsinë për ta thelluar reflektimin politik të lexuesit. Është meritë e shkrimtares që reflektimi politik nuk bëhet në kurriz të, por në harmoni me, dimensionin letrar. Personazhet dhe idetë politike shkrihen në mënyrë të natyrshme, si për të na kujtuar se as komunizmi dhe as tranzicioni nuk mund të reduktohen në ide abstrakte.
Koncepte si “lufta e klasave” apo “terapia e shokut” nuk mund të kuptohen veçse nëpërmjet njerëzve që i krijuan, zbatuan apo vuajtën ato. Këtu letërsia e mbush teorinë politike me përjetimin njerëzor, pa të cilën ajo bëhet e rrezikshme, transformohet në vizione apo utopi që kushtojnë jetë njerëzish.
Kjo martesë e letërsisë me filozofinë politike shfaqet sa bukur edhe natyrshëm te martesa e vetë prindërve të Leas. Një mama “neoliberale” që beson fort tek individi dhe e sheh me dyshim shtetin, përballë një babi “socialist”, që ndonëse persekutohej nga regjimi komunist nuk besonte tek kapitalizmi.
Debatet mes dy prindërve të Leas janë, në fakt, debate mes dy botëkuptimeve ideologjike të ndryshme: “Kur njeriu pasurohej tej mase, thoshte ime më, kjo ishte meritë e tij. Im atë ngulte këmbë se askush nuk mund të pasurohej tej mase pa shfrytëzuar të tjerët. Me përqendrimin e të ardhurave në pak duar shtohej përqendrimi i pushtetit dhe rritej mundësia e pakicës për të ndikuar në vendimmarrje, çka e bënte absolutisht të pamundur për shumicën e varfër arritjen e të njëjtës pozitë me të pasurit”.
Kështu, idetë politike sendërzohen në njerëz e botëkuptime reale. Kur Lea thotë se babai i saj e “dinte mirë se cilat pikëpamje duheshin kundërshtuar, por nuk arrinte të nxirrte dot në pah se çfarë duhej mbështetur” të krijohet përshtypja se po flet për reduktimin e të majtës te kritika dhe paaftësinë e saj për të ofruar alternativë qeverisëse nën hegjemoninë neoliberale.
Kombinimi i përjetimit emocional me reflektimin politik i jep një thellësi të rrallë librit, sidomos kur përshkruan rënien e komunizmit dhe tranzicionin. Me vëzhgimin e saj të mprehtë, Lea na shfaq anën e çuditshme dhe shpesh absurde të ngjarjeve që tashmë na duken sa familjare aq edhe normale. Ajo na tregon se si ndryshe nga çdo revolucion tjetër i ashtuquajturi revolucion demokratik nuk kishte as shtypës dhe as të shtypur, por vetëm “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor”.
“Pa autorë vetëm idetë mbetën kriminale… Ky revolucion, revolucioni i kadifenjtë i Shqipërisë, ishte revolucion i njerëzve kundër koncepteve”. Teksa lexoja këto rreshta të Leas më vinin në mendje imazhet e djemve të lagjes që digjnin veprat e Marksit dhe të Enverit. Natyrisht, në atë moment nuk e rroka ironinë e faktit që çlirimi ynë nga dogma marksiste u festua me djegie librash. Ndaj nuk është çudi që dogma marksiste u zëvendësua shumë lehtë me atë neoliberale gjatë tranzicionit. Me një lehtësi çarmatosëse, Lea na tregon se sa dogmatike dhe shpesh absurde ishin kategoritë konceptuale të tranzicionit, që për kaq shumë vite shoqëria jonë i pranon si të mirëqena, me të njëjtën lehtësi marramendëse sikurse dje në komunizëm pranonte se Shqipëria ishte fanar ndriçues i Europës.
Me rënien e komunizmit, – na thotë Lea, – dallimi kryesor bëhet “midis shoqërive në tranzicion dhe atyre që tranzicionin e kishin përfunduar, midis njerëzve në lëvizje dhe atyre që kishin mbërritur. Se çfarë kishin mbërritur, kjo mbetej e turbullt. Por kjo edhe nuk kishte pikë rëndësie. Të kapje zhvillimin e të tjerëve, vlente shumë më tepër sesa të jepje shpjegime se ku qëndronte ai zhvillim”. Me të njëjtin nxitim dhe mungesë kritike që u pranuan reformat komuniste dje për të kryer tranzicionin nga socializmi në komunizëm tashmë pranohen dhe zbatohen reformat për tranzicionin e ri drejt demokracisë dhe Europës.
Politika transformohet në teknikë, debati nuk është mbi idetë apo alternativat por thjesht mbi implementimin: “Reformat strukturore ishin po aq të pashmangshme sa dukuritë natyrore… Politika nuk ishte art, por teknikë, teknika e përgatitjes së masave për epokën e re të liri-demokracisë. Për ta bërë popullin të ndihej si gjithë Europa”.
Dhe ja paradoksi tjetër; liria në tranzicion sendërzohet si mungesë alternativash qeverisëse. Po kështu, liria për të lëvizur që dje dhunohej nga komunizmi tashmë kufizohet nga Europa. E njëjta Europë që dje denonconte regjimin komunist shqiptar si një burg të madh për shqiptarët tashmë nuk lejonte daljen e tyre prej tij. Dhe këtu Lea shtron një sërë pyetjesh që nxjerrin në pah brishtësinë e iluzionit tonë se me rënien e komunizmit shqiptarët ishin të lirë: “Po çfarë vlere ka e drejta për të dalë lirisht nga një vend, nëse mungon e drejta për të hyrë lirisht në një vend tjetër? Pse vallë ekzistenca e kufijve dhe mureve që ndajnë territoret gjeopolitike nga njëri-tjetri duhet të quhet e dënueshme vetëm kur shërben për të kyçur njerëzit brenda dhe jo kur shërben për t’i mbajtur ata jashtë?”.
Libri është një lexim i domosdoshëm sepse na fton drejt lirisë duke na treguar zinxhirët që e shtrëngojnë shoqërinë tonë si dje në komunizëm edhe sot në demokracinë neoliberale.
Ftesa është sa e sinqertë edhe tërheqëse, sepse Lea na tregon se pavarësisht kufizimeve, liria kurrë nuk zhduket tërësisht, si dje në komunizëm edhe sot në tranzicion. Vetë Lea, e majtë në mendim, edhe pse nga një familje e persekutuar, një nga mendimtaret më të rëndësishme sot në fushën e teorisë politike në botë, edhe pse nga Shqipëria, është shembulli konkret se pavarësisht kufizimeve jemi të lirë të arrijmë vetveten.
Artikulli është botuar tek gazeta Panorama. Titulli është redaksional
Librin e gjeni online, tek Bukinist.al