6 libra non-fiction per tu lexuar ne kohe lufte

Foto ilustruese

Rekomandimet e Leximtari.al per momentet me te veshtira te shoqerise njerezore. Stoiket dhe neo-stoiket, mendimtaret qe na duhen ne keto kohe trazirash globale: Mark Aurelius, Seneca. Epictetus, Viktor Frankl, Mark Manson dhe Ray Holiday si pjese e tradites stoike  

Jeta njerëzore është e mbushur me plot sfida, të cilat duhen kapërcyer: Si të tilla, ato vijnë jo për të na gjunjëzuar, por për të mësuar prej tyre dhe për të qenë të aftë për t’i kapërcyer ato: Luftërat, epidemitë, fatkeqësitë natyrore, të cilat i kemi përjetuar edhe gjatë këtyre viteve, kanë qenë përherë të pranishme përgjatë historisë njerëzore. Mënyrat sesi kemi reaguar ka dëshmuar qartë diferencën dhe ka sjellë vlerat mes nesh.

Mendimi stoicist është ndër armët më të forta që na vjen në ndihmë për të kuptuar dhe për ti dhënë vlerë jetës tonë. Stoikët na ndihmojnë me parimet dhe idetë që sjellin për t’i pranuar sfidat dhe për të ecur përpara.

Mësimet e Epiktetit, Markus Aurelit dhe Senekës u përvetësuan nga shumë figura të shquara, historitë e të cilëve pasqyrohen në këtë libër. Këta njerëz jo vetëm që  kanë kapërcyer vështirësitë e tyre personale, por edhe kanë ndryshuar botën. Ndër personazhet e shquara që janë trajtuar në libër përmendim: Ulisis S. Grant, Tomas Edison, Margaret Theçër, Duajt D. Ajzenhauër. Teodor Ruzvelt, Stiv Xhobs apo Barak Obama. Është e rëndësishme që njerëzit të mësojnë elemente të stoicizmit kur ndjehen sikur janë të mbërthyer në jetën dhe karrierën e tyre dhe nuk arrijnë të ecin përpara. Gjendemi shpesh në të ashtuquajturit “kurthe” dhe duam të dalim prej tyre, t’i lëmë pas. Në të vërtetë, këto “kurthe” mund të jenë mundësi për të kuptuar më mirë botën dhe për të përfituar prej tyre.

Në këto kohë të pazakonta të shoqërisë tonë, ne kemi përzgjedhur mendimtarët stoikët dhe disa neo-stoikë, të cilët besoj se kanë shumëçka për të na thënë: Mark Aureli, Seneca, Epictetus, Viktor Frankl, por edhe Ray Holiday apo Mark Manson janë pjesë e një filozofie të tërë të stoicizmit në kohëra të ndryshme. Idetë e tyre jo thjeshtë na ngushëllojmë për pengesat që hasim në jetë, por na mësojnë sesi të ecim përpara dhe t’i kapërcejmë ato, duke mësuar prej tyre.

Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni gjashtë librat që rekomandojmë si Bukinist.al për tu lexuar, sidomos në këto kohë të vështira për secilin prej nesh:   

“Meditime” nga Marcus Aurelius


“Meditimet” e Marcus Aurelius ofrojnë një seri të jashtëzakonshme reflektimesh dhe ushtrimesh shpirtërore sfiduese të zhvilluara ndërsa perandori përpiqej të kuptonte veten dhe mjedisin rreth tij. Teksa Meditimet u krijuan për të ofruar ngushëllim dhe inkurajim personal, Marcus Aurelius krijoi gjithashtu një nga veprat më të mëdha të filozofisë: një koleksion të përjetshëm që është konsultuar dhe admiruar nga shtetarët, mendimtarët dhe lexuesit përgjatë shumë shekujve.

“Arti i të jetuarit” nga Epictetus

Epikteti lindi në skllavëri rreth vitit 55 pas Krishtit në zonat lindore të Perandorisë Romake. I shitur si fëmijë dhe i gjymtuar nga rrahjet e zotërisë së tij, Epikteti u lirua përfundimisht, duke u ngritur nga rrënjët e tij modeste për të krijuar një shkollë me ndikim të filozofisë stoike.

Duke zbatuar në praktikë nëntëdhjetë e tre udhëzimet koncize, të mençura dhe të mprehta që përbëjnë “Artin e të jetuarit”, lexuesit mësojnë të përballojnë me sukses sfidat e jetës së përditshme dhe të përballojnë me hir humbjet dhe zhgënjimet e pashmangshme të jetës. Mësimet e Epiktetit renditen ndër tekstet më të rëndësishme të mençurisë së qytetërimit njerëzor.

Duke theksuar se qeniet njerëzore nuk mund ta kontrollojnë jetën, vetëm se si reagojnë ndaj saj, Epikteti ia kushtoi jetën e tij përshkrimit të rrugës së thjeshtë drejt lumturisë, përmbushjes dhe qetësisë.

“Shkurtësia e jetës” nga Seneca

Shkrimet stoike të filozofit Seneka ofrojnë njohuri të fuqishme mbi artin e të jetuarit, rëndësinë e arsyes dhe moralit dhe vazhdojnë të ofrojnë udhëzime të thella për shumë njerëz nëpërmjet elokuencës, kthjelltësisë dhe urtësisë së tyre të përjetshme.

Gjatë historisë, disa libra kanë ndryshuar botën. Ata kanë transformuar mënyrën se si ne e shohim veten dhe njëri-tjetrin. Ata kanë frymëzuar debat, mospajtim, luftë dhe revolucion. Ata kanë ndriçuar, indinjuar, provokuar dhe ngushëlluar. Ata kanë pasuruar jetë dhe i kanë shkatërruar ato. Dhe Seneca është njëri prej tyre.

“Në kërkim të kuptimit” nga Viktor E. Frankl

Libri “Në kërkim të kuptimit në jetë”, shkruar nga Viktor Frankëlli, është një nga veprat më madhështore të epokës sonë. Në përgjithësi, nëse një libër ka një fragment, një ide që mbart fuqinë për të transformuar jetën e njeriut, kjo është një arsye e mirë për ta lexuar, për ta rilexuar dhe për ta vënë në reshtin e parë të raftit. Ky libër ka shumë fragmente të tilla. Para së gjithash, ky është një libër për mbijetesën. Si shumë hebrenj nga Gjermania dhe Evropa Lindore, të cilët mendonin se ishin të parrezikuar në vitet 1930, Frankëlli përfundoi në rrjetin nazist të kampeve të përgendrimit dhe shfarosjes. Ai shpëtoi për mrekulli. Mbijetoi ashtu siç thuhet në Bibël: “një urë zjarri e shkëputur nga zjarri”. Por rrëfimi i tij në këtë libër ka të bëjë më shumë me burimet e forcës për të mbijetuar sesa me mundimet, vuajtjet dhe humbjet që përjetoi. Disa herë në këtë libër, Frankëlli konfirmon shpesh thënien e Niçes: “Ai që ka një Arsye për të jetuar, mund të përballojë çdo mënyrë jetese”.

“Pengesa është rrugëdalja” nga Ryan Holiday

“Pengesa është rrugëdalja” ka të bëjë me shndërrimin e pengesave në triumfe, duke ndërmarrë veprime që na krijojnë mundësinë të përparojmë më tej në jetën tonë.

E thënë kaq thjesht, duket sikur jeta e njeriut mund të ndryshojë në një sekondë. Nuk është kështu. Jeta është proces. Leximi i këtij libri është pjesë e këtij procesi. Ky libër është pra, një instrument më tepër në rrugën tonë drejt përballimit të situatave të vështira dhe, – më tej, – drejt suksesit.

Libri fokusohet tek momente të caktuara të jetës, atëherë kur duhet të marrim vendime kritike: Të ecim përpara apo të prapsemi? Me fjalë të tjera: A jemi në gjendje ta kapërcejmë pengesën që kemi përpara? Këtë pyetje mund ta shtrojë çdo person, çdo ditë të jetës së tij. Madje, ky person mund të tallet kur shikon një titull të tillë libri.

Ekziston një tendencë për t’i parë gjëra në mënyrë sipërfaqësore. Për fat të keq! Prandaj, edhe autori Ryan Holiday shkruan libra të tillë; që njerëzit të gjejnë një këndvështrim tjetër për të kuptuar botën; që njerëzit të zotërojnë një instrument më tepër që i ndihmon në kapërcimin e vështirësive.

Çfarë është vështirësia? Një ndërtim abstrakt që i japim vlerë në bazë të ca gjykimeve që kemi formuar ndër vite. Po sikur t’i kurojmë këto gjykime? A do ta shohim sërish vështirësinë nga e njëjta perspektivë?

Autorit të këtij libri i vjen në ndihmë stoicizmi. Çfarë  predikonin stoikët? Të pranoni situatën ashtu siç është në të vërtetë, në mënyrë që të mos e lini veten të pushtoheni dhe kontrolloheni nga dëshira për kënaqësi ose frika e dhimbjes, të tentoni ta kuptoni botën dhe të luani pjesën tuaj në planin e natyrës, si dhe të trajtoni të tjerët me drejtësi dhe ndershmëri.

“Arti i brishtë i not giving a f.ck” nga Mark Manson

Në këtë guidë për zhvillimin personal, një bloger shumë i njohur na tregon se çelësi për të qenë më të lumtur, është të mos përpiqemi të jemi gjithë kohën “pozitivë”, por të përmirësohemi në përballimin e vështirësive.

Manson argumenton se përmirësimi i jetës nuk varet nga aftësia jonë për të bërë limonadë nga limonët, por të mësojmë si të tresim më mirë limonët.

Qeniet njerëzore kanë të meta dhe kufizime – siç shkruan ai: “Jo të gjithë mund të jenë të jashtëzakonshëm; – në shoqërinë tonë ka fitues e humbës dhe pjesërisht, kjo nuk është as e drejtë dhe as faji yt”.

Manson na këshillon të mësojmë kufizimet tona dhe t’i pranojmë ato. Ai thotë se ky është burimi i vërtetë i forcës. Kur përqafojmë frikën, fajet dhe pasiguritë tona – kur nuk u largohemi dhe nuk u shmangemi të vërtetave të dhimbshme, por përballemi me to – mund të gjejmë guximin dhe vetëbesimin, të cilat i kërkojmë me aq dëshpërim. “Në jetë kemi një numër të caktuar gjërash për të cilat mund ta çajmë trapin. Ndaj, duhet t’i zgjedhim me mençuri”.

Manson sjell një diskutim të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, të mbushur me histori argëtuese dhe me një humor profan e të pamëshirshëm. Ky manifest është një shuplakë rifreskuese për të gjithë, në mënyrë që të nisim një jetë më të kënaqshme dhe më me këmbë në tokë.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *