10 vellimet poetike qe rekomandojme per lexim gjate vitit 2022

Blogu Leximtari ka bërë një përzgjedhje të autorëve të rinj që lëvrojnë vargun shqip gjatë kohëve të fundit. Mes botimeve që janë në qarkullim, ne rekomandojmë librat e Shqiponja Axhamit, Shqiptar Oseku, Alban Tufa, Elma Rama, Ilir Hysi, Nikoll Loka, Ardita Jatru, Ervina Halili, Ardiatike Lami dhe Meti Disha

Foto ilustruese

Ditën Botërore të Poezisë, më 21 mars, blogu Leximtari ka bërë një përzgjedhje të autorëve shqiptarë që lëvrojnë poezinë, të cilët janë listuar për t’i rekomanduar gjatë vitit 2022.

Shumica e këtyre autorëve nuk janë mes emrave të njohur të poezisë bashkëkohore, por, një zgjedhje e tillë është bërë bazuar mbi prurjet e tyre, receptimin e deritanishëm nga lexuesit, reagimi i kritikës së specializuar, por edhe mbi bazën e të dhënave që na ofron platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al.

Kjo listë ka përmasën e saj subjektive si dhe është e ndikuar nga mundësia e të pasurit stok nga botuesit. Duke qenë të vetëdijshëm se çdo vit del një numër i lartë botimesh në fushën e poezisë, kjo përzgjedhje është e fokusuar kryesisht me synimin për të promovuar poezinë dhe për të nxitur leximin e autorëve shqiptarë.

Më poshtë, po ndajmë me ju 10 vëllimet e përzgjedhura, të cilat i gjeni online edhe tek platforma online, Bukinist.al

“Këngë për brezin tim” nga Shqiponja Axhami Trota

Shqiponja Axhami është tashmë ndër emrat më të spikatur të brezit të saj në lëvrimin e poezisë. Me disa vëllime poetike para lexuesit, konstatohet një rritje e cilësisë në përpunimin e figuracionit poetik. Vëllimi më i fundit “Këngë për brezin tim” është veçuar dhe na ka nxitur ta listojmë mes 10 botimeve të këtij zhanri që rekomandojmë për lexim gjatë vitit.

“Liria” nga Shqiptar Oseku

Përmbledhja e poezive “#Liria~a(f.)” është një eksplorim poetik i konceptit të lirisë në botën post-faktuale. Me pikënisje nga thurrje digjitale të kohës, ku liria është zgjedhje, Shqiptar Oseku i ndjek lakimet e kësaj fjale nëpër trajta dhe gjini të gjuhës. Ky kërkim introspektiv i tij i flet edhe lexuesit, pse disa zgjedhje janë të shkruara me një ngjyrë më të qëndrueshme.

“Një mbrëmje si mbrëmë” nga Alban Tufa

Alban Tufa vjen para lexuesit me një përmbledhje poetike, duke artikuluar një individualitet në lëndën dhe ndjesitë që përcjell, në përdorimin e mjeteve poetike dhe në fuqinë komunikuese që ka për të ndërvepruar me lexuesit

“Trishtimi i ullirit” nga Elma Rama

Elma Rama vjen me vëllimin e ri me poezi, “Trishtimi i ullirit” pas tre vëllimeve të mëparshme: “Sytë e kanë fajin”, “Kontrast” dhe “Ku është njeriu”, – ku libri i fundit shënon një tjetër nivel të lartë artistik në përdorimin e teknikave poetike, ndjeshmëri dhe perceptim të thellë të realitetit. Elma Rama është në kërkim të përhershëm të fjalës së zgjedhur, të fuqisë së ritmit, i cili përcjell ritmin e valëve të detit dhe ndikimin tingullor dhe në imazh në poezinë e saj.

“Sonete drite” nga Ilir Hysi

Shtëpia botuese Poeteka sjell një vëllim me poezi të autorit Ilir Hysi, i cili si pakkush në ditët tona lëvron sonetin. Jeta e Tiranës, njerëzit, objektet, largimet dhe reflektimet në kohë sendërtohen përmes sonetit me gjithë brishtësinë, dramën dhe forcën e brendshme.

“Tango në prill” nga Adriatike Lami

Adriatike Lami vjen me një vëllim të ri me poezi “Tango në prill”, duke kulmuar arritjet e saja poetike, duke shënuar përsosje të teknikave poetike, dhe duke rrokur një botë plot pasione, energji, harmoni dhe muzikalitet.

“Nuk janë sytë e mi” nga Ervina Halili

Këto poezi gjallojnë në një realitet letrar mes shpirtërores, onirikes si dhe një tradite metafizike tradicionaliste, duke krijuar marrëdhënie me një tjetër konceptim të botës, më të shtyrë dhe parak. Janë pikërisht poezi si “Kanga e ujit” ato që nëpërmjet një figurativizmi tjetër, ftojnë drejt një kujtese e inteligjence universale të qarkulluar pafundësisht, e quajtur ndryshe dhe “rikthimi i përjetshëm i së njëjtës”.

“Ishulli i fjalëve” nga Nikollë Loka

Nuk është e rastësishme ardhja e autorit Nikollë Loka me këtë vëllim të ri poetik. Poeti që mediton dhe ndjen në përjetime të çastit a të qëllimit, vjen momenti kur dëgjon vetveten t’i flasë e ta shtyjë drejt vendimit finalizues për t’ia komunikuar lexuesit. Kjo shtysë është fundamentale për çdo shpirt poetik, pasi krijuesi dhe libri i tij janë të dyzuar si të ishin një.

Procesi i krijimit të Nikollë Lokës i ngjan një rrjedhe të natyrshme lirike, e cila në pamje të parë duket e qetë dhe e shpenguar por në secilin lexim dhe rilexim të detyron të kapësh një tjetër mbi ose nënkuptim.

“As terr, as dritë” nga Ardita Jatru

Ardita Jatru është një poete që ka fuqinë e vargut për të adresuar sfidat më të mprehta të shoqërisë tonë dhe te realitetit shqiptar, përmes teknikave poetike të arrira dhe mesazheve të forta antikonformiste, të cilat vijnë përmes ideve si element estetik i poezisë së saj.

“Të mjafueshmeve me gjëra të vogla” nga Meti Disha

Në poezinë e Meti Dishës, si pakkush gjendet një përmasë e pazakontë spirituale, – për shkak të botës së brendshme dhe fuqisë reflektuese. Për të, poezia ka një mision jo thjeshtë të vargëzojë me mjeshtrinë e figuracionit poetik por edhe të zbulojë plagë, të nxjerrë kujtime dhe të reflektojë mbi lindjen, vdekjen apo besimin e individit.

Të gjitha vëllimet poetike i gjeni online tek Bukinist.al

Gjatë muajit mars, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë, të gjitha vëllimet poetike janë në ofertë të veçantë për lexuesit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *