Nje liber qe te kurdis akrepat e zemres

Përshtypje rreth romanit “Loja e engjëllit” të Carlos Ruiz Zafón, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Dituria

“Inspirimi nuk vjen kurrë, ai nuk vjen në kohë të boshta, kur dëgjoj njerëz që thonë se inspirimi i godet…si të ishte kamion a diçka tjetër; mua nuk më ka ndodhur kurrë. Frymëzimi vjen kur vendosni bërrylat në tavolinë dhe djersisni. Zgjidhni një temë, një ide dhe shtrydhni trurin tuaj derisa të gjendet diçka, e luftoni kundër limiteve. Ky quhet frymëzim.” Carlos Ruiz Zafon

Lorena Gjaçi*

Zgjedh, të perzgjedh, e të nis këtë shkrim me një peshë të madhe mbi supe dhe këtë herë në dakordësi të plote me pararendjen; ashtu dhe unë jam këtu, mbi këtë letër të bardhë e të përsosur, e paprekur nga vallëzimet gërvishtëse të lapsit të hirtë, e së cilës do t’i rrëfej tashmë mjerimin, klithmat, flakët e mbi të gjitha Barcelonën zafoniane.

Do ta zhubros, jo sepse është fajtore, por kështu ajo do të mund të mësojë se si njerëzit vuajnë e flaken, goditen, thyhen dhe jo rrallë robotizohen nga djaj tokësorë në lojëra të pista e vetësakrifikohen si të ishte një rregull periodik i vetë jetës. Do ta gris e do bashkoj copëzat, ashtu si Davidi, Kristina e Izabela nuk mundën, e do t’i qep një buzëqeshje të pajetë për të gjithë frikërat e humbëtiren që Koreli shkaktoi, e për të gjithë lumturinë që u mohoi.

Më pas do të ngre një dolli për gjithë iluzionet që më bënë të ndiej ëmbëlsinë derisa arrita në gllënjkën e fundit, atë më të hidhurën…për David Martinin, nga i cili kuptova sa i pafaj është një shpirt i butë që jeta e flak tutje, i grabit shpirtin, i shkul zemrën e i ofron përjetësinë pasi i ka vjedhur arsyetimin, ajo e copëton dhe e çon atë në iluzione fantazmagorike…

Pas çdo vepre fshihet një shkrimtar, i cili i dhuroi e i dedikoi veten shkrimit të librave e në këtë rast ajo që dua të cek nuk është vetëm një vepër; është tërësia e veprave që iu dha fundi i një epoke. Në arsyetimin tim, shkrimi i tyre është trishtim “lumturesk” për vetë faktin se rrëfehet mjerim e humbëtirë, por që i ofrojnë lexuesit një jetë të dyfishtë midis faqeve e duke arritur këtë, në mënyrë të pashmangshme është arritur lumturia e lexuesit.

Megjithatë, më specifikisht dua të ndalem në vëllimin e dytë të sagës “Varreza e librave të harruar“, “Loja e engjëllit“.

Loja e engjëllit” është nga ata libra…ndjesë, është i vetmi libër ndër mijëra vepra që me leximin e tij do t’u pushtojë qënien e do t’ju rrëmbejë kohën duke ju kurdisur akrepat e zemrës. E kjo nuk është një gënjeshtër; është një rrëfim esencial nga një lexuese gjimnaziste, në një sintetizim modest, – ndoshta aspak bindës për ju, – sigurisht as nga ndonjë krtike letrare.

Unë nuk dëshiroj t’ju bind. Unë e ndiej të nevojshme t’ju drejtoj në mbushjen e shpirtit të të gjithë atyre që dashurojnë librat; unë nuk jam një vjedhëse e kohës, por në një aspekt më figurativ, unë mund të jem udhëtarja e kohës që ju udhëzon drejt asaj që jeni të destinuar të bëni. Për të gjithë ata që e duan misterin, thriller-in dhe të gjithë ata që kërkojnë gjurmimin e vërtetësisë ndër gërma…

Në këndvështrimin tim, një palimpsest zafonian, në pikëpamjen letrare nuk mund te krijohet. I trishtueshëm fakti se pena e tij është e varrosur bashkë me të…

Postum

Nuk më ndodh të trishtohem kaq shumë për dikë që nuk e kam njohur realisht por që kaq shumë shpirtërisht. Nuk më ka ndodhur të lexoj një penë kaq të jashtëzakonshme: Zafón është kaq i papërsëritshëm. Më duket e drejtë t’i kushtoj një paragraf të sinqertë këtij shkrimtari brilant që iu përkushtua dhe i dhuroi botës librat më të mirë të të gjitha kohërave dhe na bëri shoqëri çdo herë që hidhnim sytë mbi faqe e jetonim Barcelonën bashkë me të, pa e lëshuar librin derisa hëna na braktiste e i linte radhën diellit.

Ironia qëndron; Zafón luajti bukur sërish, ashtu si në veprën e tij “Loja e engjellit“.                       

Kaq bukuri në mjerim; kaq dritë në errësirë; buzëqeshje djajsh dhe shpirtra të humbur.

Gjithmonë mendoja para publikimit të librit përmbyllës të sagës së “Varrezës së Librave të Harruar” se çfarë ishte vërtetë labirinti i shpirtrave dhe tani e kuptoj se ai ishe ti; ti fitove denjësisht çdo lexues. Beteja jote nuk është e humbur sepse ti le shpirtin tënd për të fituar mijëra të tillë!  

Zafón, shkrimtari i admiruar botërisht, shuhet kaq shpejt, e kaq veshtirë që mbarë lexuesit e tij t’i japin këtë lamtumirë të trishtë, ku shumë lexues, si edhe unë, dëshironim ta njihnim një ditë, qoftë dhe për një autograf mbi kryeveprat e shkruara aq mjeshtërisht. Megjithatë, ai na mësoi dhe shkroi për të na zbukuruar realitetin; për të na dhënë një këndvështrim më të qartë e për të na njohur me zhanrin dhe botën që shumë shpejt u bë streha e vetmisë, skuta e shpirtit tonë, e vetmja qetësi rrënqethëse. Zafón na rrënqeth sërish me lamtumirën e tij.

Unë nuk synoj fitoren. Unë dëshiroj të lë gjurmën time sadopak amatore, për një vlerë të letërsisë botërore, e cila nuk duhet humbur nga asnjë leximtar.

*Lorena Gjaçi është nxënëse e klasës së XII, në shkollën Tomorr Sinani, në qytetin e Cërrikut.

Me këtë përshtypje autorja fitoi vendin e dytë në konkursin “Jam libër”, të organizuar nga Bukinist dhe COD, në garën mes nxënësve të shkollave të mesme.

Librat e Carlos Ruiz Zafon i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *