Kontributi i tij në fushën e prozës, dramës dhe përkthimeve. Ardhja në shqip e romaneve të James Joyce dhe roli i tij si studiues
Kastriot Kotoni
Idlir Azizaj, – shkrimtar, përkthyes, dramaturg dhe gazetar, – është nga të paktët shqiptarë, i cili megjithëse jeton jashtë Shqipërisë, në Francë, lidhjet shpirtërore me hapësirën mbarëshqiptare i mban të lidhura nëpërmjet veprave të tij në gjini të ndryshme, siç janë: “Shekspirotët”, “Terxhumani”, “Ti doje të shkruaje një Fugë”, apo përmes përkthimit të Samuel Beckett “Imazhi dhe proza të tjera”.
Po ashtu, përkthim të autorit Bill Viola me titull “Arti si përvojë shpirtërore”; në dramaturgji, me veprat “Medea, arti i egzilit” në tre gjuhë: Shqip, frëngjisht dhe gjermanisht dhe “Armiku i Popullit pa emër”.
Idlir Azizaj, si një eksperimentues i shumë zhanreve letrare, u fut në vorbullën letrare nga vitet 1991 e deri më sot në shtypin e përditshëm dhe në revistat letrare të kohës. Kryeredaktor dhe redaktor në shumë media; gjithashtu, drejtues e redaktor i shtëpive botuese shqiptare.
Nga kjo përvojë e pasur e tij u shpërfaq edhe talenti i përkthyesit, si njohës i gjuhëve të huaja nga ku dolën veprat: “Uliksi” dhe “Dublinasit” të James Joyce. E përfundoi këtë përkthim të Joyce për shtatë vjet dhe falë këtij përkthimi shumë serioz ai përfitoi të drejtën e shkollimit në Amerikë për letërsinë amerikane dhe angleze.
Në vitin 2006 merr titullin Master në Filozofi në Universitetin Paris 8 me punimin “Uliksi, gramafoni që këndon heshtjen”. Ai e përjetoi me një ndjenjë të jashtëzakonshme jetën dhe veprën e Joyce. Idlir Azizaj i preku gjithçka nga jeta e këtij shkrimtari të madh i cili i dha emër Irlandës. Azizaj qëndroi në Dublin, në baret e pub-et ku kishte qëndruar Joyce dhe vizitoj padyshim edhe shtëpinë e tij. Kjo ngjarje në jetën e tij ka ngelur e pashlyer, por edhe ngelet si një rast i rrallë për çdo përkthyes të nivelit botëror.
Irlanda ishte një vend që e kish kthyer në pelegrinazh të përvitshëm aktivitetin në përkujtim të shkrimtarëve irlandezë dhe përkthyesit e tyre mblidheshin nga e gjithë bota, shembull ky se si investojnë vendet e vogla tek kultura.
Në veprat shqiptare të Idlir Azizaj kemi shkrimtarin më unikal shqiptar i cili e shpreh unin e tij letrar nëpërmjet një përzierje stilesh; sa të realizmit ironik, aq edhe të protestës satirike, po aq dramatike me shumë kontraste dhe imazhe, sa minimaliste në një botë makrokozmike, tejkqyrja e tij herë fotografon realitetin me lupën e vogël për së prapthi dhe herë e rotullon atë për të përfituar forma irracionale.
Ka shenjën e “Deridas”, filozof të fjalës, dhe shpesh ndërfut alegori shumë të njohura nga folklori ynë i pasur e gjendje intuitive krejt absurde e paradoksale në një areal kulturor multikulturor. I ndikuar patjetër nga letërsia anglosaksone, Azizaj, si askush tjetër, e ka përpirë këtë letërsi, por edhe kjo letërsi i ka shërbyer atij në rikrijimin e personalitetit të tij.
Ai tashmë kupton se lëmija letrare shqiptare ka nevojë për emancipim dhe stile të reja ligjërimi. Një botë e re përpara tij shfaqet e si do ta përballojë lexuesi shqiptar këtë risi ishin e janë dilemat e tij. Me guxim dhe përpjekje titanike falë Azizajt kemi këto vepra që kemi cituar më lart e që përbëjnë për shekullin e ri një sprovë të një brezi të ri letrarësh, të cilët kanë përballë një lexues shumë të hapur ndaj botës dhe njëkohësisht në pritje të një prurjeje origjinale.
Idliri është një dramaturg i cili nuk ka vajtur në një derë të panjohur të dramaturgjisë, por ai ndjehet si në shtëpinë e tij dhe dramat e shkruara prej tij kanë ashtën shqiptare shumë të fortë. Dramat e tij i flasin realitetit shqiptar pa përcaktim urban apo krahinor, ato ngrenë shqetësimin për fatin e tyre dhe janë drama të angazhuara, sepse ato flasin dhe politikisht e me metaforë të fuqishme për të drejtat e liritë e premtuara. Antiheroi është filozofia në dramën ‘Armiku i popullit pa emër”.
Në letërsinë shqipe ky fenomen letrar është, sa i rrallë si lëvrim, por edhe një risi, sepse në shumicën e veprave letrare shqiptare e sidomos në dramaturgji kemi më shumë prurje eufemike dhe kritike ca më pak.
Tek drama “Medea, arti i egzilit” kemi artin autoironik, i cili në gojën e aktores dëshirplotë për të rrëmbyer një rol e përsëri egzile do ngeleshin. Siç shprehet autori i dramës, – Ne jemi të padukshëm aq sa jemi dhe të pashmangshëm. E kështu ecim nëpër natë. Janë popuj që çmitizojnë historinë apo historinë e ribëjnë, se dikush ua ka marrë. Këto dilemma kërkon të zgjidhë kjo vepër dramaturgjike.
Në monolog ka intertekste me cikle, herë nga mitologjia, herë nga kronosi historik dhe herë nga erudicioni i pafund njerëzor, ku në një tekst kaq të shkurtër janë hedhur kaq shumë pickama të ndërgjegjes morale e jo më ta shterosh enigmën e begatisë së jetës. Regjizori Alban Beqiraj ka ditur ta verë në skenë këtë vepër si në Kosovë dhe Austri. Alban Beqiraj, i lauruar në Austri për regji, padyshim që tek drama e Idlirit ka gjetur diçka përtej dramës shqiptare si gjuhë e stil, por edhe për mesazhin e thellë filozofik dhe emocional të saj.
Drama ka veprim të brendshëm psikologjik e shpërthen në emocione të forta sa herë që vetëdija e nënshtron pasionin. Teksti është bërë për aktor shumplanësh dhe me një kulturë mbi mesataren. Ka stil postmodern si edhe një metaforë katarsisis në gjithë qënien shqiptare e kjo i jep veprës statusin e vet novator.
“Shekspiriotët” është novelë dramatike, ndër të rrallat në letërsinë shqipe e cila ka hedhur hapin e parë të letërsisë bashkëkore ku personazhet e ardhur nga periferia në qendër të veprës bëhen sa dramatikë dhe komikë. Kalimet nga një situatë në tjetrën vijnë natyrshëm dhe ndërveprimi është në fuksion të zbërthimit të personazheve dhe përcjellin mes komunikimit të tyre absurd një shenjë të re në letërsinë shqipe, siç e ka konceptuar shkrimtari: Të famshëm e mediatik mund të bëjnë pa qënë askushi. Por, etja për të gjetur ngjarje (skupe) dhe mbulimi i ngjarjes i së vërtetës apo manipulimi i opinionit publik, si në rastin e shpërthimit të Gërdecit, janë dëshmi të një regjimi antidemokratik.
Azizaj denoncon çdo metodë të përpunimit të trurit e ardhur nga ekstremi i majtë dhe ekstremi i djathtë. Në këtë libër shikon një larmi dialogjesh të zëshme e të pazëshme, të shprehura nëpërmjet gjuhës së imazhit me kolorit e një gjuhë të mprehtë therrëse e ku nuk mungojnë si gjithmonë ironia dhe satira të cilat krijojnë edhe metatekstin.
Metodë fotografimi, pa diskutim që duket, sepse autori e ka mbërthyer realitetin prej brirësh dhe çdo detaj ka hapësirën e vet dhe krijon kontraste dhe figurativisht dhe ngjarja më e zezë ka nevojë për kostumin e saj dhe këtu ia ka arritur me sukses Idlir Azizaj. Me këtë vepër, ai ka fituar çmimin letrar të Ministrisë së Kulturës në vitin 2016.
“Terxhumani”, nga vetë fjala e përkthyer, si përkthyes i gjendur në një realitet emocional të një vendi të vogël në punën e vet si përkthyes ndaj një personaliteti të gazetarisë botërore, ai gjendet papritur në mes të tifozëve të kombëtares. Detaj i prekshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm në shikim të parë. Këtu shkrimtari krijon antifabulën e tij për kombin, qytetarin dhe shtetarin e Shqipërisë. Fitorja e një ndeshjeje futbolli natyrisht përbën ngjarje e nuk ka pse të kalojë aq lehtë, por nesër fitorja harrohet dhe hallet e shqiptarëve janë po ato, në mos i janë shtuar.
Kërkimi vetvetes si qytetar i këtij vendi është plani i parë i këtij romani e zhvillimi i ngjarjeve kaplon në histori sistemesh dhe hapësira lirie ku në dialogun me të huajin më tepër dalin anët pozitive, se ashtu do t’i duhej të ishte përkthyesit e nga ndërgjegja e tij fjalët nuk po i dilnin me dëshirë. Situata me detaje të thjeshta njerëzore, por të shprehura me shumë figura letrare e me një pasuri dikotomike si askund tjetër.
Samuel Beckett “Imazhi dhe proza të tjera”, përkthyer nga Idlir Azizaj, është një tjetër ngjarje në letrat shqipe. Anforat e kanë vlerën e tyre kur i shohim më mirë në det apo në akuarium artificial, apo në muze?
Kështu, do t’i krahasoja këto tregime të Samuel Becket të përkthyera me mjeshtri nga gjuha franceze nga Idlir Azizaj. Përkthyesit i është dashur ta krahasojë tekstin edhe në gjuhën angleze për të qenë sa më afër gjuhës së autorit dhe për faktin, se ky autor është tejet i vështirë për t’u përthyer ku për çdo tregim ka një imazh sikur të bëhej fjalë për një vepër tredimensionale ose aplikacion videoprojektorësh në artet figurative.
Kjo tregon forcën e fjalës, se sa e aftë është ajo të na paraqesë nëpërmjet përshkrimeve me plotë finesë dhe stil modern një gjuhë simbolesh të cilat krijojnë gjendje emocionale tek lexuesi krejt të re dhe i përfitimit të një hapësire të pafund imagjinate.
Një lexim i përqendruar është edhe një shkollë e re për të lexuar letërsi ndryshe. Sendet, natyra dhe njeriu komunikojnë në fuksion të idesë që autori ka dashur të na japë. Njeriu është qenie komunikative dhe aspiron humanizmin më të lartë, por ai është edhe viktimë e njohjes dhe mosnjohjes së botës që e rrethon dhe e ndalon ai imagjinatën e tij? Ky tis filozofik e përshkon veprën e Beckett-it.
Nënvetëdija njerëzore ka vrimat e veta të zeza, ndaj dhe Beckett nuk ia fsheh lexuesit, por stili dhe teknika me të cilat shprehet autori janë krejt origjinale të tijat, ndaj edhe lexuesi shqiptar ka guxuar ta shijojë këtë lloj të veçantë letërsie e cila duam apo s’duam e ka parë emrin e përkthyesit Idlir Azizaj si një garanci më të madhe.
“Ti doje të shkruaje një fugë” është një tjetër vepër në prozë: Edhe në këtë narrativë filozofike, shkrimtari Idlir Azizaj ka ditur të manifestojë nëpërmjet gjuhës së tij alegorike një shqetësim shoqëror e intelektual, se çdo bëjë kjo shoqëria jonë, nëse nuk diskutohet për konceptet filozofike e psikologjike e sociologjike, historike e kulturore.
Azizaj ironizon personazhe nga bota akademike me plotë doktoratura e tituj shkencorë të cilët sillen si kali në lëm e asnjeherë nuk dalin përpara opinionit publik e të hapin një debat për shoqërinë në të gjitha fushat. Si asnjë shkrimtar tjetër në këtë libër, një personazh i cili është bërë më i famshëm se aktorët e telenovelave turke a meksikane tek është mishëruar figura e një profesori pragmatist dhe për teori të tijën ka ëndje filozofike teorinë e ambiguitetit.
Kjo formë mediatike e këtij personazhi i ka sjellë shoqërisë pasoja dhe në çështje madhore që kalon vendi, ai asnjëherë nuk është prononcuar, i vetëharruar dhe flet “si gjeli majë plehut” për tema periferike. Idliri nuk e ndan personazhin nga shoqëria dhe ambientet intelektuale, ku abitati ku kultivohen intelektualët e rinj është për të qarë hallin.
Çdo bëhet më të ardhmen e kësaj rinie, shtron pyetjen autori: Tirana e këtij dhjetëvjeçari është përshkruar me një grotesk të paanë, sepse i tillë është post-tranzicioni, – shkruan Azizaj. Sy më sy me profesorin që kërkon një bombë, po për çfarë e kërkon ky professor një bombë, apo siç thotë kultura e tij perëndimore, çdo gjë ka ardhur nga vdekja e jo nga jeta. Azizaj derdh protestën ndaj vegjetatimt intelektual si fenomen që e vë në gjumë shoqërinë.
“Arti si përvojë shpirtërore” i Bill Viola, përkthim i Idlir Azizaj. Kumti artistik i Bill Violas i ardhur me mjeshtri nga Idliri për këdo që do ta lexojë këtë libër, që për nga vlerat do kapi sado pak një botë të re nga artet e reja të teknologjisë së video-imazhit (instalacioni).
Billi si një artist krijues nga më të mirët në botë të fushës së imazhit thotë ndër të tjera, se për të arritur gjer në ato maja i kam besuar vetes me mijëra faqe librash. Kam krijuar perceptime nga simbolika imazhesh të cilat i kam konservuar në tru si eksperienca nga jeta e leximet. Eksperimentime me kamera dhe vizionime me shpejtësi të ndryshme të montuara për një fabul disa minutëshe.
Mënyra se si arrihet tek imazhet janë, aq sa pjesë e fantazisë, po aq edhe pjesë e perceptimit, se pse instalacioni e kundërshton të vërtën e televizioneve. Billi pret nga spektatori që ai t’i futet kërkimit të kuptimit(signification) dhe misterit. I mbetet vizitorit të udhëtojë në lëvizje ose në zhvendosje të imazhit e të përceptojë artin sipas shijes së tij. Dikur Henry James ka shkruar se arti letrar krijon jetë, krijon interes, krijon rëndësi. Pikërisht edhe në veprën e shkruar dhe të përkthyer nga Idlir Azizaj i gjejmë këto vlera.
Artikulli është marrë nga faqja e autorit të shkrimit
Librat e Idlir Azizajt i gjeni online tek Bukinist.al