Qendra tregtare TEG dhe Bukinist.al organizojnë gjatë periudhës 5 – 16 tetor 2022 panairin e madh të librit, me oferta që shkojnë deri në -50%: Prezantimi i librave të rinj, promovimet e botimeve të Dritëro Agollit, Tom Kukës, Colleen Hoover-it, setin me 3 libra të Robert Kiyosakit për financat personale, ndarjen e emocioneve për Nobelin e letërsisë së vitit 2022, mini-konkurse, lojëra dhe sfida leximi…..
Albert Gjoka*
Tashmë, Book Fest është kthyer në një traditë të bukur librore: Edhe këtë vit, qendra më e madhe tregtare në Shqipëri, TEG dhe platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al sjellin për lexuesit një nga panairet më të suksesshme në fushën e botimeve. Ky event hapet ditën e mërkurë, më 5 tetor 2022 dhe do të qëndrojë në pritje të lexuesve deri më datë 16 tetor 2022.
“Book Fest” është një ndër aktivitetet që sjell të ardhura të larta nga shitja e botimeve të ekspozuara në mjediset e këtij panairi, prandaj organizatorët kanë marrë përgjegjësinë dhe kanë ndarë filozofinë e promovimit të librit dhe leximit në të gjitha hapësirat ku jetojmë dhe punojmë, përfshirë edhe në mjediset e biznesit, duke krijuar edhe kulturën e uljeve të librave për lexuesit dhe vizitorët e qendrës tregtare TEG.
Në këtë festë librore ne sjellim ofertat tona ekskluzive, të cilat shkojnë deri në -50%. Këtu është vendi për të falënderuar përzemërsisht ata botues që i janë përgjigj pozitivisht kërkesës tonë për t’iu bërë këto dhurata fantastike lexuesve të çdo grup-moshe që do të vijnë në TEG gjatë kësaj periudhe. Ofertat janë të përgatitura enkas, sipas autorëve të njohur, për kategori librash të ndryshme si zhanret e romanit, libri i biznesit, zhvillimi personal, biografitë, libra historie, etj., dhe për libra të grup-moshave 0-12 vjeç, duke nisur që nga botimet e para ABC.
Gjatë këtyre ditëve të tetorit ne do të ndajmë bashkërisht edhe emocionet e shpalljes së fituesit të Nobelit për Letërsinë për vitin 2022, ku ne kemi organizuar edhe një stendë me të gjithë nobelistët që janë përkthyer në gjuhën shqipe. Më datën 6 tetor, në orën 13.30 do të mësojmë edhe nobelistin e vitit 2022.
Këtë vit kujtojmë edhe 91-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më të njohur të letrave bashkëkohore shqipe. Po ashtu, do të kemi në fokus edhe librat e Tom Kukës, fituesi i Çmimit Europian të Letërsisë për vitin e kaluar.
Mes autorëve të përzgjedhur në Book Fest do të jenë edhe Colleen Hoover, e cila do të ketë një stende me libra në shqip dhe gjuhën angleze në mjediset e Panairit. Për herë të parë, vjen i plotë në paketë edhe Robert Kiyosaki, mentori i shkëlyer i financave personale, me një ribotim special të serisë “Babai i pasur, babai i varfër”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Argeta LMG.
Autorë, përkthyes dhe botues i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë që të ndajnë me ne titujt e rinj, të informojnë lexuesit dhe të promovojmë këto botime të cilat kanë vijuar, duke sfiduar vështirësitë që ka sjellë pandemia.
Në stendat tonë këtë vit do të ketë edhe libra në gjuhën angleze, kryesisht botime në fushën e biznesit, motivimit apo libra të rinj.
As kësaj radhe nuk do të mungojnë mini-konkurset, quizet, sfidat e leximit dhe lojëra të tjera në rrjetet tona sociale.
Këtë herë, të gjitha ofertat e “Book Fest” do të jenë edhe online, tek Bukinist.al gjatë periudhës 5 – 16 tetor 2022 për të gjithë ata lexues që ndodhen në rrethe apo bashkëatdhetarëve tanë jashtë Shqipërisë, dhe mund të përfitojnë duke porositur libra tek Bukinist.al. Uljet e përgatitura sipas kategorive, autorëve apo librat e veçantë do ti gjeni në një faqe të dedikuar për “Book Fest” edhe online.
Festën e bëjnë lexuesit, ndërsa ne jemi këtu, me të gjitha ofertat, ngjarjet dhe promovimet: Aty ku janë lexuesit. Dhe, së bashku me lexuesit, ne të gjithë kemi vendosur që ta bëjmë hapësirën e TEG një mjedis magjik me librat dhe lexuesit tanë që do të vizitojnë qendrën tregtare përgjatë periudhës 5 – 12 tetor 2022.
Autori është menaxher i Bukinist.al