10 librat me te shitur ne Book Fest

Platforma më e madhe online e librit, Bukinist.al dhe TEG përfunduan festën e librit. Rritje interesi nga vizitorë dhe të rinjtë në mjediset e qendrës tregtare: Colleen Hoover dhe Robert Kiysaki ndër autorët më të pëlqyer. Rikthim tek klasikët… Ja 10 më të kërkuarit

Mbyllet me sukses panairi “Book Fest”, i zhvilluar gjatë periudhës 5 – 16 tetor 2022. Organizatorët e këtij aktiviteti, Bukinist.al dhe qendra tregtare TEG bëjnë të ditur se “Book Fest” është ngjarja më e madhe në tregun e librit pas panairit të përvitshëm të librit që zhvillohet në muajin nëntor.

Në mbyllje të kësaj feste librore, platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka ndarë të dhëna për librat më të kërkuar. Sipas menaxherit, Albert Gjoka, “Book Fest” është kthyer në traditë, sepse shënoi vitin e katërt, por ky vit shënoi rritje të konsiderueshme të vizitorëve dhe të lexuesve.

Bazuar mbi shitjet, vihet re se lexuesi shqiptarë ka thuajse të njëjtat shije me lexuesit perëndimor. E konsideruar tashmë si “mbretëresha e bestseller-it” në tregun amerikan, edhe në Shqipëri, Colleen Hoover ka fituar zemrat e lexuesve, kryesisht të rinjve. Shtëpia botuese “Living” ka sjellë në shqip gjashtë romane, por “Mbaron me ne”, “Kujtimet e tij” dhe “Dashuri e shëmtuar” ishin mes 20 titujve më të shitur të “Book Fest”.

Interes të jashtëzakonshëm ngjalli edhe ribotimi i librave të Robert Kiyosakit, pjesë të serisë së edukimit të financave personale “Babai i pasur, babai i varfër”, ku krahas dy vëllimeve, erdhi së fundi edhe libri “Babai i pasur, babai i varfër për adoleshentë”. Këto tre botime janë hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Argeta LMG”.

Librat e biznesit dhe zhvillimit personal edhe në këtë panair patën kërkesë të lartë. “Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” i biznesmenit, filantropit dhe trajnerit Vasil Naçi mbetet ndër zgjidhjet e vetme për njerëzit që duan të zhvillojnë biznesin e tyre. Robert Green me librat e tij, dhe veçanërisht me botimin “48 ligjet e pushtetit” ka tërhequr vëmendjen e lexuesve përgjatë kësaj periudhe.

Një tjetër fenomen pozitiv është rikthimi i lexuesve tek klasikët, ku kësaj radhe pati rritje të kërkesës për autorë si George Orwell, Fjodor Dostojevski apo Franz Kafka. Gjatë ditëve të “Book Fest” ne pritëm shpalljen e fituesit të çmimit Nobel për vitin 2022, ku kësaj radhe trofeun e rrëmbeu autorja franceze Annie Ernaux. Tre librat e saj, “Vendi i babait”, “Pasion i thjeshtë” dhe “Kujtime vajze”, – hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Dudaj, – ishin ndër titujt më të kërkuar në këtë panair. Saga “Vila e pëlhurave” i Anne Jacobs është mes 10 librave më të pëlqyer. “Kësaj radhe, ne kemi fituar lexuesit në moshë të re”, – thotë menaxheri Gjoka.

Më poshtë po ndajmë me ju 10 librat më të kërkuar të “Book Fest”.

“Babai i pasur, babai i varfër” 1 nga Robert Kiyosaki

Libri më i mirë për financat personale per me shume se dy dekada e gjysem vjen me një botim të ri pas suksesit 25-vjeçar që ka pasur, duke formuar dhe ndihmuar me miliona njerëz që të çlirohen nga prangat e mungesës së parasë. Në këtë botim të ri kemi 9 kapituj sesionesh studimi që ju udhëzojnë gjatë kohës që lexoni, ri-lexoni, diskutoni dhe studioni këtë libër me miqtë dhe familjen tuaj.

“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nga Vasil Naçi

“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nuk vjen thjeshtë si guidë këshillash, por si një mal përvojash të përjetuara me shumë sfida. Dija dhe informacioni i përftuar në këtë realitet për vlerat e komunikimit vlejnë tejmase për këdo, me fokus të posaçëm sipërmarrjen. Besojmë se ata që janë në kërkim të çelësit të harmonisë dhe të suksesit në jetë, pas leximit të librit do ti jenë mirënjohës autorit. Ne iu garantojmë se fjala e Vasil Naçit ia vlen të dëgjohet; përmes veprës së tij ke ç’të mësosh dhe përfitosh

“1984” nga George Orwell

“1984”, një nga kryeveprat e letërsisë së shek. XX, është lexuar si manifest dhe si profeci njëherazi. Ende te lexuesi i sotshëm vjen si thirrje për të jetuar pa kompromis, por edhe sikur na paralajmëron të vërtetën e ankthshme, se shtetit terrorist që mbjell vdekje është vetëm një hap larg të kthyerit në realitet: Vëllai i Madh tashmë po na vëzhgon!

Me shumë mjeshtëri, George Orwell-i eksploron temat e kontrollit të mass-medias, survejimin e qeverisë, totalitarizmin dhe metodat e një diktatori për të manipuluar dhe kontrolluar historinë, mendimet dhe jetën e njerëzve në mënyrë të atillë që askush nuk i shpëton dot.

“Kujtimet e tij” nga Colleen Hoover

Permes ketij rrefimi vjen historia tronditese e nje nene te re, e cila kerkon te ndertoje nje jete shpresedhenese pertej pengesave qe i ka sjelle jeta. Personazhi i romanit, Kenna duhet të gjejë një mënyrë për të shfajësuar gabimet e së kaluarës së saj në mënyrë që të ndërtojë një të ardhme shpresëdhënëse dhe shëruese. Prandaj ky roman mbetet i pëlqyer sepse boshtëzohet mbi përpjekjen e individit për të sfiduar pengesat e përditshme….

“Kujtime vajze” nga Annie Ernaux

“Kujtime vajze” është një refleksion i fuqishëm mbi shkrimtarinë dhe një epoke thelbësore të ekzistencës, është romani i ndaluar dhe i parrëfyeshëm që autorja e ka ndjekur për tërë jetën. Përmes dritës së fotove të atyre kohëve dhe errësirës së kujtimeve të refuzuara, Annie Ernaux rijeton kohën tranzitore që e transformoi në një grua dhe shkrimtare, duke hetuar mendimet e veta, pritshmëritë, drojën (pa harruar çrregullimet e të ushqyerit dhe ankthet e fertilitetit) e “vajzës së viteve ’58”.

Në këto faqe plot paqeti dhe dhimbjesh të fshehta, plot hove të papërmbajtshme e këngë – “Esperantoja e dashurisë” – është pikërisht turpi i së shkuarës që riprodhon kujtimet, duke u shfaqur kësisoj në një dhuratë të papritur, një armë të mrekullueshme të “përplasjes me realitetin”, që është dhe një nga joshjet më të mëdha të shkrimtarisë së Ernaux.

“48 ligjet e pushtetit” nga Robert Green

Për të gjithë që e duan PUSHTETIN, duan ta kuptojnë PUSHTETIN dhe duan të mbrohen nga PUSHTETI.

“48 ligjet e pushtetit” është studimi më i mirë i pushtetit dhe udhëzues i domosdoshëm i artit bashkëkohor të përfitimit dhe të përdorimit të tij.

Ligjet e pushtetit paraqiten dhe analizohen me thjeshtësi dhe qartësi, kryesisht, nëpërmjet zbatimit të metodave ushtarake, të fitoreve dhe humbjeve; nga historianë të njohur që prej atyre të Aleksandrit të Madh, të mbretëreshës Elisabet të Anglisë, të Napoleonit, të Bismarkut, të Rotshildit, të Kisingerit, të Makiavelit, të Klausevitzit, të Sun Tzusë por dhe të Nikola Teslës, të Galileut, të Mikelanxhelos, të Don Zhuanit dhe të Kazanovës.

“Krim dhe ndëshkim” nga Fjodor M. Dostojevski

Kur e merr romanin “Krim e ndëshkim” në duar për ta lexuar, harron se ku je e çfarë bën. Për ty fillon një jetë tjetër, mahnitëse, e çuditshme, marramendëse! Ti aq sa je me viktimën, je edhe me kriminelin! Çdo hap që hidhet në vepër të rrëmben më tej dhe ti nuk e lëshon dot librin nga dora, derisa të arrish faqen e fundit. Pastaj mbushesh me frymë, I mbytur në djersë. Dhe qesh paksa. Tronditja zhvendoset në një pikë tjetër, sepse tashmë të shoqëron perspektiva e qartë dhe optimizmi. Dhe kushdoqoftë lexuesi, thotë me vete se ka bërë një gjë të madhe që lexoi këtë vepër të fuqishme! Nuk mund të jesh i qetë dhe komod nëse s’ke lexuar “Krim e ndëshkim”.

“Letra Milenës” nga Franz Kafka

Kjo eshte nje veper e natyres epistolare, ku permblidhen letrat qe shkrimtari i shquar Franz Kafka ia dergoi Milenes. Permes tyre shfaqet nje bote plot ndjeshmeri e rrefimtarit te madh te shekullit te XX

“Arsen Lupen kundër Sherlok Holms” nga Maurice Leblanc

Në korrik të vitit 1895, Sherlok Holmsi dhe Dr. Uatsoni marrin një letër nga hajduti legendar francez Arsen Lupen. Lupeni kërcënon të vjedhë pesë nga thesaret me të çmuara të Anglisë me shpresën për të përçmuar “kotësinë” e anglezve dhe lë një enigmë që përmban informacione se cili do të jetë krimi i tij i parë.”

“Vila e pëlhurave” nga Anne Jacobs

Një sagë e jashtëzakonshme plot intriga, dashuri dhe zhvillime të befta, parë nga një këndvështrim i veçantë: ai i shërbyesve të Vilës së Pëlhurave. Kureshtarë, të vëmendshëm, besnikë apo intrigantë, shërbyesit përgjojnë çdo lëvizje të zotërinjve, ua njohin çdo të fshehtë, ëndërrojnë me ta dhe zilepsen pas jetës së tyre farfuritëse

Të gjithë librat i gjeni online tek BUKINIST.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *