Autorët Zija Çela, Natasha Poroçani Shuteriqi, Arbeni Imami dhe përkthesit Romeo Çollaku e Klarita Lagji janë fituesit e çmimeve vjetore të Panairit të 25-të të Librit Tirana 2022. Ja veprat fituese…
Në ditën e tretë të Panairit të 25-të të Librit Tirana 2022 u shpallën fituesit e çmimeve për pesë kategoritë e përzgedhura. Zija Çela, Natasha Poroçani Shuteriqi, Romeo Çollaku, Arben Imami dhe Klarita Lagji janë personalitetet e nderuara me çmime për veprat e tyre apo përkthimet. Juria e ngritur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e përbërë nga Virgjil Muçi, Viola Isufaj, Agim Baçi, Aleksandër Çipa dhe Alina Karaulli bëri vlerësimin e të gjithë prodhimtarisë krijuese që është sjellë nga shtëpitë botuese pjesëmarrëse në Panairin e 25-të të Librit Tirana 2022.
Autori i vitit u shpall Zija Çela me romanin “Banketi i ankesave”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”
Përkthyesi i vitit ishte Romeo Çollaku me librin e shkrimtarit grek Nikos Kazanzaqis, “Varfanjaku i Zotit”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Dukagjini.
Natasha Poroçani Shuteriqi u shpall autorja më e mirë për fëmijë e vitit 2022 me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës”, hedhur në qarkullim nga “Albas”.
Ndërsa ish-politikani Arben Imami, i cili prej shumë kohësh i është kushtuar studimeve në fushën e shkencave politike dhe përkthimit të një kolane filozofike ka botuar së fundi librin librin “Tri format e mendimit – Mitologjia, Racionaliteti, Regjilioni”, hedhur në qarkullim nga UET Press.
Çdo vit në panairin e librit jepet një çmim edhe për përkthyesit nga frëngjishtja nga Ambasada e Republikës së Francës në Shqipëri. Këtë vit u nderua me çmim Klarita Lagji, me romanin “Vendi i babait”, i nobelistes së vitit 2022 Annie Ernaux, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dudaj”.
Më poshtë jepen në mënyrë të detajuar të gjithë librat e autorëve dhe përkthyesve fitues të panairit të librit Tirana 2022, të cilët i gjeni online edhe tek Bukinist.al :
ÇMIMI PËR AUTORIN E VITIT
I jepet tregimtarit dhe romancierit Zija Çela me romanin “Banka e ankesave”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”
Sipas Akademikut dhe shkrimtarit Mehmet Kraja “Romani Banka e Ankesave, ashtu si shumica e romaneve të Zija Çelës, vjen si një alegori e fuqishme, ku shkrihen kontekste dhe referenca të vështira të realitetit jetësor. E këto gjithnjë të shprehura me groteskun e mbindërtuar mjeshtërisht nga autori, duke lënë te lexuesi shijen e këndshme të përjetimit artistik të një rrëfimi pavetor universal”. Sipas tij, “kjo vepër e Zija Çelës mund të jetë subjekt krahasimi me romane që nxisin asociacione të largëta me autorë si Kafka, Oruelli ose Kadare (“Procesi”, “1984”, “Pallati i ëndrrave”), por në arkitekturën e tij dhe në shtresimet metaforike romani “Banka e Ankesave” është po aq origjinal dhe i papërsëritshëm”.
“Romani Banka e Ankesave, ashtu si dhe veprat e mëparshme të Zija Çelës, vjen me njetin e një furtune që do të shkundë përgjumjen e botës shqiptare, të asaj letrare, në radhë të parë. Sepse çdo shkrimtar i kësaj bote, përpara se të mendojë për marrëdhëniet e tij me botën e përditshme, i duhet të zgjidhë ca kontrata që ai vetë ka me kodet estetike”, – shkruan Rudolf Marku.
ÇMIMI PËR LIBRIN MË TË MIRË TË MENDIMIT
I jepet ish-politikanit dhe studiuesit Arben Imami për librin “Tri format e mendimit – Mitologjia, Racionaliteti, Regjilioni”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese UET Press.
Librit “Tri format e mendimit” nga Arben Imami vjen si një ftesë për të menduar rreth utopisë, arsyes, mitit, religjionit, dijes, së vërtetës, marksizmit, politikës, post-modernizmit, hegjemonisë, funksionit dhe thelbit.
Me një pasion të hershëm për filozofinë dhe realizues i një kolane me emrat më përfaqësues të mendimit filozofik, politikani sjell për lexuesin veprën e tij, që prek dhe shtjellon tri forma të mendimit filozofik; mitologjia, racionaliteti dhe religjioni.
ÇMIMI PËR PËRKTHIMIN MË TË MIRË TË VITIT 2022
I jepet përkthyesit Romeo Çollaku për romanin “Varfanjaku i Zotit”, shkruar nga Nikos Kazanxaqis, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Dukagjini në Kosovë.
“Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, sjellë mjeshtërisht në shqip nga Çollaku, është historia e Françeskut të Asizit, shenjtorit të pashoq, që ndryshoi rrugën e të menduarit dhe të afruarit me zotin. Një rrëfim prekës, i thellë, i jashtëzakonshëm që, përmes shembullit të jetës së Françeskut, na fton të kthehemi kah shpirtërorja dhe kah humania.
Romeo Çollaku, shkrimtar dhe përkthyes nga greqishtja, frëngjishtja dhe polonishtja, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e letrave, është një ndër emrat më me zë të kulturës shqiptare.
ÇMIMI PËR LIBRIN MË TË MIRË PËR FËMIJË
I jepet autores Natasha Poroçani Shuteriqi me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Albas”
I konceptuar si një bashkëbisedim i pemës së mollës me fëmijën, ky tekst shkon për fëmijët e moshës mbi 4 vjeç të cilët sapo kanë nisur të fitojnë aftësitë e të folurit dhe të njohjes së gërmave. Fletë pas flete, fëmijët njihen me ciklin jetësor të një peme përgjatë stinëve, por nxiten të flasin e të shkruajnë për ciklin e tyre jetësor përgjatë një viti. Teksti “Kalendari i ëndrrave të mollës”nxit të shprehurit dhe të menduarit kritik te fëmijët. Ai gjithashtu, mund të shërbejë si një manual letrar për fëmijët që kanë vështirësi në të shprehur dhe shfaqin forma të ngadaltata të të menduarit. Ilustrimet e këtij libri janë realizuar nga Arben Nipolli
ÇMIMI PËR PËRKTHIMIN MË TË MIRË NGA GJUHA FRËNGE
I jepet përkthyeses Klarita Lagji, për romanin “Vendi i babait”, shkruar nga Annie Ernaux, hedhur ne qarkullim nga Dudaj.
“Vendi i babait” është një roman autobiografik që ia del mrekullisht, me qëllimin më ambicioz dhe fisnik të letërsisë: atë të dhënies së një eksperience personale një dimension universal, e cila na flet të gjithëve ne.
Historia e një burri-në fillim fshatar, pastaj punëtor e më në fund menaxher i një dyqani bar-ushqimore-kinkaleri në një qytet të një province normande-gjithë kjo e rrëfyer me një precision kirurgjikal, pa empati dhe as ndjesi turpi, nga e bija shkrimtare.
Kjo është historia e një gruaje që përballet me brishtësinë e dhimbshme të origjinës së vet dhe shkruan për prindërit e saj duke kërkuar tani një gjuhë të përbashkët, por të pamundur.
Një shkrim i tendosur, pa asnjë shkarje, me një thjeshtësi të rafinuar duke e bërë çdo fjalë të vetme të shndërrohet në një thikë të mprehtë.
Librat i gjeni online tek Bukinist.al