10 librat me te shitur te muajit nentor 2022

Platforma me e madhe online e librit shqip, Bukinist.al publikon dhjete titujt me te kerkuar nga lexuesit. Panairi i 25-te i Librit Tirana 2022 dhe Nentori i Librit rriten kerkesat per libra: Librat e rinj, zhvillimi persona dhe botimet e biznesit mbajne kryesimin e shitjeve

Gjatë muajit nëntor të gjithë flasin për librin: Panairi i Librit është ngjarja më e madhe në këtë fushë dhe në treg hidhen mbi 500 tituj të rinj, më shumë se 1/3 e treta e të gjithë titujve që qarkullojnë për një vit. Pikërisht për këtë arsye rritet interesi për librat dhe për titujt e rinj. Këtu gjendet edhe arsyeja se përse gjatë muajit nëntor librat e rinj kanë pasur shitjen më të madhe edhe tek platforma Bukinist.al.

Në raportimin mujor për librat më të shitur, drejtuesit e tij na thonë se gati gjysma e shitjeve kanë ardhur nga botime që sapo janë hedhur në qarkullim.

Libri i Ermal Mamaqit, “Në garë me veten”, paçka se ngjalli shumë debate në komunitetet e lexuesve, kryesoi listat si libri më i shitur i muajit nëntor.

Mbretëresha e thrillerit Karen M. McManus me librin “Njëri nga ne po gënjen” është listuar mes top-10 më të kërkuarve. Padyshim, “Fillon me ne” i mbretëreshës së bestseller-it, i botuar më 19 tetor 2022 në tregjet botërore dhe, i ardhur në shqip vetëm tre javë më vonë, ka marrë pëlqimin e menjëhershëm të lexuesit shqiptar.

Interesin më të fortë e ka pasur ardhja në shqip me rastin e 25-vjetorit të botimit të parë të librit “Babai i pasur, babai i varfër 1”, i mentorit më të mirë të financave personale dhe investimeve, Robert Kiyosaki. Tashmë, Argeta LMG ka sjellë për më pak se dy muaj pesë botime nga ky autor, duke ju krijuar mundësinë shqiptarëve që të njihen dhe të edukohen në fushën e menaxhimit të parasë, zhvillimit të investimeve dhe kuptimit të biznesit në shekullin e XXI.

Mes librave të kësaj fushe, vazhdon të kryesojë edhe biznesmeni dhe filantropi Vasil Naçi me librin e tij “Sjellja e pëlqyshme dhe mençuria në komunikim”. Interesi për këtë titull u rrit sepse gjatë kësaj periudhe u zhvillua edhe trajnimi “Rruga drejt suksesit”, – një nga trajnimet më të mëdha në Shqipëri dhe në rajon për zhvillimin personal.

Elif Shafak ka ardhur me dy libra të rinj, por “Ishulli i pemëve të zhdukura” është listuar menjëherë mes titujve më të lexuar, – edhe për shkak të historisë së bukur të dashurisë mes një qiprioti turk dhe një qiprioteje greke. Romani i hedhur në qarkullim nga Bota Shqiptare vlerësohet ndër librat më të suksesshëm të Shafak edhe në vendet e tjera. Edhe Ann Jacobs me sagën Vila e pëlhurave, botuar nga Dituria, ka mbajtur të gjallë kureshtjen e lexuesve shqiptarë.

Ben Blushi ka sjellë së fundi përmes botimeve Pegi librin e tij të ri, “41 sekretet” e tij, i cili edhe gjatë nëntorit pati pëlqimin e lexuesve tanë.

Mes librave më të shitur është edhe “Zjarr që digjet ngadalë” i autores së njohur amerikane Paula Hawkins, – një thriller i jashtëzakonshëm që po shënon të njëjtin sukses si edhe dy librat e mëparshëm, “Vajza në tren” dhe “Nën ujë”.

Mes 10 më të kërkuarve është edhe “Inteligjenca emocionale” e Daniel Goleman-it, i botuar nga Pema në Prishtinë, një bestseller absolut në të gjithë botën, dhe tashmë i shitur edhe në Shqipëri.

Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni listën e mëposhtme:

“Në garë me veten” nga Ermal Mamaqi

Në garë me veten” vjen në formën e një udhërrëfyesi që mban plot mësime jete, të nxjerra nga një përvojë e gjatë dhe përballje sfiduese.  Në këtë libër do të zbuloni sekretet e mendjes që di të përballet me çdo vështirësi, dhe që çdo gur e përdor për të ngritur mure suksesi.

Historitë nga jeta e Ermalit, do t’ju bëjnë të kuptoni se edhe personazhet publike ngrohen nga i njëjti diell dhe mbrohen prej të njëjtit shi. Plagët janë aty, por ka gjithnjë formula magjike për t’i shëruar ato. Bekimet më të mëdha do të vijnë prej fitoreve më të vështira. Të gjitha paragjykimet, barrierat që u vendos shoqëria, mund të kapërcehen, duke i qëndruar besnik zërit të brendshëm dhe së vërtetës suaj personale. E vetmja gjë që ka kufi, është koha që na ofrohet në dispozicion si qenie njerëzore për të qëndruar në këtë planet. Nisur nga ky fakt i patjetërsueshëm, lipset që të shtypni gazin dhe t’i jepni vlerë çdo minute që jetoni.

Njëri nga ne po gënjen” nga Karen M Mcmanus

Një bestseller emocionues, seksi dhe i sofistikuar! Një i vdekur, katër të dyshuar dhe njëri prej tyre që po gënjen.

Një pasdite pesë nxënës të Gjimnazit Bejvju futen në klasën e ndëshkimit: Bronuina: nxënësja e dalluar, gati për në Jeill. Adi: bukuroshja, princesha e ballos së vjeshtës. Nejti: krimineli, shpërndarës droge. Kupëri: atleti, ylli i bejsbollit.

Simoni: krijuesi i aplikacionit famëkeq të thashethemeve të gjimnazit.

Kur Simoni rrëzohet papritmas dhe vdes pak më vonë në spital, policia nis të hetojë rreth vdekjes. Simoni kishte planifikuar të postonte thashetheme pikante të nesërmen e asaj dite. Në qendër të vëmendjes vihen Bronuina, Adi, Nejti dhe Kupëri. Secili prej të rinjve ka diçka për të fshehur – dhe kësisoj një motiv…

“Fillon me ne” nga Colleen Hoover

Para “Mbaron me ne”, filloi me Atlas. Colleen Hoover u tregon fansave anën e pelqyer te historisë së Atlasit dhe ndan me ne atë që vjen më pas në këtë vazhdim të shumëpritur të bestsellerit #1 të New York Times “It Ends with Us“, I konsideruar nga USA Today si “i lavdishëm dhe prekës”. Lily dhe ish-bashkëshorti i saj, Ryle, sapo janë vendosur në një ritëm normal të bashkëprindërimit kur ajo papritmas përplaset përsëri me dashurinë e saj të parë, Atlasin. Pas gati dy vitesh të ndarë, ajo gëzohet që për një herë, koha është në anën e tyre dhe menjëherë thotë Po kur Atlasi e kërkoi për një takim. Por pasioni i saj pengohet shpejt nga fakti se, megjithëse ata nuk janë më të martuar, Ryle është ende pjesë e jetës së saj – dhe Atlas Corrigan është i vetmi burrë që ai do ta urrejë që të jetë në jetën e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij. Duke kaluar midis këndvështrimeve të Lily-t dhe Atlas-it, “Fillon me ne” fillon pikërisht aty ku u ndal epilogu i fenomenit më të shitur “Mbaron me ne“.

“Babai i pasur, babai i varfër” nga Robert Kiyosaki

Libri më i mirë për financat personale per me shume se dy dekada e gjysem vjen me një botim të ri pas suksesit 25-vjeçar që ka pasur, duke formuar dhe ndihmuar me miliona njerëz që të çlirohen nga prangat e mungesës së parasë. Në këtë botim të ri kemi 9 kapituj sesionesh studimi që ju udhëzojnë gjatë kohës që lexoni, ri-lexoni, diskutoni dhe studioni këtë libër me miqtë dhe familjen tuaj.

“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nga Vasil Naçi

“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nuk vjen thjeshtë si guidë këshillash, por si një mal përvojash të përjetuara me shumë sfida. Dija dhe informacioni i përftuar në këtë realitet për vlerat e komunikimit vlejnë tejmase për këdo, me fokus të posaçëm sipërmarrjen. Besojmë se ata që janë në kërkim të çelësit të harmonisë dhe të suksesit në jetë, pas leximit të librit do ti jenë mirënjohës autorit.

“Ishulli i pemëve të zhdukura” nga Elif Shafak

Një libër i ri, i pasur, magjik rreth përkatësisë dhe identitetit, dashurisë dhe traumës, natyrës dhe ripërtëritjes, nga autorja më e vlerësuar sot në të gjithë botën. Një histori prekëse, e shkruar bukur dhe e ndërtuar në mënyrë delikate e dashurisë, ndarjes, transcendencës, historisë dhe vetëdijes. Prandaj ky roman konsiderohet si vepra më e mirë e Elif Shafak-ut.

“Vila e pëlhurave”  nga Anne Jacobs

Një sagë e jashtëzakonshme plot intriga, dashuri dhe zhvillime të befta, parë nga një këndvështrim i veçantë: ai i shërbyesve të Vilës së Pëlhurave. Kureshtarë, të vëmendshëm, besnikë apo intrigantë, shërbyesit përgjojnë çdo lëvizje të zotërinjve, ua njohin çdo të fshehtë, ëndërrojnë me ta dhe zilepsen pas jetës së tyre farfuritëse

“41 sekrete” nga Ben Blushi

Sekrete të njerëzve të njohur e të panjohur që, me zemër në dorë, i rrëfehen penës së shkrimtarit. Ky libër përmbledh 41 histori njerëzish të ndryshëm, shkruar nga Ben Blushi në formën e rrëfimeve dhe sekreteve të jetës së tyre. Përveç rrëfimeve, Ben Blushi ka fotografuar të gjitha personazhet e tij, duke harmonizuar fotografinë bardhezi me përshkrimin dhe dialogun artistik që ka zhvilluar me secilin prej tyre. Personazhet variojnë nga njerëz të familjes së tij te miqtë; shkrimtarë si Ismail Kadare, aktorë si Robert Ndrenika, Monika Lubonja e Viktor Zhusti, piktore, klerikë, fotografë, këngëtarë si Dren Abazi e Bojken Lako, sportistë; afganë, ukrainas, si dhe pinjollë të familjeve të shquara si nipin e Ismail Qemalit, nipin e Faik Konicës apo vajzat e Lasgush Poradecit dhe Vangjush Mios. Sekretet mbyllen me një rrëfim të sinqertë se si të bëhesh mysliman në Kavajë.

“Zjarr që digjet ngadalë” nga Paula Hawkins

Kur një i ri gjendet i vrarë në mënyrë brutale në një varkë-shtëpi në Londër, kjo ngre dyshime për tri gra që e njihnin atë.

Laura e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke u gjykuar nga të tjerët. Atë e njohin si gjaknxehtë, problematike dhe të vetmuar. Madje disa e konsiderojnë edhe të rrezikshme.

Miriami është e sigurt se, vetëm se Laura është dëshmitarja e vetme që u largua nga skena e një vrasjeje të tmerrshme me gjak në rroba, nuk do të thotë se vrasësja është ajo. Përvoja e hidhur e ka mësuar se sa e lehtë është të të kapin në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

Karla po vuan nga vrasja brutale e nipit të saj. Ajo nuk i beson askujt: edhe njerëzit e mirë janë të aftë të bëjnë gjëra të tmerrshme. Po deri ku do të arrijë ajo për të gjetur paqen? Të pafajshëm apo fajtorë, të gjithë janë të dëmtuar. Disa janë dëmtuar aq sa të vrasin.

“Inteligjenca emocionale” nga Daniel Goleman

A na e përcakton koeficienti i inteligjencës fatin? Jo aq sa mund të mendojmë ne. Bestselleri i autorit Daniel Goleman na tërheq vëmendjen se këndvështrimi ynë për inteligjencën njerëzore është shumë i ngushtë. Arsyeja është se ne injorojmë një sërë aftësish që kanë ndikim shumë të madh në ecurinë e jetës sonë.

Sot, shumë vite pas botimit të parë të veprës, termi “inteligjencë emocionale” është bërë pjesë e të folurit tonë të përditshëm. Duke u mbështetur në hulumtime shkencore që sjellin risi në fushën e studimit të funksionit të trurit dhe të sjelljes njerëzore, Goleman na parashtron faktorët të cilët bëjnë që një person me IQ të lartë të mos arrijë ndonjë gjë të madhe në jetë, ndërkohë që një me IQ mesatare t’i kapë majat e suksesit.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *