Shënime për romanin “Rrethimi” të Tom Kukës (Enkel Demit) hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Pegi
Agim BAÇI
Cilit rrethim duhet t’i druhemi më shumë; – atij nga armiku, atij nga hasmi, atij nga varfëria apo atij nga dashuria?
Tom Kuka këtë herë është “i zhvendosur” në Shkodër, në rrëfimin ku shumëçka është nën rrethim, por jo edhe për rrahjet e duhura të zemrës. Kolë Laca dhe Trina janë dy shinat ku rrëfimi nis të udhëtojë, duke kaluar herë në trokitjen e armikut që kërkon të rrëmbejë Shkodrën, në atë rrethim të vitit 1912, herë nga hasmi që kërkon të mbahet premtimi, herë nga varfëria që mban shumë koka ulur, e nga pikëpyetjet e pandalshme të zemrës.
Tom Kuka, personazhi që bredh rrugëve të Shkodrës me dyrrotakun e tij në misionin e pamundur për t’i paralajmëruar banorët për gjylet e topave që rrezikojnë t’u bien banorëve nëpër banesa, duket më së shumti si vetë autori Enkel Demi, i veshur me veladonin e personazhit të tij, që ndjen si mision që të shkruajë e të shkruajë për atë që prej kohësh rrezikon që të mundë vërtetë njerëzit në çdo kohë: mungesa e dashurisë është ajo që mund të jetë lufta më e tmerrshme, më e përgjakshme, pasi e kthen gjakun nëpër deje në kotësi, në një lëng pa forcë.
Por, a mund të jetë takimi me dashurinë sa një shkrepje e një foto, siç ndodh me Kolë Lacën teksa fotografon Trinën në çastin që mban në duart e saj babain, Gjon Palin, që po udhëton në botën tjetër pasi është goditur për vdekje nga malazezët që kanë rrethuar qytetin?
A është kjo shkrepje e një fotoje më e madhe se sa “premtimi”, se sa fjala e dhënë për fatin e Trinës?
Pyetja është e fortë jo vetëm për kohën dhe vendin ku pushtetin e kish ajo që premtohej që në djep dhe jo ajo që kërkonte zemra, por edhe për motin e një lufte ku pushka ishte edhe dija e duhur, e nevojshmja për të siguruar se ai qytet do ish sërish i njëjti si më parë, me të njëjtën gjuhë, brenda një harte me gjithë trupin e mëparshëm.
Dhe, autori nuk i shmanget asaj që duhet ta zgjidhë pushka, e as asaj që duhet të zgjidhë zemra. Dhe nuk heziton aspak të vërë zërin e një gruaje për të zgjidhur atë që një burrë e ka të vështirë ta kapërcejë pa dilema, pasi pesha e besës ja frenon gjuhën, ja frenon hapin.
“- Unë jam i premtumi… kërkoj…
-Mbylljani gojën, se do ta vras, pasha Pejgamerin!- iu kanos nën zë Esat Pasha dikujt që e ndiqte nga afër.
Piskama e atij burri përshkoi mure, udhë, kopshtije e i bëri të dridheshin edhe ata të tre. U rrëqethën keqas. Kolë Laca ndjeu t’ia përshkonte shpinën një curril briks i ftohtë frike. Pa trinën , e cila uli kryet. Ajo qe gruaja e tij, kishte në gisht rrethin që i lidhte gjer në vdekje, por me sa duket, qe ende e premtuar.
-Duhet me e mbrojtë gruen tande, familjen tande. Duhet me ia mbyllë gojën këtij cubit!
Fjalët e Marta Dodë Bibës e bënë të brofte në këmbë. Ai qe njeri që rrëfehej, kur nuk mbante kreshmë të premten, që mundohej t’i vinte punët në vend duke folur, që e mbronte gjënë e vet duke i vënë drynin “Dritëshkronjës”, por kurrë nuk qe rrokur me kënd, të ncirrte armën nga milli, pasi nuk dinte, nuk kishte pse… Veç, ja, tani vajza e princit të Mirditës po i kërkonte të mbronte familjen…” (Tom Kuka, “Rrethimi”, botim i “Pegi”, f. 134)
“Rrethimi” nuk është thjesht një rrëfim për një histori dashurie: “Rrethimi” është një histori për vetë dashurinë. Ndoshta nën breshërinë e gjyleve, kur gjithçka oshëtin, ku një pjesë e atdheut rrezikon të humbasë, zemra vijon të mbajë gjithnjë të zgjuar atë çfarë e bën njeriun të udhëtojë dhe fitojë kohën e të mundë çdo rrethim të mundshëm.
Tom Kuka nuk e sheh luftën e zemrës aspak të ndarë nga lufta për liri. Por, cila liri, cila e ardhme, cili rrethim mund të kapërcehet nëse zemrat e kanë të pamundun të flasin gjuhën e dashurisë?
Elementet historikë, murgu e hoxha që bëjnë të njëjtën udhë e ku e shohin Zotin “nga një dritare”, gjuha si një violinë shkodrane e varur në murin e kohës, janë veçse korniza për t’i dhënë edhe më shumë fuqi asaj që e bën njeriun të numërojë hapat për t’u ndjerë i gjallë dhe me sytë nga e ardhmja.
Nuk është aspak një betejë kundër besës, kundër fjalës së dhënë ndaj tjetrit, por është një thirrje për të kuptuar se duhet të dimë se cilat rrethime kemi në jetët tona, që të mos mbetemi peng. Fundja, është dëshira për të jetuar ajo që vlen të ketë flamurin… e fitores.
Librin e gjeni online tek Bukinist.al