10 librat me te shitur gjate muajit janar 2023

Gjatë muajit janar shënohet rritje e kërkesës për librin e zhvillimit personal. Rikthehen në vëmendje edhe klasikët shqiptarë si Kuteli dhe Agolli si dhe librat e rinj, të cilët janë bestseller-a në tregjet ndërkombëtare. Ja librat më të shitur sipas Bukinist.al.

Muaji janar shënoi një rritje të interesit për librat e zhvillimit personal, botimet e biznesit, autorët modernë shqiptarë por edhe për titujt e rinj. Platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al ka bërë të ditur për blogun tonë top -10 librat më të shitur gjatë muajit të parë të këtij viti, ku ka pasur lëvizje në renditje dhe shije lexuesish. Sigurisht, mbretëresha e bestseller-it botëror, Colleen Hoover-i vazhdon të mbajë të ndezur interesin e lexuesve edhe me romanin “Fillon me ne”, si vijim i sagës “Mbaron me ne”, ndonëse ka ardhur edhe një titull i ri në shqip nga kjo autore; i titulluar “Kockat e zemrës”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Living” e cila ka marrë të gjithë të drejtat e kësaj autore në gjuhën shqipe.

Robert Greene dhe Robert Kiyosaki vazhdojnë të kenë lexues të pasionuar, gjë që reflektohet edhe nga shitjet e botimeve të tyre tek Bukinist.al. “48 ligjet e pushtetit” i Greene, botuar nga “Pema” ka një rritje domethënëse interesi nga lexuesit, sidomos nga ata që duan të kuptojnë rrënjësisht artin e të sunduarit dhe të ndërtojnë raporte jo-pasionale me politikën. “Babai i pasur, guida për të investuar” i Kiyosakit është prurja më e re e shtëpisë botuese Argeta LMG, i cili na vjen në ndihmë për të ndryshuar rrënjësisht perceptimin tonë për investitorit dhe ofron një set këshillash me shumë vlerë për mënyrën sesi duhet ta investojmë paranë në kohën tonë.

Edhe libri “Mposhtja e djallit” i Napoelon Hill, botuar nga Albas, vazhdon prej shumë e shumë vitesh që të kërkohet nga lexuesit tanë, si një nga librat që analizon në mënyrë të thelluar rolin regresiv që ka frika në jetën tonë.

Muaji janar shënoi rikthim të fortë për dy autorët modernë shqiptarë: Mitrush Kuteli, me novelën e jashtëzakonshme “E madhe është gjëma e mëkatit” dhe Dritëro Agolli me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Mes klasikëve modernë botërorë është edhe Remarku, të cilit kësaj radhe lexuesit shqiptarë i kanë përzgjedhur romanin “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, botuar nga “Dituria“.

Mes klasikëve më të spikatur është edhe “Princi i vogël” i autorit francez Antoine De Saint – Exupery, i cili ka pëlqimin e lexuesit të çdo moshe dhe çdo kohe, ku padyshim edhe lexuesi shqiptarë po e bën gjithnjë e më shumë pjesë të leximeve dhe rekomandimeve.

Dy tituj të rinj që sapo janë hedhur në qarkullim “Asnjë takim nuk është i rastësishëm” nga Hakan Menguç, libër i shtëpisë botuese “Botime Prizreni” dhe “Mali je ti” nga Brianna Wiest janë listuar shumë shpejt mes titujve më të shitur në librarinë online Bukinist.al.

Foto ilustruese

Më poshtë po ndajmë me ju 10 librat më të kërkuar gjatë muajit janar 2023 në platformën Bukinist.al:

“Fillon me ne” nga Colleen Hoover

Para “Mbaron me ne”, filloi me Atlas. Colleen Hoover u tregon fansave anën e pelqyer te historisë së Atlasit dhe ndan me ne atë që vjen më pas në këtë vazhdim të shumëpritur të romanit. Lily dhe ish-bashkëshorti i saj, Ryle, sapo janë vendosur në një ritëm normal të bashkëprindërimit kur ajo papritmas përplaset përsëri me dashurinë e saj të parë, Atlasin. Pas gati dy vitesh të ndarë, ajo gëzohet që për një herë, koha është në anën e tyre dhe menjëherë thotë Po kur Atlasi e kërkoi për një takim.

Por pasioni i saj pengohet shpejt nga fakti se, megjithëse ata nuk janë më të martuar, Ryle është ende pjesë e jetës së saj – dhe Atlas Corrigan është i vetmi burrë që ai do ta urrejë që të jetë në jetën e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij. Duke kaluar midis këndvështrimeve të Lily-t dhe Atlas-it, “Fillon me ne” fillon pikërisht aty ku u ndal epilogu i fenomenit më të shitur “Mbaron me ne“.

“E madhe është gjëma e mëkatit” nga Mitrush Kuteli

Ashtu si çdo autor ka kryeveprën e tij, edhe tek Kuteli, rrëfimi “E madhe është gjëma e mëkatit” është kryevepra e kryeveprave të tij. Jo vetëm nga ngjarja dhe filozofia e madhe që mbart ajo, por edhe nga mënyra e të rrëfyerit si askush tjetër apo, figurat artistike e fantastike, stili i të treguarit e gjithçka të përsosur që ka brenda vepra.

Historia e priftit ortodoks Tatë Tanushit, që mallkoi dhe u mallkua nga ëngjëlli i Zotit – kjo është me dy fjalë ngjarja që rrëfen Kuteli në novelën E madhe është gjëma e mëkatit. Përtej ngjarjes, përtej prishjes së kufijve mes jetës e vdekjes, edhe gjuha e kësaj novele e tërheq lexuesin thellë në kohë, shekuj e shekuj më parë, pasi krijon ndjesinë, madje mund të thuhet dhe magjinë se jo vetëm rrëfimi por edhe rrëfimtari vijnë nga lashtësia. Kjo novelë u shkrua në shkurt 1947 dhe u botua së pari në vitin 1992. Ajo renditet sot midis kryeveprave të letërsisë shqiptare.

“Babai i pasur, guidë për të investuar” nga Robert Kiyosaki

Në këtë libër Robert Kiyosaki sjell vëzhgime të mprehta sesi investojnë të pasurit dhe analizon dallimet me të varfërit dhe shtresat e mesme. Për herë të parë vjen në shqip ky libër që konsiderohet guida më e mirë për investimet, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Argeta LMG.

Mentori më i mirë i financave personale dhe investimit, Robert Kiyosaki sjell në këtë libër rregullat bazë për të reduktuar rrezikun e investimit, kontrollet e investitorit, kthimin e të ardhurave nga paga në të ardhura pasive dhe në investime, mënyrat sesi të bëheni investitorë të fuqishëm, si të mbrohemi nga falimenti dhe si ti kthejmë idetë në biznese me të ardhura në miliona dollarë.

“48 ligjet e pushtetit” nga Robert Greene

48 ligjet e pushtetit” është studimi më i mirë i pushtetit dhe udhëzues i domosdoshëm i artit bashkëkohor të përfitimit dhe të përdorimit të tij. Ligjet e pushtetit paraqiten dhe analizohen me thjeshtësi dhe qartësi, kryesisht, nëpërmjet zbatimit të metodave ushtarake, të fitoreve dhe humbjeve; nga historianë të njohur që prej atyre të Aleksandrit të Madh, të mbretëreshës Elisabet të Anglisë, të Napoleonit, të Bismarkut, të Rotshildit, të Kisingerit, të Makiavelit, të Klausevitzit, të Sun Tzusë por dhe të Nikola Teslës, të Galileut, të Mikelanxhelos, të Don Zhuanit dhe të Kazanovës. Në punë dhe në dashuri, në universitet dhe në “rrugë”, në politikë, në marrëdhëniet njerëzore, në lajmet e orës 7:30 dhe në ekonomi: 48 Ligjet e Pushtetit përdoren gjithkund. Njohja e tyre është shumë e sigurt, çfarëdo që të jetë synimi juaj: vetëmbrojtja ose thjesht informimi.

“Asgjë e re nga fronti i perëndimit” nga Erich Maria Remarque

I botuar për herë të parë më 1929, “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” është konsideruar si një nga librat më të rëndësishëm të shkruar me subjekt nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Siç shkruan Erich Maria Remarque, kjo është një mënyrë e përsosur “për të rrëfyer një gjeneratë, që edhe nëse u shpëton granatave, shkatërrohet nga lufta”.

Protagonisti i romanit “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, është Paul Baumer, një ushtar i ri gjerman që lufton në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1917, gjysma e kompanisë së Baumer- shumica e tyre shokë e gjimnazit – është vrarë në betejë. Vetë Paul plagoset dhe shtrohet në spital, kthehet në shtëpi me leje dhe pas disa ditësh rrikthehet në front, vetëm për t’u vrarë një javë para armëpushimit dhe fundit të luftës në vitin 1918. Kantoreku është profesor i Bojmerit, Kropit, Mylerit dhe Lerit, 18-vjeçarë gjermanë kur oshtimat e predhave të luftës së madhe gjëmojnë nga njëra anë e Europës në tjetrën.

Një burrec i rreptë i veshur në gri, me një fytyrë prej miu, kërkon të jetë udhëzues i të rinjve në botën e punës, të kulturës dhe të progresit. Në orët e gjimnastikës, ai i shigjeton djemtë me vështrim të rreptë dhe u mban fjalime për atdheun në rrezik apo për madhështinë për t’i shërbyer shtetit, duke i udhëzuar e frymëzuar që të shkojnë vullnetarë.

Por kur janë në front, nxënësit e Kantorekut, nga Albert Kropi më inteligjenti i shkollës e deri te Paul Bojmeri, poeti që kërkon të shkruajë drama, e kuptojnë shpejt që nuk janë aspak “rinia e hekurt”, e thirrur për të mbrojtur Gjermaninë në rrezik.

Zbulimi se terrori i vdekjes është më i fortë sesa madhështia për t’i shërbyer atdheut i befason qysh atë ditë kur, gjatë një sulmi, Jozef Bem, një shok shkolle i shëndoshë dhe i qetë, vritet egërsisht në llogore.

Në pak muaj nxënësit e Kantorekut e ndiejnë veten të plakur, të dërrmuar, të privuar jo vetëm nga rinia por nga çdo e shkuar, ëndërr, shpresë.

“Asnjë takim nuk është i rastësishëm” nga Hakan Menguç

Hakan Menguç provokon me librin e tij për të ndryshuar zakonet tona për një periudhe 7-ditore: Njihuni me udhëtimin 1-javor të dy të rinjëve të cilët nuk kanë asnjë kacidhe në gjep dhe bëjnë të ndryshojë rrënjësisht jeta e tyre. Si? Këtë mësojeni në librin më të ri të autorit bestseller në Turqi që së fundi vjen edhe në shqip nga Botime Prizreni.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nga Dritëro Agolli

Zyloja dhe Demka janë bërë shenjime kategorish të shoqërisë. Edhe si burokrat, Zyloja është i veçantë, disi kapriçioz, kontradiktor, krejt i pangjashëm me një galeri të tërë personazhesh të këtij lloji, që gjenden në letërsinë humoristike apo johumoristike. Zyloja është një burokrat me dramë, burokracia e tij nuk është butaforike dhe estradeske. Natyra e dyfishtë, mospërputhja ndërmjet qëllimit dhe përfundimit, i provokon lexuesit emocione tejet të kundërta. E rëndësishme është se cilido që të jetë emocioni: dhimbje, keqardhje, përqeshje, lexuesit i shkakton ndjenjën e refuzimit ndaj pozitës së personazhit.

Me Demkën, autori paralajmëron se njeriu i zakonshëm mund ta shpërngulë fajin nga vetja dhe të gjejë një alibi, por ai që ka hyrë në botën e mediumeve publike nuk ka alibi. Individi fiton aq liri sa meriton. Për skllavin e bindur më e mira është skllavëria. Ku mund të jenë sot, pas dy dekadave jete si personazhe ndërmjet lexuesve, Zyloja dhe Demka?

Një gjë mund të thuhet me siguri: ata përsëri janë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet. Kjo ndodh shpesh me çifte të tillë personazhesh. Në romanin e njohur të Servantesit në fillim Don Kishoti është krejt jashtë realitetit, në botën e iluzioneve, kurse Sanço Panço habitet me lajthitjet e të zotit. Por në fund të romanit është Sanço Panço që e humbet sensin e realitetit, duke besuar se është emëruar guvernator i një shteti, ndërsa Don Kishoti habitet me naivitetin e shqytarit të tij.

“Mali je ti” nga Brianna Wiest

Nevojat bashkekzistuese, por kontradiktore, krijojnë sjellje vetëshkatërruese. Kjo është arsyeja pse u rezistojmë përpjekjeve për të ndryshuar. E bëjmë aq shpesh, saqë përpjekjet tona na duken plotësisht të kota. Duke nxjerrë mësime thelbësore nga zakonet më të dëmshme, duke ndërtuar inteligjencë emocionale, duke kuptuar më mirë trurin dhe trupin tonë, duke i çliruar përvojat e shkuara në një nivel qelizor dhe duke mësuar të veprojmë si versioni më i mirë i vetes, ne mund të ndryshojmë dhe të arrijmë potencialin tonë më të lartë.

Për shekuj, mali është përdorur si metaforë për sfidat e mëdha me të cilat përballemi në jetë, veçanërisht ato që duken të pamundura për t’u kapërcyer. Për të ngjitur “malet” tona, në fakt duhet të punojmë me veten, të gërmojmë thellë për të zbuluar traumat tona, për t’u bërë më të qëndrueshëm dhe për t’u përgatitur sa më mirë për ngjitjen. Në fund, nuk kapërcejmë malin, por vetveten.

Mposhtja e djallit – Sekreti i lirisë dhe suksesit” nga Napoleon Hill

Nëse do vetërealizimit, mësuesin ta kemi gjetur. Napoleon Hill mbetet një motivues i shkëlqyer jo vetëm në Perëndim, por edhe në një vend si Shqipëria. Këshillat e tij vlejnë më shumë se të çdokujt tjetër për shqiptarë sepse përkojnë me kohët kritike që po jetojnë; sepse ato të mësojnë si të mposhtësh frikën (jo si të bëhesh burrë); si të mendosh para se të veprosh, si ti japësh vlerë çdo sekonde të kohës tënde, si të distancohesh nga shprehitë e endjes dhe kotësisë së përditshme (jo si të vrasësh ditën në kafene); si t’i përmbahesh joshjes ndaj seksit dhe parasë dhe si të ndërtosh besimin dhe ta përdorësh fuqinë e tij për të ecur përpara. E kush nuk do të jetë i suksesshëm dhe i vetërealizuar në këtë botë?! 

“Princi i vogël” nga Antoine De Saint – Exupery

Klasiku i madh për fëmijë, por edhe për të rritur, vjen tani me këtë variant të ri e të mrekullueshëm, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”. “Por nëse ti më zbut, atëherë ne do të kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ti do të jesh për mua i vetmi në botë. Unë do të jem për ty e vetmja në botë…”.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *