10 librat me te shitur te muajit qershor 2023

Foto ilustruese

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe blogu Leximtari nxjerrin librat më të kërkuar të muajit qershor: Librat e rinj, romancat, thriller-at, zhvillimi personal, por edhe autorët shqiptarë mbeten në shijet e lexuesve

Tashmë vera ka filluar dhe me fillimin e saj ndryshojnë edhe kërkesat apo shijet e lexuesve. Sagat dhe thrillerat mbeten ndër më të pëlqyerit gjatë kësaj stine, dhe kjo panoramë të shfaqet edhe tek vitrina e titujve më të kërkuar.

Atlasi, historia e Pa Saltit”, vëllimi i tetë dhe përmbyllës i sagës “7 motra” është në muajin e dytë që mban kryesimin e listave. Platforma Bukinist.al vendosi në fokus gjatë muajit qershor autoren irlandeze Lucinda Riley, gjë që ka ndikuar në treg, ku veprat e saj patën rritje të konsiderueshme të interesit nga ana e lexuesve tanë.   

Mes titujve të kërkuar, janë sigurisht edhe titujt të tjerë të rinj të zhanrit romancë, thriller apo dramë si: “Pas asaj vere” nga Carley Fortune apo “Gjëra që nuk i kapërcyem kurrë” nga Lucy Score.

Nga sagat më të pëlqyera vazhdon të jetë “Sekreti i Parisit” i Natasha Lester, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Ombra GVG”, e cila ka botuar vazhdimin e saj, “Rrobaqepsja e Parisit”.

Për Bukinist.al vazhdon të ketë kërkesë të lartë për librat e biznesit dhe zhvillimit personal: “Babai i pasur – guida për të investuar” i Robert Kiyosakit, i shpallur si libri më i mirë i vitit 2022 në kategorinë e zhvillimit personal, – mbetet ndër top – 10 librat më të pëlqyer. Edhe libri i ri i Robert Greene, “Ligjet e natyrës njerëzore” po ecën po aq mirë sa edhe libri bestseller i mëparshëm “48 ligjet e pushtetit”.

Revolucioni i glukozës” nga Jessie Inchauspé është mes prurjeve më të mira për ata që duan të kenë trup të shëndetshëm dhe të ndërtojnë shprehi të shëndetshme, duke njohur rolin që luan glukoza në organizëm. Një bestseller absolut në Europë, tashmë vjen në shqip edhe përmes Botart.

Mes autorëve shqiptarë kemi Tom Kukën i cili me romanin “Rrethimi” vazhdon të mbajë gjallë interesin e lexuesve pas romaneve të mëparshme të cilat kanë pasur sukses dhe janë vlerësuar me çmime.

Ndërsa, autorët e letërsisë për fëmijë Mitrush Kuteli dhe Viktor Canosinaj me veprat e tyre “Tregime të moçme shqiptare” dhe “Meriyll”, duket se kanë mbetur miqtë e lexuesve të vegjël, sidomos gjatë pushimeve verore.

Foto: Valbona Bona, e sjellë në rrjetet sociale të Bukinist.al

Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni 10 librat më të kërkuar të muajit qershor 2023 tek Bukinist.al, si më poshtë:

“Atlasi, historia e Pa Saltit” nga Lucinda Riley

Pas një jete të tërë me dashuri e humbje, duke kapërcyer pareshtur kufij dhe oqeane, libri Atlasi. Historia e Pa Saltit, me bashkautor Harry Whittakerin, shënon fundin mahnitës dhe të paharrueshëm të serisë Shtatë motrat të Lucinda Rileyt. Në këtë përfundim epik të serisë Shtatë motrat, gjithçka do të zbulohet tashmë.

“Gjëra që nuk i kapërcyem kurrë” nga Lucy Score

“Gjëra që nuk i kapërcyem kurrë” është një roman i mbushur me humor, romancë dhe zhvillim të karaktereve. Shkrimi i Lucy Score sjell një histori argëtuese dhe frymëzuese për të gjithë ata që besojnë në aventurat e jetës dhe mundësinë e dashurisë së vërtetë që lind në mënyra të papritura.

Historia zhvillohet kur Frankie dhe Aiden përballen me një situatë të papritur kur ata përfundojnë duke ndarë një banesë. Në vend që të qëndrojnë armiq, ata vendosin të bëjnë një marrëveshje: të shkojnë së bashku përpara për të shpëtuar në fund interesat e tyre të përbashkëta. Kjo çon në një serë ngjarjesh të papritura, aventurash humoristike dhe ndjenja që zhvillohen mes tyre.

“Ligjet e natyrës njerëzore” nga Robert Greene

Së pari, ligjet që do të bëjën vëzhgues më të qetë dhe më strategjik të njerëzve, çka do të të ndihmojë të çlirohesh nga dramat emocionale që t’i shterrojnë energjitë kot së koti.

Së dyti, ligjt do të bëjnë mjeshtër të interpretimit të shenjave që njerëzit japin vazhdimisht, të cilat do të të ndihmojnë t’ua gjykosh më drejt karakterin

Së treti, ligjet do të të pajisin me aftësinë për t’ua hedhur dhe për të mposhtur tipat tokstikë, të cilët do t’i ndeshësh në jetë herët a vonë.

Së katërti, ligjet do të të mësojnë mjetet e vërteta për t’i motivuar njerëzit dhe për të ndikuar tek ata.

Së pesti, ligjet do të të japin aftësinë të ndryshosh edhe vetë skemat e sjelljeve të tua negative.

“Babai i pasur, guide për të investuar” nga Robert Kiyosaki

Në këtë libër Robert Kiyosaki sjell vëzhgime të mprehta sesi investojnë të pasurit dhe analizon dallimet me të varfërit dhe shtresat e mesme. Për herë të parë vjen në shqip ky libër që konsiderohet guida më e mirë për investimet, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Argeta LMG. Ky libër është shpallur si botimi më i mirë i vitit 2022 në kategorinë libri biznesit dhe zhvillimit personal, nga Bukinist.al dhe blogu Leximtari më 23 prill 2023.

“Tregime të moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli

Një kryevepër e magjisë popullore shqiptare që vjen në filitrin rrëfimtar të Mitrush Kutelit: Një nga librat më të shitur të dy dekadave të fundit; një rekomandim i përhershëm për fëmijët dhe një zgjidhje briliante për të kuptuar ashtin e fantazisë shqiptare

“Revolucioni i glukozës” nga Jessie Inchauspé

Libri “Revolucioni i glukozës” do të ndryshojë mënyrën tuaj të të menduarit mbi shëndetin, madje do t’ju ndryshojë jetën: “Kafsha priret të hajë me stomakun e vet, ndërsa njeriu me trurin e tij”, shkroi filozofi Alan Watts. Nëse trupat tanë do të mund të na flisnin, do të kishim një tjetër histori.

Duke u mbështetur në arritjet e fundit të shkencës, si dhe në kërkimet e veta pioniere, biokimistja Jessie Inchaupsé ofron 10 truke të thjeshta të të ushqyerit dhe të mënyrës së jetesës, që ju ndihmojnë të eliminoni simptomat – pa iu nënshtruar dietave, apo pa hequr dorë nga ushqimet që ju dashuroni. Për shembull:

• Si mund t’ju bëjë të humbisni në peshë pa mundim, ngrënia e ushqimit në rendin e duhur.

• Cili përbërës sekret do t’ju lejojë të hani ëmbëlsira dhe, përsëri, të vijoni të digjni yndyrën tuaj.

• Cili ndryshim i vogël i mëngjesit do t’ju mbushë me energji dhe do të frenojë nepsin tuaj.

“Pas asaj vere” nga Carley Fortune

Rrëfyer përgjatë gjashtë verave dhe një fundjave, “Pas asaj vere” është një nostalgji mbresëlënëse për dashurinë, njerëzit dhe zgjedhjet që na shënojnë përgjithmonë. Thonë se e shkuara nuk kthehet dhe për Persefoni Frejzërin, që kur bëri gabimin më të madh të jetës një dekadë më parë, kjo duket tepër e vërtetë. Në vend që të kalojë verat vezulluese buzë liqenit të fëmijërisë, ajo qëndron në një apartament elegant në qytet, duke i mbajtur të gjithë larg zemrës.

Pastaj merr një telefonatë që e bën të kthehet me ngut në Gjirin e Berit dhe në orbitën e Sem Florekut – burrit, pa të cilin kishte menduar se nuk do t’i duhej të jetonte kurrë.

Për gjashtë vera, gjatë pasditesh të mjegullta në ujë dhe netësh të ngrohta në restorantin e familjes së tij, Persi dhe Semi kishin qenë të pandarë. Ajo miqësi u shndërrua në diçka më shumë para se të shkatërrohej në mënyrën më tronditëse.

Kur Persi kthehet në liqen për funeralin e mamasë së Semit, lidhja mes tyre është po aq e pamohueshme sa ka qenë gjithmonë. Po derisa Persi të përballet me vendimet që mori, ata nuk kanë si ta dinë nëse dashuria e tyre është më e madhe se gabimi më i rëndë i së shkuarës.

“Rrethimi” nga Tom Kuka (Pseudonim)

Rrethimi” nuk është një libër historik. Në të janë përfshirë ngjarje të vërteta, të marra nga kronikat e kohës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën si kanë jetuar shkodranët apo të tjerët që u kapën në grackën e rrethimit. Por kushdo që njeh historinë apo e njeh këtë ngjarje mund të vërejë mospërputhje historike apo “gabime”, fjala vjen personazhe të paqenë atëbotë. Kjo vjen si pasojë e trillimit ose si e quajmë ndryshe me gjuhën e sotme “fiksionit”.

“Sekreti i Parisit” nga Natasha Lester

Sekreti i Parisit” nga Natasha Lester është një histori zemërthyese, e shkruar bukur, e treguar në periudha të ndryshme kohore që të çojnë në Paris, në Angli dhe në Australi. Është një sagë familjare, një histori lufte, një histori dashurie dhe humbjeje. Personazhet janë absolutisht të jashtëzakonshëm. “Sekreti i Parisit” është një mrekulli verbuese rrëfimi, një përzierje e përsosur veprimi, historie dhe thellësie emocionale.

“Meriyll” nga Viktor Canosinaj

Meriyll” është një nga librat më të dashur për fëmijë të dy dekadave të fundit. Pas vdekjes së mamasë Meri filloi pune sepse familja e saj ishte shume e varfër. Vëllai i Merit, Albi shiste gjera te vjedhura dhe një dite atë e kapi policia.

Kurse babai i saj vinete i dehur ne shtëpi. Meri bënte te gjitha punët dhe nuk kishte kohe për te mësuar. Ajo kishte një shok te ngushte qe quhej Sid.

Me kalimin e kohës filloi te bënte shoqëri me një vajze me emrin Klara dhe me shoket e saj Aldon edhe Gencin. Ato do te shkonin ne Greqi edhe donin te merrnin me vete edhe Merin. Prindërit e kishin ndaluar Sidin te shoqërohej me Merin sepse e konsideronin shoqëri te keqe. Një dite Meri doli nga shtëpia edhe aty erdhi Aldo me makine dhe e futi brenda. Ai e kapi atë prej fyti e Meri filloi te qante. Pastaj ajo ndodhej ne spital. Sidi i kishte thëne prindërve te tij te ndihmonin babin e Merit te hiqte dore nga alkooli. Dhe ato e ndihmuan atë. Me pas çdo gjë shkoj mire edhe Meri filloi te mësonte me shume dhe ato nuk ishin me te varfer.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Librat më të shitur i gjeni tek LINKU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *