Dr. Elsa Kristo
Nga “Ditari i ekonomistit” Mitrush Kuteli tek “Ditari i Profesorit” Sherif Bundo
Për rastësi dy librat e sipërpërmendur i kam lexuar qershoreve. I pari, shkruar në vitin e largët 1960 dhe, i dyti nxjerrë në botim muajin e kaluar. Me një distancë kohore prej 63 vitesh, ajo çka lexon të krijon keqardhje; duket se Shqipëria është po ajo e tollovitura, dhe se fati i intelektualit, atij të angazhuar, atij “të vërtetit”, është dhe mbetet fati i njeriut në udhëkryq. Cilindo drejtim të zgjedhë, dihet që do persekutohet; nëse shprehet do denigrohet nga ata që nuk u shkon për shtat opinioni i tij; e nëse hesht, është ndergjegjia që do e vrasë. Gjithsesi, i referohem intelektualit që është personazhi kryesor në të dy librat e sipërpërmendur, pasi sot ky term ka pësuar “inflacion”.
Libri i Prof. Sherif Bundos “Fara e revoltës”, që mua më ngjau si “Ditari i një profesori” evokon historinë personale të një profesori dhe një grup kolegësh të tij, përgjatë këtyre 30 viteve, e shoqëruar me ngjarje akademike, personale, ekonomike dhe politike që kanë ndodhur në Shqipëri. Ata që nuk kanë patur privilegjin të ishin në promovimin e librit në muajin qershor, apo e kanë humbur si lajm në TV, me siguri do befasohen nga fakti se profesori i Bazave të Financës, Sigurimeve e Drejtimit të Portofolit, tashmë paska filluar të lëvrojë një “Lëndë” të re; atë të romanit dhe të gjinisë “thriller” madje.
Një ndër novelistët më të shitur bashkohorë në Francë, Guillame Musso, është një Profesor Ekonomie, ndaj nuk do ishte rastësi që nëse profesori vijon me letërsi, të konsiderohet i tillë.
Dihet që në promovime komentet pozitive dhe komplimentat e shumtë janë pa kufij, ndaj unë do doja të ndaja një mendim personal, thjesht si një lexuese e këtij romani, dhe e pandikuar nga fakti se autori i librit ka qenë profesori im dhe titullari lëndës që unë jap, aq më tepër që profesioni im i parë është audituese, çka kërkon dhënien e një opinioni tërësisht të pacënuar.
Në fakt, librin e kam lexuar me kërshëri, pa u ndjerë e bezdisur nga fjalitë ndonjëherë shumë të gjata, të cilat me siguri rrjedhin prej natyrës së profesionit, ku si pedagog të duhet të shpjegosh e shpjegosh, e të gjesh shembuj e analogjira që jo një e dy studentë, por krejt auditori të kuptojë.
Edhe mungesa e dialogut, që për lexues që lexojnë gjatë verës është një arsye më shumë, për të mos i shkuar më tutje librit, sërish nuk të ndalte leximin. Ajo çka fillonte si një histori e rëndomtë akademike, me një zhvillim normal të një konference, shndërrohej në një thriller psikologjik dhe në disa raste gati gati aksion, për një profesor të cilin mund ta imagjinosh vetëm mes studentëve apo bibliotekave dhe jo një individ që arratiset për t’i shpëtuar kërcënimit vetëm e vetëm pse në një konferencë akademike bëri një prognozë të zymtë për atë çka e priste vendin.
Dhe këtu sërish më vjen ndërmend “Ditari i ekonomistit”, ku bankieri dhe shkrimtari i shquar Mitrush Kuteli, pikërisht në pozicionin e këshilltarit të Bankës së Shqipërisë në vitet e pushtimit gjerman duke dashur të bëjë rezistencë kundra inflacionit e duke ngjallur dyshimin e gjermanëve për sabotimin e nxjerrjes së kartmonedhës së re, u detyrua të fshihej disa ditë nëpër miqtë e tij në Tiranë, ndërkohë që automobili i gestapos e kërkonte në banesë.
Pas kaq shumë vitesh, i njëjti destin dhe për profesorin në librin “Fara e revoltës”, i cili detyrohet të strehohet tek disa miq të tij në periferi të Tiranës pikërisht për të vërtetat e shkruara në një artikull gazete, tashmë jo si profesor, por në petkun e gazetarit, sepse ashtu e detyruan rrethanat.
Ajo që del qartë në romanin e Prof. Bundos është se një intelektual i ndershëm nuk mund kurrë të heshttë dhe është guximi që e dallon atë nga servilët, mediokrët e meskinët, që siç përshkruhet në libër janë të shumtë dhe në qarqe akademike. Rolin e vërtetë të një profesori, e materializon shumë qartë në sallën e gjyqit personazhi kryesor, i cili shprehet se “Kur i intereson një profesor, e sheh si një punonjës të zakonshëm apo si shërbëtor administrate. E zhvesh profesorin nga liria akademike, i heq titullin dhe statusin e posaçëm që ka, dhe e privon nga detyrimi për të folur, për t’i shërbyer vendit dhe interesave kombëtare”.
Dhe ajo që bashkon ata intelektualët e vërtetë është pikërisht guximi për të folur. Duke iu rikthyer librit të Mitrush Kutelit, ai shkruan se “Është e vërtetë se unë dallohesha nga kolegët e mij të tjerë që kishin bërë shkenca ekonomike dhe pastaj i qenë përveshur punës për të mbledhur pasuri, ama asnjë nga këta nuk guxoi të thotë ose të shkruajë asnjë fjalë kundër kapitalit italian në Shqipëri”.
Edhe profesor Bundo në librin e tij pyet me një thirrje “A mund të jetë i paangazhuar një intelektual? Domethënë një intelektual që nuk lëviz. Domethënë një intelektual që nuk mendon ndaj padrejtësive, arrogancës. Domethënë një intelektual pa zë”.
Për të vijuar më tej me romanin, do të thosha se ai është një mozaik personazhesh, dialogjesh me vehten, situata komike, po aq dhe dramatike, pentagramë përshkrimesh, duke filluar që nga marrëdhënia student pedagog, pedagog – pedagog, e te të gjitha dimensionet e marrëdhënieve njerëzore. Romani është vërtetë shumë real, dhe pse profesori është kujdesur të shprehet në faqen e parë se ngjashmëritë janë krejtësisht rastësore apo të trilluara. Disa rrëfime për jetët e individëve jashtë sferës akademike janë aq interesante, sa duket sikur lexon tregimet e O’Henry-it, ku përfundimi i tregimit të trondit, ndërkohë që ishe përgatitur për një tjetër mbyllje.
Sigurisht nuk mund të linte pa shkruar në këtë libër për pasionin e tij të parë “financën”. Dhe pse letërsi, ngjarjet janë ndërthurur shumë bukur me spjegime financiare dhe ekonomike, dhe të mbështjella në një gjuhë shumë popullore, që ndoshta me siguri e kemi karakteristike ne nga zona e Përmetit.
Në pothuaj çdo faqe ka thirrje për reflektim, qoftë individual apo dhe si shoqëri. Profesori shkruan se “Paraja është si punë e rakisë, që duhet të pish aq sa mban, e po e teprove katandisesh keq e behesh gaz i botës, humbet personalitetin, humbet drejtpeshimin dhe arsyen, të merr poropia. Edhe paraja e tepërt e trullos të zotin. Sidomos ata që i vënë paratë shpejt e shpejt, pa pritur, që ngrysen të varfër dhe gdhihen të pasur. Dehen nga paratë. Bëhen si të marrosur. Nuk kanë të ngopur. Por harrojnë se duke ngrënë si të pangopur, fryhen si këpushat, fryhen e fryhen derisa pëlcasin”.
E këtu del më aktuale se kurrë poezia e Ali Asllanit “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Përpos mesazhit të fortë të këtij paragrafi, ajo që të tërheq vëmendjen është “fjala”. Profesori e ka qëmtuar fjalën. I kishim harruar këto fjalë të shqipes, e cila ka aq shumë hapësira, por që ne i kemi zevendësuar me barbarizma, ku prej kohësh në çdo institucion informues nuk shqiptohet më fjala “vendndodhje”, por të vret veshin termi “lokacion” e qindra shembuj të ngjashëm. Ndërkohe që ky libër është dhe një ftesë për t’iu rikthyer shqipes, asaj burimores.
Libri sigurisht ka dhe një dozë të lartë optimizmi, e cila në momente dramatike personale apo shoqërore është vështire për t’u gjendur. Ndaj dhe romani përmbyllet me këtë mesazh. Pyetjes së një personazhi “Po me pjesën tjetër të pedagogëve ç’u bë më tej?”, autori i përgjigjet: “se ata patën mundësinë të tregojnë se njeriu e ka në dorë suksesin dhe karrierën”.
Në fund profesori bën një ftesë për reflektim. 421 faqe të këtij romani unë i shijova. Sigurisht që me modestinë e një lexuesi më lejohet të jap dhe ndonjë sugjerim. Sidomos në pjesën e parë të romanit kishte enumeracione të gjata, që përfshinin shumë fusha, dukuri, ndjesi dhe nganjëherë kjo dukej e tepërt. Ndoshta siç e ceka më lart, vjen prej profesionit; nga dëshira për të dhënë sa më shumë dije, dhe pse në disa paragrafe dukej si qëllim në vetvete, ndërkohë që profesori s’ka arsye ta demonstrojë këtë. Më pas, ndoshta lexuesi mësohet me këtë stil, dhe enumeracionet të cilat janë pjesë, vinë më natyrshëm gjatë zhvillimit të librit. Dhe pse qershori është një muaj që ndoshta i bashkëngjitet një leximi të lehtë jo angazhues, ky libër duhet lexuar dhe në verë, pasi has shumë episode që ju kanë ngjarë apo dhe thjesht për kujtesë, pasi harresa bën që ngjarjet të ripërsëriten.
Për më tepër, duhet t’ju shtyjë kurioziteti, se si një profesor financash tashmë do të marrë gradat e tij dhe në letërsi. Vetë profesori në promovim e librit u shpreh, se gjithkush ka diçka për të shkruar, dhe kjo është e vërtetë, ka ngjarje në jetë që të shënojnë, sikurse konferenca që ishte dhe gjeneza e librit “Fara e protestës”. Ku i dihet; mbase libri i profesorit është një nxitje që dikush nga lexuesit të shkruajë librin e jetës, pavarësisht profesionit.
Dhe, do doja t’a mbyllja sërish me Mitrush Kutelin, i cili në fund të kujtimeve të tij nga lufta për të shpëtuar floririn e Bankës, shkruan se (dhe po i referohem origjinalit): “Jeta ime ka qënë kaluar mbi periudha të ndryshme. Unë kam dashuruar shumë, kam urryer shumë, kam punuar shumë dhe … fatkeqësisht kam gabuar shumë. Po kurrë s’kam ndjekur karjerën dhe pasurinë. Po të desha të pasurohesha, kisha njëmijë mundësi – duke ia shitur shpirtin shejtanit. Po s’e kam bërë”. E tani, pas 63 vitesh, ky mesazh përcillet po kaq ndjerë dhe tek libri Prof. Bundos, por nuk po e ilustroj me paragrafë prej tij, që mos shuaj kërshërinë për lexuesit e tjerë….
Librin e gjeni online tek Bukinist.al