Kontrasti mes endrres dhe zhgjendrres

Parathënie e romanit “Zambaku i kanionit” i autores Eralda Baze

Dr. Eris Rusi*

Shkrimtari Eli Vesel shprehej se “letërsia është një akt qëndrese”, një mënyrë për të ruajtur njerëzoren tonë, një nevojë për t’iu kundërvënë të tashmes në zvetënimin e saj, një mundësi për t’u shkëputur nga klima e zymtë e një jete ku duhet të bëhet gjithçka për t’ia dalë mbanë, duke shkelur mbi njeriun, botën, natyrën.

Nuk e di sa të qenësishme janë këto fjalë në kohën dhe realitetin që jetojmë sot, por kjo është fryma që ushqen romanin e ri të Eralda Bazes, “Zambaku i kanionit”, ku letërsia kthehet në një dëshmi të njerëzve që nuk e gjejnë veten të përshtatur me kaosin dhe mungesën e rendit, ku dashuria përballet me tradhtinë e fshehtë, ku lëkundjet e tokës kthehen në grimasa njerëzish që do të përfitojnë nga fatkeqësia e të tjerëve, e  ku, çuditërisht, ka ende vend për shpresë, e pakëz dritë.

Në këtë udhëkryq kontradiktash, Shqipëria është e zhveshur në brishtësinë e saj: një vend i bekuar, me njerëz që shpeshherë mundohen ta gjymtojnë një herë e përgjithmonë. Por rebelimi, reagimi, kur nuk gjen njerëzit e sotëm, dërgon sinjale në të kaluarën dhe tjerr mjegullën e kohës falë ëndrrës që ngatërrohet me realen. Këtë ëndërr, teksti e sjell përmes figurave që bëhen të gjalla në përfytyrimin e protagonistes, Lilit, një vajze plot pasion për jetën, një arkitekteje që i ka të gjitha për të bërë para në karrierë me kusht që t’i nënshtrohet vullnetit të atij që rri mbi krye. dhe shtegu i parë që i çelet lexuesit, është takimi me figura të së kaluarës që jetojmë veç nën nënvetëdijen e Lilit.

Në ëndërr, protagonistes i shfaqen trajtës e gjyshes, stërstërgjyshes, si për të treguar lidhjen e fortë, të pandarë, të njeriut me të kaluarën e tij. Në këtë ndarje të madhe mes dy kohëve, lexuesi ka mundësi të njihet me vajzën e ëndrrës dhe me vajzës e jetës reale. Në të dyja rastet është i njëjti person, por që duhet të ndahet mes dy botësh që dallojnë aq shumë nga njëra-tjetra.

Trualli shqiptar në kohën e Muzakajve mbante mbi dhe’ njerëz që besonin te fjala e dhënë, e që përçonin fisnikëri në çdo gjest të tyrin. Shqipëria e shekullit të njëzetenjë është një vend ku gjithkush ndihet i humbur, askush nuk di ku të mbështetet, tek shteti apo vlerat e familjes, te shoqëria apo institucionet që janë thjesht ornamente në shërbim të një grushti njerëzish.

Ky mendim, përkon me mënyrën si orienton lexuesin Eralda Baze. Gjithçka vihet në dyshim, kur shpresa nis edhe e mpak dritën dhe shkëlqimin e saj. Ata që drejtojnë nuk kanë asnjë shkëndijë ëndërrimtare në sy.

Pushteti i bën të jenë të mprehtë vetëm tek përllogaritjet si mund të fitojnë më tepër, si mund të gjymtojnë më shumë natyrën e këtij vendi, si mund t’i japin të drejtë babëzisë për të përvetësuar gjithçka që iu del përpara.

Në këtë dritë, jeta e Lilit, protagonistes, humbet në rrafshin privat dhe atë profesional. Dashuria e jetës, njeriu që ka zgjedhur t’i qëndrojë në krah përgjithmonë, vdes në tërmetin shkatërrues të vitit 2019, e vdekja del si i vetmi realitet ku nuk mund të mbulohen më mashtrimet e jetës, as tradhtia e të ndjerit, ekzistenca e dyfishtë e tij.

Ngjan sikur jeta në ditët e sotme duhet të lëngojë nga mungesa e ëndrrave. Shoqëria është e pashpresë, një hon i errët ku jep shpirt e ardhmja e vendit. Teksti nuk shpalos vetëm realitetin e Lilit, por një shumësi realitetesh: botën e Martës, të Migenës dhe vajzës së saj Teutës, të Jenit – gruas së moshuar të fshatit që mishëron të mirën dhe të thjeshtën e jetës shqiptare.

Nga ana tjetër qëndrojnë antagonistët e prekshëm në veset e tyre: Dine Daci dhe bashkëshortja e tij Safija; shpresa e madhe e këtij çifti bashkëshortësh – e bija e tyre, Xhensila; më tej Niku, dhunuesi i përhershëm i Martës; Rafaet Dajaku me etjen e tij të përhershme për pushtet dhe para’; Desaret Bregu dhe përpjekja e tij për të shpërfytyruar bukuritë natyrore të zonës ku ka kaluar fëmijërinë.

Kjo botë, e dyta, e mbushur me dashakeqësi dhe vese, është ndoshta jehona më e hidhur e realitetit që prekim çdo ditë. Njerëz të dalë nga skutat e krimit dhe injorancës, të veshur me perversitetin e mendjeve të sëmura, tregojnë në çdo faqe natyrën e tyre të vërtetë: nuk iu bëhet vonë për asgjë, përveç vetes së tyre dhe llogarisë bankare.

Edhe paralajmërimet e Qiellit, tundjet e tokës, pandemia e Covid-19 në horizont, nuk i bën të sprapsen asnjë çast nga qëllimet e tyre. Fatkeqësia për të tjerët, është mundësi përfitimi për ta. I vetmi oaz ku nuk depërton duhma e keqe e kësaj kategorie njerëzish, gjendet në fshat, në vendlindjen e Lilit, ku koha rrjedh ngadalë dhe natyra është ënde e pacënuar nga grykësia e pushtetit. Ky lloj kontrasti, është dëshmi e natyrës që na rrethon, me natyrën e brendshme të individit.

Me zërin e narratores, Eralda Baze na fton që të deshifrojmë rrugëdaljen, duke u ngritur mbi ndjenjat, pështjellimet, reflektimet mbi botën dhe marrëzitë me të cilat na duhet të përballemi çdo ditë.

Brishtësia e së mirës shndërrohet në një dritëz të tejdukshme që mundohet të lidhë jetët e shumë njerëzve. Por kjo nuk zgjat shumë. Atje ku duket sikur rrëfimi merr nga e mira, lexuesi e gjen veten të flakur papritur në honin e shqetësimit, në humnerën e korrupsionit, injorancës, krimit që nuk sheh askënd në sy. Po ashtu, plaga e prostitucionit ngjan si një stigmë që shqiptohet rrallë në shoqërinë tonë. Ndërsa Eralda e nxjerr në dritë edhe këtë dramë të madhe për mijëra familje shqiptare. Tema e prostitucionit trajtohet si një shfaqje shtypjeje dhe shpërdorimi, hedh një hije të pashlyeshme mbi kohën që po jetojmë.

Megjithatë, korrupsioni dhe prostitucioni janë vetëm simptoma të një sëmundjeje më të thellë: mungesës së empatisë. Ne jemi bërë të huaj për njëri-tjetrin, kemi ashpërsuar zemrat, duke i dhënë shteg egoizmit pa fre.

Në këtë përhumbje emocionale, jemi të vetmuar, të humbur në labirintin e një shoqërie që nuk po gjen nga buron e mira dhe e vërteta. Në mbështetje të kësaj fryme, trajtohet edhe një temë tjetër të rëndësishme: nevoja për të mbrojtur natyrën dhe bukurinë e saj. Ky element ngrihet në një premtim të madh, që shoqëron gjithë kohës protagonisten eromanit dhe i jep rrugë konfliktit me ata që natyrën duan ta vënë në shërbim të interesit vetjak.

Me këtë frymë, Eralda Baze mund të cilësohet edhe si një autore që krijon letërsi të angazhuar, që mban më këmbë një urë lidhëse mes krijimtarisë artistike dhe përkushtimit qytetar. Përmes tregimit të historive njerëzore në këtë roman, ajo arrin që të thyejë barrierat kulturore dhe sociale, duke sfiduar paragjykime dhe stereotipe.

Përmes aktit të shkrimit, i ofron lexuesit mundësinë për të jetuar përvojat e të tjerëve, për të qenë në vendin e tyre dhe për të zhvilluar një vetëdije më të madhe të botës që na rrethon, në shërbim të së mirës, ëndrrës dhe dëshirës për pak me tepër dritë, për pak më shumë shpresë.

Artikulli është pjesë e parathënies së romanit “Zambaku i kanionit” të autores Eralda Baze

*Autori është pedagog pranë departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, pranë Universitetit “Fan S. Noli”, në Korçë

Librin e gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *