Përshtypje rreth romanit “Mëndafshi francez” të autores Sandra Brown, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dudaj”
Eralda Bejleri*
Një laureshë e përhimtë fluturoi në oborr, u ul në hauzin e shatërvanit dhe piu ujë në pellgun me ujë shiu, teksa frynte një puhizë e lehtë…..
Filloi dhe mbaroi kështu, me të njëjtën fjali romani “Mëndafshi francez“, i autores Sandra Brown …..kjo ndoshta për të na dhënë ndjesinë e bukur se njeriu një ditë rikthehet aty ku e ka nisur; në shtëpinë e tij të fëmijërisë, aty ku duket sikur për 32 vite Klara, personazhi ynë, ka kyçur kujtimet e një jete të tërë.
Romani nis me vrasjen e ungjilltarit despotik Xhekson Wailld (më i frikshmi ky që nga koha e Rasputinit), në një dhomë hoteli, me 3 plumba (kokë, zemër e herdhe).
Ai e kishte shfrytëzuar katedrën e tij për të sulmuar padrejtësisht Jasminën dhe Klarën, duke i quajtur ato Izabela lapërdhare e epsharake të koheve moderne. Dhe, këtë bënte me të gjithë njerëzit që ai njihte, për t’u pasuruar kështu në kurriz të tyre. (kjo u duk gjatë gjithë romanit në 620 faqet e tij, pasi dolën shumë persona si dyshues për vrasjen e tij; që nga e shoqja e tij Ariel, djali i tij Xhosh, kongresisti Aristel Petri, Meri Katerina, nëna e Klarës, etj..
Libri është i pasur me intriga, mashtrime, sensualitet, eros; – ngjarje këto që gërshetojnë së bashku personazhet e librit: Zëvendësprokuror Kesidin, prokuror Krauderin, Aristel e Bela Petrin, Andrean, modelet e punonjëset e “Mëndafshit francez”, protestantë e predikues, etj., por më shumë se të gjithë, Klarën e Jasminën; – dy shoqe të ngushta me njëra-tjetrën: Klara, truri i kompanisë, mendjemprehtë e me një imagjinatë të ndezur, e gjatë, elegante me shpatulla të gjera, por aspak mashkullore…..ajo ishte grua e punës që s’kishte të bënte me llastimin e kotësisë femërore ….pavarësisht se ungjilltari e quante atë pornografe, shitëse ndyrësirash pasi ai ushqente në vetvete iluzionet e një fanatiku……por biznesi i saj shiste rroba të tilla që klientët e saj kur t’i vishnin të ndiheshin të llastuara, të dëshirueshme, por që ato të ishin veshje të respektueshme …….
Klara nuk ishte ajo që dukej në siperfaqe; sytë e saj mund të ishin dritare për shpirtin e saj, por grilat qenë të mbyllura….kjo ishte ajo që e bëri zëvendësprokurorin Kesidi të binte në dashuri me të sa e pa teksa filloi të hetonte ngjarjen. Klara përhapte një magjepsje që e turbullonte atë: Sa më shumë luftonte kundër saj, aq më tepër binte në kurth.
“Dashuria err gjykimin“, – e kjo po u ndodhte të dyve, pasi edhe ajo filloi të donte Kesidin njëri po jo atë prokuror: Konflikt shpirtcopëtues ky inat i vjetër ky që kur ishte 5 vjeçe e autoritetet donin ta ndanin me forcë nga e ëma që e kishte me probleme të forta mendore…si pasoje e një tradhëtie që del në fund nga ungjilltari i cili e kishte mashtruar vjedhur e braktisur me foshnjën, Klarën e sotme në bark; pra, në fund del se ajo dyshohej të kishte vrarë babain e saj…..
….tjetra, Jasmina, një fotomodele zezake…shumë e bukur e cila kishte një zakon të keq; – kur ishte e zemëruar me veten, kërkonte sherr me patjetër (ajo ishte e dashuruar prej një viti me kongresmenin Petri; ky i martuar, me dy fëmijë; një njeri maskara e i neveritshëm, qurrash e kapadai, por me mbështetje politike të fuqishme e me shumë para, i cili i premtoi të ardhme, por ajo përfundoi duke u vetëvrarë në derën e shtëpise së tij (ajo e kishte dashur jetën si rrallëkush derisa ra në dashuri me njeriun e papërshtatshëm).
Këtu rrëfehen qartazi shprehjet: “Bukuria e jashtëzakonshme mund të shndërrohet në mallkim për atë që e ka“;”Për famën dhe pasurinë, njeriu paguan një çmim shumë të shtrenjtë“; “Disa engjëj janë kaq të bukur sa Zoti, nuk mund të durojë t’i mbajë larg vetes për një kohë të gjatë“.
Po pse “Mëndafshi francez” do thoni ju?!
Emri i biznesit ka emrin e një ëmbëlsire, e këndshme e që e ndien në gjuhë, sikurse ndihen të brendshmet në lëkurë; pra, vetë emrin nënkupton butësi e rehati….
Ngjarjet zhvillohen në New Orleans, por në një lagje franceze ku jetonte një shtresë e lartë e shoqërisë.
Ky libër bën bashkë mosbesimin, keqardhjen, fajin, hutimin, zhgënjimin, dhimbjen; – këtë kaleidoskop reagimesh që ndjeu edhe Kesidi në momentin që Klara pas shumë kohësh rrëfeu kryerjen e krimit (për të mbrojtur nënën e saj) …edhe pse, pas shumë kërkimesh, doli që vrasjen e kishte kryer kongresisti Aristel Pjetri, pasi ndihej i kërcënuar nga e vërteta që mund t’i dilte e me këtë ai humbiste zgjedhjet…pasi gazetarët si një aradhë e ngjeshur ushtarësh të armatosur me kamera e mikrofona i gjeje kudo e kurdoherë.
Këtu gjen shprehje të tilla si: “Përderisa ti nuk do që rrobat e palara t’ i nxjerrësh në publik, duart i ke të lidhura” apo “Llomotitja është një rrugë që përdor frikacaku për t’ia dalë”….por del edhe kontrasti i fortë; “e brishtë si një orkide sere – e ligë si një vampir”…apo metafora të tipit “Zemra i rrihte aq egërsisht sa filloi të ndjente dhimbje” ose “Sytë e tij flisnin më shumë nga sa i lejohej të fliste me gojë”, “Ndjeshmëria u shndërrua në pasion”, etj.
Pasi çdo gjë u zbardh …..ne mësojme këtu: “Ata që dashurojnë vërtetë kanë rëndësi më shumë se e vërteta“.
*Autorja e kësaj përshtypje është mësuese e lëndës së gjuhës dhe letërsisë në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” në Tiranë.
Librin e gjeni online tek Bukinist.al