Cmimet e Panairit te Librit te vitit 2023

Fot nga ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore të panairit

Shpallen fituesit e çmimeve vjetore të Panairit të 26 të Librit Tirana 2023 në kategorinë e romanit shqip, letërsisë për fëmijë, përkthimit, librit studimor dhe përkthimit nga letërsia frënge, çmim ky i dhënë nga Ambasada e Francës në Shqipëri

Mira Meksi, Rudina Çupi, Thomas Frashëri, Ana Kove dhe Diana Çuli janë protagonistet kryesore të momentit më të rëndësishëm të Panairit të këtij viti. Ato janë autorë dhe përkthyes që janë vlerësuar me veprat e vitit. Një ju e ngritur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, nën drejtimin e Arta Markut, me anëtarë: Enkel Demin, Erion Kristo, Monika Stafa dhe Aristotel Spiro. Më poshtë po japim çmimet për fituesit:

“Parisi vret” nga Mira Meksi  

Shkrimtari më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Mira Meksi, për romanin “Parisi vret”, me këtë motivacion: “Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës.”

Ky libër është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”.

“Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass, i përkthyer nga Ana Kove

Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Ana Kove, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass, me këtë motivacion:

“Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës… Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore. “

Ky libër është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Albas”.

Frashëri i shquar, i panjohur” nga Thomas Frashëri

Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet zotit Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:

“Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.”

Ky libër është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”.

“Gjyshja me zemrën prej ketri” nga Rudina Çupi

Çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 i jepet znj. Rudina Çupi, për librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”, me këtë motivacion:

“Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën.”

“Të pandarat” të Simone de Beauvoir, përkthyer nga Diana Çuli

Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge i jepet Znj.Diana Çuli për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir, me këtë motivacion:

“Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese.”

Çdo vit Shoqata e Botuesve Shqiptarë jep çmimet letrare me një juri që ngrihet dy muaj para panairit. Shtëpitë botuese anëtare të kësaj shoqate paraqesin veprat e tyre tek juria. Sipas kryetares së jurisë, Arta Marku, gjatë këtij viti u paraqiten në konkurrim rreth 140 vepra të zhanreve dhe kategorive të ndryshme. Në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit nuk u paraqit dhe nuk pati asnjë fitues nga letërsia shqipe e Kosovës apo e trevave të tjera. Panairi i 26-të i Librit Tirana 2023 zhvillohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve në periudhën 15 – 19 nëntor 2023.

Të gjithë librat ndodhen tek libraria online Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *