Pse me mahniti Prilli i thyer ?

Në foto: Momentet e ndarjes se çmimeve të konkursit “Jam Liber – Ismail Kadare” në Shtëpinë Studio Kadare

Përshtypje për romanin “Prilli i thyer”  i shkrimtarit Ismail Kadare, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”. Me këtë përshtypje nxënësja Marie Zeri mori çmimin “Mik i Bukinist” në konkursin “JAM LIBËR – Ismail Kadare”, organizuar nga Bukinist.al, Shtëpia Studio “Kadare” dhe “Onufri”, me rastin e 88-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptar

Maria Zefi*

Ismail Kadare është një autor brilliant i letërsisë shqiptare. Përherë, në shumëllojshmërinë e veprave të tij shohim se si ai shpalos gjenialitetin e tij, duke  përdorur aktualitete a problematika shqiptare, e duke i kthyer ato në histori mbreslënëse. Ndonëse Ismail Kadare ka shkruar shumë kryevepra, asnjëra nuk më ka spikatur sa tragjedia e tij “Prilli i thyer”.

Ky roman është shkruar në vitin 1978 dhe është një vepër e cila si asnjë tjetër shpalos problematikat e absurditetin e Kanunit, më ekzaktësisht gjakmarrjen. Ngjarjet e tij janë të vendosura jo më kot në Mirditë, ku gjen zanafillën burrëria e skajshme dhe mbajtja e Kanunit.

Në këtë vepër na shpalosen rregullat e shumta e të pafundme të procesit të    gjakmarrjes. Ndër to përfshiheshin kthyerja e trupit përmbys pas plagosjes, pagimi i tagrit të gjakut te kulla e Oroshit, etj. Kodi i cili më bëri më shumë përshtypje në sensin e absurditetit, është vajtja e gjakësit tek ceremonia e përmotshme e viktimës së tij. Arsyeja pse mu duk e tillë është sepse të shkuarit në varrim tregon respektin dhe nderin për të vdekurin dhe të shkojë personi i cili e vrau duket se kalon caqet e moralit njerëzor në një shoqëri.

Personazhi kryesor i veprës është Gjorgu i Berishajve. Edhe pse vepra e ka personazhin e saj kryesor, vëmë re diçka të veçantë pikërisht te kjo vepër se rrjedha e historisë ndjek dy personazhe: Gjorgun e Berishajve dhe Besian Vorpsin. Këta të dy personifikojnë në vetvete dy botë të ndryshme: Gjorgu përfaqëson atë botën e prapambetur, ndërsa Besiani një botë tejet të përparuar. Gjorgu i Berishajve është ai që do të na shpalosë të vërtetat e gjakmarrjes. Përgjatë veprës vëmë re se kur kryheshin rutinat e kanunit, ai përherë shprehte ndjesi se nuk dëshironte t’i bënte. Tek Gjorgu unë shoh të brengosur një shpirt demokratik e të lirë në një botë, e cila duhet të vendosë burrërinë, nderin e Kanunin në vendin kryesor. Ai është përdorur si një vegël për rregullat e gjakmarrjes. Mënyra se si e shikoj psikologjinë e tij është se ndihet sikur jeta e tij nuk ka kuptim, pasi e vetmja detyrë që duhej të përmbushte ishte vrasja e Zef Kryeqyqes. Pasi e kreu këtë akt dhe mori besën 30 ditëshe, ai e shikonte këtë shifër si të gjatë e të panevojshme sepse pasi jeta e tij ishte aq e pakuptimtë dhe e pavlerë, – sipas mendimit të tij.

Gjatë 30 ditëshit tek ai shohim lindjen e disa pikë-pyetjeve skeptike rreth gjithë këtyre rregullave, dilema të cilat  vërtiteshin dhe në mendjen tonë gjatë leximit të veprës.

Për sa i përket personazhit tjetër kryesor, Besian Vorpsit, – siç thashë, – përfaqëson botën intelektuale. Bagazhi i tij mendor është i mbushur me njohuri të fushave të ndryshme. Shohim se ai karakterizohet nga një entuziazëm për një anë të Shqipërisë, të cilën ai nuk e njeh. Fillimisht, na prezantohet në vepër si një i sapomartuar me Dianën, të cilën më vonë do ta shikojmë duke ju larguar pak nga pak, pasi ajo bie në dashuri me Gjorgjun; dashuri e cila të vetmin shkas që kishte ishte një shikim.

Unë mendoj se ata nuk ishin dashurar me njëri – tjetrin: Ata thjesht ishin magjepsur nga fakti se gjetën dikë që t’i motivojë; le të themi për të jetuar. Gjorgu gjeti një motiv për të shtyrë ditët e mbetura, ndërsa Diana gjeti dikë që ndoshta me të do të bënte biseda më normale sesa tregimi i informacioneve të pafundme e të panevojshme.

Të gjitha gjërat që përmenda më sipër vërtetë më mahnisin por jo aq shumë se sa fundi; kthesa e papritur e romanit, e cila më la të habitur dhe konfuze. Mbyllja e kësaj vepre më bëri goxha dyshuese pasi nënkuptonte shumë gjëra të thëna përnjëherësh: Si fillim, u acarova kur Gjorgu dhe Diana nuk u takuan. Ama, kur vazhdova leximin mbeta e habitur, pasi ky lloj fundi sipas interpretimit të secilit, ose mund të rezultoj se Gjorgu u vra nga dikush, ose vrau veten. Më e pranueshmja është se ai vrau veten, pasi thotë: “..duke lënë pas, të shtrirë midis rrugës, trupin e vet, që porsa e kishte vrarë..”.

Arsyeja pse unë e konsideroj si kryevepër është sepse ky libër të jep njohuri për një anë ndryshe të Shqipërisë, por të fal edhe një mori emocionesh vetëm nga një lexim. Jo vetëm kaq, por na flet dhe për thelbin e jetës e arsyen e të jetuarit.

Nxënësja Marie Zefi duke marrë çmimin

*Autorja e kësaj përshtypje është nxënëse e vitit të dytë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamzë

Librin “Prilli i thyer e gjeni tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *