Një reflektim mbi hedhjen në qarkullim të librit të fundit të Gabriel Garcia Marquez, “Shihemi në gusht”, përkthyer nga Mira Meksi dhe botuar nga “Onufri”
Donika Dabishevci
Me t’ardhë n’libraritë e Prishtinës libri i ri i Markezit “Shihemi në gusht”, u nisa vrik me e marrë edhe pse isha duke punu n’diçka që duhej ta kryeja me urgjencë. Doja me pasë n’bibliotekën time, në mënyrë që sapo t’lirohesha pakëz t’merresha me të. Absolutisht, jo shkaku i reklamës dhe publicitetit. Nuk bie n’karrem t’tyre. E as nuk kam kurrfarë nxitje me lexu diçka që synon provokimin e përnjihershëm t’nji targeti t’gjërë e t’larmishëm t’lexuesve. Ishte krejt diçka tjetër. Ishte vet Markezi. Ishte një prej shkrimtarëve që ma ka formësu shijen letrare, që m’ka hapë horizonte të reja reflektimi e botëkuptimi edhe për letërsinë, që m’ka mbajtë mbërthye çdoherë fort për libri e që ma ka shtu dashninë për të.
M’ka magjepsë s’pari me “Njëqind vjetë vetmi”, lexu n’moshë t’re , t’cilit iu riktheva sa e sa herë, përgjatë vitesh. “𝐵𝑜𝑡𝑎 𝑖𝑠ℎ𝑡𝑒 𝑎𝑞 𝑒 𝑟𝑒 𝑠𝑎𝑞𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑔𝑗𝑒̈𝑟𝑎𝑣𝑒 𝑢 𝑚𝑢𝑛𝑔𝑜𝑛𝑖𝑛 𝑒𝑚𝑟𝑎𝑡, 𝑑ℎ𝑒 𝑝𝑒̈𝑟 𝑡’𝑖 𝑝𝑒̈𝑟𝑚𝑒𝑛𝑑𝑢𝑟 𝑎𝑡𝑜 𝑑𝑢ℎ𝑒𝑗 𝑡𝑒̈ 𝑑𝑟𝑒𝑗𝑡𝑜𝑛𝑖𝑡 𝑔𝑖𝑠ℎ𝑡𝑖𝑛 𝑑𝑟𝑒𝑗𝑡 𝑡𝑦𝑟𝑒”, shpesh m’sillet n’kokë si njifar’ proverbi mbushun me misticitet, sa herë takoj a flitet për gjana t’panjohuna, t’pashpjegueme a t’paemnueme, ky fillimlibri tronditës me bukuri poetike shumëkuptimore i veprës më përfaqësuese të realizmit magjik në botë, sagës së familjes Buendia të Makondos; një përtejbote në një përtejkohë.
Pastaj gjithçkaje që mbante vulën e Markezit nuk iu ndava. Kam përpi “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar”, “Gjethurinat”, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj”, “Dymbëdhjetë tregimet pelegrine”, “Vjeshta e patriarkut”, “Dashuri në kohërat e kolerës”, “Jeto për të treguar”, “Kujtim kurvash të trishta”, “Për dashurinë dhe demonë të tjerë”, etj., etj.. E kam përbrendësu Markezin e shqipërum’ prej Ramiz Kelmendit, Veton Surroit, Robert Shvarcit, Aurel Plasarit, Mira Meksit…
Me të njëjtën yshtje pra, vrapova edhe drejt “Shihemi në gusht”, t’cilin edhe pse nuk e mora për me lexu përnjëherësh, nuk munda me i rezistu.
Teknikisht, libër model! Kopertina dyfishe, e forta me teksturë tërheqëse materiali të veçantë dhe e buta sipër po me dizajn të njëjtë, pastaj portreti i Gabos i gravumë me të artë mbi të kuqen e ndezun në faqen pasuese, faqosja e bukur, lidhja e fortë, shiriti jeshil shkëlqyes në mes, shtypi cilësor…
Një libër i punumë me gjithë kujdesin e duhun. Një libër i trajtumë dinjitetshëm. Një libër të cilin si botuese e pëlqeva fort e si autore e lakmova. Sikurse do ta lakmonin gjithë autorët për vete. Tregohen t’pasinqertë ata që e mohojnë!
Që në faqet e para nisa me lundru në përkthimin sqimatar të Mira Meksit, i rrjedhshëm, i këndshëm, me figurshmëri t’zgjedhun, sintaksë mahnitëse, që arrinë me ta kriju iluzionin se je duke e lexu origjinalin, gjë për të cilën nuk mund t’them se nuk e prisja. “Lulja pirate e Gabos” është tashmë e shumëdëshmuar si njohëse e jashtëzakonshme dhe përkthyese e pashoqe e Markezit.
Përmes udhëtimeve njëditëshe të Ana Magdalena Bachut, në ishullin ku prehej e ëma, udhëtova edhe unë me taksin e vjetër fshatit varfanjak mbushun me palmat mbretërore skaj rrugës, ndjeva aromën e lagunës e m’u ngopën mushkëritë me ajrin e lagësht. Si në një shirit filmik pashë ritualin e çdovitshëm, pastrimin e kujdesshëm të varrit prej barishtave, vendosjen e një buqete gladiolash blerë prej shitëses së vjetër, rrëfimin përmbledhës të të pathanave – si spastrim shpirtnor para varrit të nënës dhe aventurën me një të panjohur, zgjedhur rastësisht – si përmbyllje dite.
Çdo vit – historia e njëjtë. Ndërrojnë veç burrat që i japin kuptim ngarendjes së prekjes së lirisë shpirtnore përmes përmbushjes trupore, derisa gjithçka përmbyset prej një monedhe 20 dollarëshe lënë mes faqeve të librit mbi komodinë, bashkë me aromën e trishtë të livandos në dhomë, prej njërit nga burrat që s’ia dinte as emrin, pas një nate të nxehtë kapërthurjeje epshore deri në sfilitje.
Poshtërimi me fytyrën e 20 dollarëshit ia hapë një perspektivë tjetër të kundrimit të situatave dhe gjërave Anës, tek e cila gjithçka baltoset dhe ndryshon, si reflektim i të brendshmes shpirtnore. Asgjë më për të nuk është njësoj edhe pse në 16 gushtët e ardhshëm, kjo Magdalenë që përmes raportit t’referencialitetit e thërret në memorien e lexuesit për shtresime tjera ideore, dashuronjsen e flaktë Maria Magdalena, vazhdon e përmbushë fantazinë e saj erotike me burra t’zgjedhun atypëratyshëm e që kaq shumë dallojnë nga njëri-tjetri. Madje, mes tyne qëllon t’ketë pasur edhe peshkop, ish miq dhe vrasës. Për pasojë shprishen ekuilibrat jetësor, nisin dyshimet, xhelozia bren martesën, madje edhe ishulli ndryshon – xhamat vezullues të hoteleve luksoze zhvirgjërojnë fshatin edhe pse tek banorët thellohet varfëria etj., etj..
Libri shkon drejt përmbylljes, rrëfimi shpejton drejt zbërthimit të gjithçkaje. Kuptohet se një zotëri i panjohun e mbulon lulesh varrin e të ëmës e cila po ashtu vjetëve të fundit të jetës kishte vizituar me shumë qejf ishullin e përzgjedhun edhe si vendvarrim. Ana Magdalena zhvarros eshtrat e së ëmës dhe bashkë me kujtimet e të dyjave brenda në një thes, kthehet në shtëpi.
“Shihemi në gusht” me aq sa kam lexu recensionet në shtypin botëror, është përcjellë më komente të larmishme, prej atyre që e kanë kritiku stilin dhe strukturën, tek ato që e konsideronin se kishte tejkaluar pritjet, pasi ishte më i mirë se ç’kishin frikë, apo se veprat e papërsosuna të artit janë më të mira se ato të shkatërruarat.
Ajo çfarë dua t’them n’fund pas dy leximeve, njërit duke e përpirë e tjetrit t’ngadalshëm e t’kujdesshëm është që “Shihemi në gusht”, ky himn i lirisë, vetënjohjes, seksualitetit, dashurisë, e yshtjes për prekje t’limiteve, nuk është vepra më e mirë e Markezit. Nuk është as një ndër veprat më të mira të tij. Është romani ku fatkeqësisht shohim pushtetin e fundjetës dhe pragshuarjes së Markezit.
I prekur nga demenca, mjeshtri i madh nuk mund t’mos shkruante, prandaj me aq sa e lejonte shëndeti po përpëlitej midis varianteve të këtij libri, duke lënë në fund fare amanetin qe të mos e botonin pas vdekjes, amanet të cilin fëmijët e tij nuk e mbajtën. E injoruan, pasi sipas gjykimit të tyre, ishte shumë më i arrirë sesa kujtonin, dhe donin t’i jepnin prioritet kënaqësisë së lexuesit kundrejt gjithë argumenteve tjera.
Dhe edhe unë si një lexuese e devotshme e tij, përkundër që s’më përmbushi si romanet e mëhershme, nuk do t’kisha dashtë t’privohesha nga kjo mundësi.
“Shihemi në gusht”, m’shijoi si punë e fundme e Gabos së madh, si gjurmë e fundme e maestros në këtë botë, si përshendetje e fundme prej tij!
Artikulli është botuar në rrjetet sociale të autores
Librin e gjeni tek Bukinist.al