
Për të tretin vit radhazi rikthehemi tek lexuesi panairi i madh në zemër të kryeqytetit, në mjediset e “Toptani Shopping Center”: Titujt e rinj, librat më të shitur, ofertat deri në -50%, takime me autorët, konkurse përshtypjesh dhe shpallja e fituesve të garës për “Librin më të mirë të vitit 2023” nga Bukinist.al dhe blogu Leximtari, – janë disa nga befasitë e kësaj feste të madhe librore.
“Ditët e librit” rikthehet për herë të tretë në zemër të Tiranës, – përmes një panairi të madh të botimeve që organizohet nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe Toptani Shopping Center. Edhe kësaj radhe festa hapet në Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më datë 2 prill dhe do të qëndrojë në pritje të lexuesve deri më 30 prill 2024, ku do të jenë të ekspozuar rreth 2100 tituj të ndryshëm.
“Ditët e librit” do të kulmojë me aktivitete të shumta më datë 23 prill, pikërisht në Ditën Botërore të Librit, ku Bukinist.al dhe blogu Leximtari.al do të shpallin 6 fituesit për botimet më të mira të vitit të kaluar në kategoritë: Libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i biznesit dhe zhvillimit personal.
Kësaj radhe do të jemi më gjatë në kohë me lexuesit tanë sesa herët e tjera: Përgjatë 30 ditëve nuk synohet thjeshtë të shesim libra, por të nderojmë autorët tanë të letërsisë për fëmijë dhe të rritur dhe të krijojmë mundësitë e takimit dhe ndërveprimit me lexuesit. Në mjediset e panairit do të ketë stenda të dedikuara për autorët tanë; njëherësh, do të ketë edhe një kanal komunikimi edhe online nga ana e tyre.
Risi e këtij panairi do të jenë edhe nisma e Bukinist.al që ka filluar që në janar të këtij viti me librat që kanë nënshkrimet e autorëve, ku në një stendë do të jenë edhe romanet e Ismail Kadaresë, Ben Blushit, Mira Meksit, Brunilda Zllami dhe shumë autorëve të tjerë.
Bukinist.al dhe partnerët e tij do të vijojnë edhe këtë vit konkursin e përshtypjeve “Jam libër”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë. Për përshtypjet më të mira do të ketë çmime dhe shpërblime.
Tashmë, është ringjallëruar tregu i botimeve dhe lexuesit tanë do të kenë mundësitë që të shohin të gjithë titujt më të mirë që janë hedhur në qarkullim gjatë vitit të fundit: Supriza e këtyre ditëve ka qenë edhe vepra më e fundit e Gabriel Garcia Marquez, “Shihemi në gusht”, sjellë në shqip nga Mira Meksi dhe botuar nga “Onufri”. Mbi 700 tituj të rinj janë në stendat e panairit, në pritje të lexuesve.
Kësaj ngjarje nuk do t’i mungojë as fenomeni i Booktok-ut shqiptar dhe të huaj, ku autorë që tashmë kanë arritur suksese përmes promovimit të veprave të tyre, do të jenë edhe në mjediset e Toptani Shopping Center. Ana Huang, Colleen Hoover, Caren McManus, Ell Kenedy, etj., janë me botimet më të fundit.
Si përherë, “Ditët e librit” do të kenë rekomandimet e tyre në kategoritë e librave të biznesit, zhvillimit personal, biografive, romancave, sagave dhe ato të zhanrit mister dhe thriller. Për lexuesit e vegjël do të kemi librat ABC, përrallat, enciklopeditë fantastike të Aeditions, por edhe libra në ndihmë të programeve shkollore.

Dy javët e para janë të fokusuar tek letërsia për fëmijë, duke nisur me shpalljen e çmimit për Librin më të mirë të vitit 2023 për fëmijë, më datë 2 prill 2024.
Në këtë panair do të ketë një rritje të pranisë së librave anglisht, sidomos të titujve më të fundit që janë hedhur në qarkullim në botë, të kategorive të biznesit, zhvillimit personal, romancave për të rinj, etj.
Të gjithë ofertat dhe surprizat do të jenë të arritshme edhe për ata që nuk do të jenë fizikisht të pranishëm, sepse do të kemi edhe panairin online “Ditët e librit” tek Bukinist.al. Pjesa më e veçantë është se do të ketë mbi 2000 tituj online në oferta që do të shkojnë deri në 50%, ndonëse do të ketë një sasi të kufizuar kopjesh.
Bukinist.al gjen rast të falënderojë përzemërsisht të gjithë botuesit që i dhanë krahë dhe zemër këtij panairi.
Bukinist.al është pjesë e “Aladini Trade Partner”, kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri dhe Toptani Shopping Center është pjesë e Gener 2. Ky panair ka nisur rrugëtimin e tij në vitin 2022 dhe tashmë është kthyer në një traditë të bukur. Kompania “Gener 2” ka përqafuar filozofinë tonë për të promovuar librin dhe leximin në çdo mjedis, sepse ne besojmë se libri duhet të jetë aty ku janë njerëzit.
Përmes pranisë tonë në zemër të kryeqytetit ne nuk sjellim vetëm librin apo ofertat fantastike, por edhe fuqinë e rekomandimeve për libra që kanë fuqinë e madhe për të transformuar jetët tona dhe për të na dhënë njohuri për tu përshtatur në një botë që ndryshon në çdo moment dhe që na sfidon me të papriturat e saj. Libri është arma më e fortë që kemi për ta kuptuar mjedisin përreth nesh dhe për t’u përmbushur në jetën tonë.

