Nje paralajmerim per te nesermen !

Përshtypje rreth romanit “1984” të George Orwell, shkruar nga Patris Lole, me të cilën është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin “Jam Libër”, organizuar nga Bukinist.al dhe Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) me rastin e Ditës Botërore të Librit

Patris Lole*

Dy personazhe. Uinston dhe Xhulia, dy njerëz pjesë e një sistemi totalitar, dy shpirtra që rendin drejt nje lirie të cilën në realitetin ku gjenden e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë nëse e gjejnë dot apo jo. Dy anë të rebelimit. Në njërën Uinston, i cili ndjen nevojën të shprehet, kundër vëzhgimit të vazhdueshëm të Vëllait të Madh, e kështu gjen një rrugëzgjidhje jo fort të sigurtë, e gjithashtu jo shumë funksionale. Në anën tjetër Xhulia e cila fillimisht shfaqet si një personazh i cili është mjaft i kënaqur të jetë një vegël e qeverisë, dhe të kryej akte rebelimi veç në fshehtësi.

Këto dy reflektime të pikturuara mjeshtërisht nga Orwell, i ngjasojnë jo pak, personazheve aktuale të perditshmërisë së gjithësecilit. Kudo hasim një Xhulia, një Uinston, nje O’Brajen. Janë të gjithë real, të prekshëm, sikur të ishin prej mishi e kockash, në botën distopike të këtij autori të studiuar gjerësisht, nuk ka asgjë distopike tek personazhet e tij. Frika dhe paranoja e tyre, të ushqyera ca nga padija, e pak më tepër nga regjimi, janë edhe aspektet më humane të tyre, ata janë njerëz të thjeshtë.

Ndoshta do të ishte më lehtë e përtypshme nëse nuk do të ishin si ne. Por gjaku që rrjedh në venat e tyre është si i joni, dhe kjo e bën veprën sa të prekshme aq edhe realiste dhe deri diku pesimiste.

Më tej doja edhe të përmendja vendin ku zhvillohen ngjarjet, para se të lexoja Orëellin koncepti im për distopin ishte pak më i ndryshëm. E kuptoja mjaft mirë që me këtë term nënkuptohej një vend i shkatërruar, në pamundësi për të siguruar vetëmjaftueshmërine, por në perceptimin tim ky vend ishte imagjinar. E ndërkohë Uinstoni jeton ne Londër. Londra nuk është imagjinare.

Dhe për mua ashtu si personazhet edhe zgjedhja e vendeve, si Oqeania apo vendet historinë e të cilave Uinstoni rishkruan si ti volitet partisë, është gjeniale. Personazhe të prekshëm, vende të imagjinueshme, një realitet i stisur.

Pra gjithçka vjen si një lehtësim i rrethanave për lexuesin, ne nuk detyrohemi të lodhemi të kuptojmë fantazimet e shfrenuara të autorit, ai do të na fokusojë tek ajo çka vërtet vlen. Disa ndoshta edhe kanë argumentuar që ai do të na friksojë.

Por nuk janë personazhet apo vendi ku zhvillohen ngjarjet ato të ciliat më kanë bërë përshtypje në vepër. Koncepti distopik i Orwell, mënyra se si ai e trajton çështjen e totalitarizmit, dhe alarmi rrëqethës që ngre në lidhje me humbjen e të drejtave janë pjesët më kryesore të këtij libri për mua.

Ndoshta në vitin 1949 kur “1984” u botua, bujën më të madhe e ka bërë nënteksti, gjuha thuajse e urrejtjes me të cilën ai i drejtohet regjimit, i cili në kohën e romanit po përhapej si kërpudha pas shiut. Por sot, në ditët tona, kur duket se është pikërisht inteligjenca artificiale ajo që po rrëmben vëmendjen mediatike dhe popullore, gjithnjë e më tepër e gjej veten në mëdyshje. Mos ndoshta survejimi, si ai i Vëllait të Madh të Orëellit, është pikërisht e ardhmja jonë?

Në epokën e digjitalizmit të thellë kur çdo ditë flitet për sulme kibernetike ndaj të dhënave personale, apo për pajisje elektronike të cilat përgjojnë bisedat tona, të cilat monitorojnë çdo veprim tonin… epo mendoj se mund të them vetëm se ky roman më kall datën. Mes një bote si e tyrja ku jetohet nën thundrën e skamjes, dhunës, luftës, dhe tonës është jo fort e vështirë të vendosësh shenja të vogla barazimi. Sa larg jemi ne si shoqëri nga ajo e Oqeanisë se Orëellit?

Për më tepër, mua, si një fëmijë të lindur në gjeneratën Z, pra pas epokës së hidhur të komunizmit, më tremb edhe ideja e censurës. Jam mësuar gjithnjë të them atë që mendoj, e për mua nuk ka qenë kjo diçka për të cilën duhet të luftoj, përkundrazi jam inkurajuar ngahera të flas, madje të “bërtas” mendimet e mia të lira.

E kështu si unë ka plot, mijra ndoshta miliona njerëz, por sa nga ne arrijnë ta perceptojnë idenë se dikur, dikush krejt pa pritur e pa kujtuar mund të rrjep nga ne të drejtat themeltare që janë bërë një bazë e shoqërisë sonë moderne?! Një jetë pa fjalën e lirë, e për më tepër pa mendimin e lirë, pa individualitet, pa marrëdhënie te lira te cilitdo aspekt, duket sa pranë nesh, aq edhe vite dritë larg.

E megjithatë ky realitet u jetua nga prindërit e mi, gjyshërit, ky realitet vazhdon e jetohët në shumë republika globale, në vende të tjera edhe pse pretendohet të jenë demokrate, është pikërisht hija e demokracisë e cila fsheh dorën gjakatare komuniste. Asgjë nuk është e sigurtë, unë nuk jam në gjendje të them sesa afër ne jemi me regjimin e Orwellit, por aspekte të tij, i kemi implementuar që tani, pa dijeninë e të gjithëve, survejimi dhe deri diku edhe censura enden nëpër qoshe e skuta të shoqërisë, hija e tyre bëhet gjithnjë e më e madhe, ajo mbulon si një batanije e butë metaforike mendjet tona të paditura.

Ne orvatemi ditë pas dite të lobojmë për probleme që krahasuar me rrezikun për të cilin paralajmëron Orëell duken kaq të vogla, ne përpiqemi ti japim kuptim jetëve tona, por harrojmë se sa shpejtë mund të humbim gjithçka. E në fjalët e vetë George Orwell, “Partia mund të thoshte se 2+2=5 dhe ti duhet ta besoje. Madje ishte e pashmangshme që herët a vonë ata të shpallnin diçka të tille, vetë pozicioni I tyre e kërkonte. Jo vetëm vlera e përvojës, por edhe vetë ekzistenca e realitetit të jashtëm u mohua në heshtje nga filozofia e tyre.”

Në foto: Ceremonia e shpalljes së cmimeve #jamliber, organizuar me 25 prill 2024 në COD
Në foto: Patris Lole duke lexuar përshtypjen

*Autorja është nxënëse e klasës XI, në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë

Librin e gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *