Gruaja qe rilind pas cdo sfide

Në foto: Autorja e romanit biografik, Loreta Vaso dhe Dr. Lindita Beqiri Myzyri

Përshtypje rreth romanit biografik “U mbajta te parajsa” të autores Loreta Vaso, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Toena

Albert Gjoka*

Realiteti e tejkalon shpeshherë fiksionin në një mjedis si ky i yni për dramën, tragjedinë apo komedinë, që ta përplas pa teklif në fytyrë, duke i lënë rrëfimtarët guhakë, gojëkyçur dhe mendjempirë: Ngjarjet dhe personazhet e sfidojnë rrëfimtarin, të cilit shpeshherë i humbet ndjeshmëria për t’i kapur ngjarjet në detaje, pa mundur të sjellin histori; njëherësh të veçanta dhe me vlera universale. Njërën prej tyre e ka fiksuar, fatmirësisht, Loreta Vaso, autorja e romanit biografik “U mbajta te parajsa”. Rrëfimtarja e ka kapërcyer me sukses praninë dhe rrëfimin e personazhit real, – i ka qendruar besnike historisë reale, ka treguar durim në ndjekjen e të gjitha ngjarjeve të dramës që na zbulon hap pas hapi, ku ka në qendër një personazh real, një grua që nuk është dosido.

Pasi përfundova së lexuari romanin, më erdhi ndërmend personazhi real i këtij fiction-i biografik, – gjinekologia e njohur Lindita Myzyri, të cilën e kam njohur personalisht në rrethana profesionale dhe familjare. Kur kisha lexuar edhe epilogun e romanit, u përballa me një paradoks të fortë sepse doktoreshën e kam njohur si një profesioniste që i shëron pacientët edhe me fuqinë e fjalës dhe buzëqeshjes dhe di t’i japë jetë shëndetit të nënës me zejen dhe aftësitë që ka. Por, përtej bardhësisë së bluzës dhe shpirtit të fisëm, fshiheshin drama dhe tragjedi të njëpasnjëshme, të cilat vijnë të rrëfyera thjeshtë, qartë dhe rrjedhshëm në këtë libër. Them paradoks sepse nuk do ta kuptoja dhe as do ta lexoja kurrë dramën e jetës reale të doktoreshë Linditës nëse nuk do të kisha lexuar me një frymë romanin “U mbajta te parajsa”.

Të njohësh edhe romanin, edhe personazhin që i kushtohet romani, është një gjendje e rrallë, e paprovuar për shumë lexues, ku në të shumtën e herëve e ke të vështirë që të gjesh rrënjë dhe degë; por këtu ndodhemi përballë një realiteti tjetër: Sigurisht, çdo lexues që nuk i njeh personazhet apo historitë e këtij libri, mund ta lexojë librin fare mirë si një fiction dramatik, por, për ata që e kanë jetuar dramën e doktoreshës, nuk mund të mos befasohesh me mjeshtrinë e rrëfimit, me mënyrën e sendërtimit të personazhit, me paralelet mes natyrës dhe personazheve; me eksplorimin e botës së brendshme të personazhit dhe në shpalosjen e tij në të gjitha përmasat dhe dimensionet; si mjeke, si nënë, si bashkëshorte, si motër, si mikeshë, etj.

Ky roman ka në qendër një grua dhe si i tillë, fare mirë mund të ishte edhe një vepër feministe, por nuk është mo-ta-mo i tillë; pra, nuk jemi përballë romanit klasik feminist, pasi nuk merr asnjë trajtë të të gjitha llojeve të feminizmit që ne njohim nga letërsia e përbotshme e këtij lloji; por ky roman sjell modelin e femrës së munguar, të femrës sesi duhet të jetë, të femrës që lufton çdo ditë për të shpalosur vetveten, sado e vështirë që të jetë rruga e saj. Pra, sjell një model tjetër feminizmi, – të atij feminizmi që ka nevojë shoqëria jonë në çdo kohë.

Autorja Loreta Vaso dhe personazhi Dr. Lindita Beqiri gjatë paraqitjes së romanit “U mbajta te parajsa

Pikërisht, për këtë arsye, unë e rekomandoj fort këtë roman, – tek të gjitha ato gra që duan të njohin një bashkëshorte që sakrifikon për dashurinë e saj; për të gjitha ato femra që janë kryqëzuar, kur kanë humbur njerëzit e dashur në jetët e tyre; tek të gjitha ato dhunuara që janë përballur me grushtin brutal të mashkullit apo kanë pasur brenda familjes së tyre vdekjen e ngadaltë prej duhmave të alkoolit; për të gjitha ato femra që janë dorëzuar nga sëmundja dhe vështirësitë; për të gjitha ato kryefamiljare që janë në kërkimin e modelit të nënës që jeton çdo çast me ëndrrat e fëmijëve të saj dhe që nuk rreshtin kurrë për t’ua ushqyer ato ëndrrat e tyre me përkushtimin, pasionin dhe sakrificën e përditshme; për të gjitha ato që janë në kërkim të gruas që ka një botë të madhe me ide dhe energji brenda vetes, pa make-up-in e stisur; për të gjitha ato zonja në karrierë që ende nuk e dijnë se çfarë do të thotë të sakrifikosh për tu bërë një profesioniste e zonja, e njëherësh të kesh zellin për dije dhe formim në njërën dorë dhe të mbash në dorën tjetër edhe familjen.

E rekomandoj fort këtë roman për të gjitha ato femra që janë në kërkim të mikes apo mikut të çmuar, i cili të gjendet në krah kur ti ke nevojë dhe që di të të dëgjojë apo të të këshillojë në ato momente kur bota të gremiset para këmbësh: E rekomandoj edhe për ato që lëkunden nga vështirësive të jetës teksa pengesat u bëhen plagë apo varr para sysh, sepse personazhi i këtij romani nuk bën kthim pas me vlerat, premtimet dhe vendimet që merr në jetë.

E rekomandoj sërish këtë libër sepse do të gjeni njeriun që i jep formë dhe ngjyrë realitetit, përkundër asaj që na ndodh shumicës prej nesh teksa koha lë vraga dhe gjurmë brenda qenies tonë, duke na bjerrur e zvetnuar forcën e individualitetit.

Së fundi, ky roman është edhe për të gjithë burrat sepse, pasi të përfundojnë faqen e fundit të këtij libri, do të mësojnë shumë sesi duhet dhe nuk duhet të sillen me gratë, nënat, vajzat, motrat, koleget apo mikeshat e tyre… 

Një personazh të tillë si Linda është e vështirë ta takosh në një mjedis ku individi plazmohet apo dorëzohet, ku viktimizohet apo zhbëhet. Linda nuk është e tillë: Ajo është burimi i energjisë për çdo grua që do të sfidojë dhe modeli i gruas që çdo burrë do të donte ta njihte, ta kishte mike apo ta kishte në krah; Të gjitha këto përmasa të personazhit i sjell natyrshëm në të gjitha historitë njerëzore autorja e cila të duket sikur është edhe dëshmitare, edhe rrëfimtare edhe vetë gruaja, duke e bërë lexuesin që të përjetojë në çdo moment ankth, tension, frikë dhe të papritura, paçka se përballë ka një grua që nuk epet për asnjë çast.

Historia e secilit prej nesh mund të jetë e denjë për roman apo film në përditshmërinë që jetojmë por, historia e Lindës është ajo që i ka munguar letërsisë bashkëkohore, – i ka munguar zhanrit, i ka munguar modelit të gruas dhe humanitetit tonë. Duke i qendruar besnike historisë së personazhit, ajo i ka sjellë lexuesit një roman biografik të pazakontë, me vlera të shumëfishta.     

“Doja shumë të shkruhej historia reale e jetës sime ‘lakuriqe’, për të përcjellë mesazhe tek ato nëna, gra, vajza që në jetë mund të kenë kaluar situata të vështira”, – thonë në fund vetë personazhi i romanit: Dhe realisht autorja e librit, Loreta Vaso ia ka arritur që të përcjellë “amanetin” e personazhit real, të sjellë personazhin e Lindës si gruaja që rilind pas çdo vështirësie, që mëson pas çdo pengese dhe që bëhet më e fortë pas çdo sfide.   

*Autori është menaxher i platformës më të madhe online të librit, Bukinist.al

Kjo përshtypje është botuar në gazetën e përditshme “Panorama”

Librin e gjeni online, tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *