Scott Moeller, Kristal Hykaj

<strong>Scott Moeller</strong> është drejtor dhe Themelues i Qendrës së Kërkimeve M&A në Bayes Business School (City, University of London). Profesor i Praktikës së Financave, me përvojë mbi 20-vjeçare në banking ndërkombëtar (Morgan Stanley, Deutsche Bank, Booz Allen & Hamilton). Autor i disa librave kryesorë mbi Mergers & Acquisitions dhe Inteligjencën e biznesit. <strong>Kristal Hykaj</strong> është Doktor i Shkencave Ekonomike pranë Institutit të Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës. Ai ka kryer Masterin në Cass Business School (Londër), në drejtimin “Menaxhim i Kompanive në Buzë të Falimentimit” dhe Bachelorin në Bankë & Financë Ndërkombëtare në të njëjtin universitet. Ka përvojë të gjerë në sektorin publik, privat dhe arsimin e lartë. Ka qenë kontrollues financiar i projekteve të Bashkimit Evropian pranë Ministrisë së Financave, këshilltar Ekonomik në Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen (programi Lead Albania – AADF 2024–2025) dhe këshilltar i jashtëm Ekonomik pranë Kabinetit të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Aktualisht është lektor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë për lëndët Financë e Korporatave dhe Financë Ndërkombëtare, konsulent në disa projekte dhe menaxher i bizneseve në sektorin privat. “M & A - Teoria ndërkombëtare e ndërthurur me praktikën Shqiptare të bashkimit dhe blerjes së kapitalit” është botimi i parë ku Dr. Kristal Hyka ka bërë përshtatjen dhe ka sjellë rastet e praktikës së M & A në Shqipëri, duke i dhënë vlerë kontekstuale ideve të librit të Scott Moeller.

M & A – Teoria nderkombetare e nderthurur me praktiken shqiptare te bashkimit dhe blerjes së kapitalit

Biblioteka e biznesit dhe ajo akademike pasurohen për herë të parë me një botim unik rreth procesit të Bashkimit dhe Blerjeve të sipërmarrjeve (M&A). Ky libër, i sjellë nga bashkëpunimi mes profesorit të Bayes Business School, Scott Moeller dhe Dr. Kristal Hykaj, tregon se si aplikimi i inteligjencës së biznesit rrit ndjeshëm suksesin tregtar të këtyre transaksioneve. Vlera e tij shtohet nga ndërthurja e teorisë ndërkombëtare me shembuj praktikë nga korporatat në tregun shqiptar. Një udhëzues thelbësor për profesionistët e ekonomisë, tashmë i disponueshëm në Leximtari.

2, 000.00 L

Ka stok (mund të paraporositet)

9789928847126
SKU: KH0010
0

Përshkrimi

Një udhëzues strategjik për Bashkimet dhe Blerjet (M&A) në realitetin shqiptar

Në një epokë ku zhvillimet e ekonomisë globale dhe teknologjisë po transformojnë mënyrën e të bërit biznes, transaksionet e thjeshta financiare nuk mjaftojnë më. Sot, bashkimet dhe blerjet e sipërmarrjeve (M&A) janë mekanizma thelbësorë strategjikë që formësojnë industri të tëra, rrisin konkurrencën dhe diktojnë të ardhmen e korporatave. Libri “M & A – Teoria ndërkombëtare e ndërthurur me praktikën shqiptare të bashkimit dhe blerjes së kapitalit”, frut i bashkëpunimit mes Prof. Scott Moeller dhe Dr. Kristal Hykaj, vjen si një kontribut thelbësor në literaturën tonë akademike dhe atë të biznesit.

Ky botim nuk është thjesht një trajtesë teorike. Ai shërben si një manual praktik që e udhëheq lexuesin në çdo fazë të një marrëveshjeje M&A—që nga gjeneza e saj si një ide strategjike e deri tek integrimi pas bashkimit. Duke integruar modele të avancuara si “Intelligent M&A” apo “LEARN CIA”, libri demonstron sesi përdorimi i inteligjencës së biznesit përmirëson shanset e suksesit për menaxherët, punonjësit dhe aksionarët.

Ajo që e bën këtë vepër unike dhe tejet të vlefshme është ura që ndërton mes koncepteve teorike të zhvilluara në qendrat botërore dhe realitetit dinamik shqiptar. Autori sjell në vëmendje raste konkrete nga tregu ynë, si bashkimi i ALBtelecom dhe ONE Telecommunications apo blerja e ABCom nga Vodafone, duke treguar se si Shqipëria mund të përdorë M&A për të tërhequr investime të huaja dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.

Parathënie nga Akademik Prof. dr Anastas Angjeli

Zhvillimet e ekonomisë globale, veçanërisht 30-të vitet e fundit, krahas zhvillimeve të vrullshme teknologjike, sollën edhe ndryshime dhe përvoja të shumta dhe të reja në të bërit biznes. Në këtë kuadër, një zhvillim të dukshëm morën dhe format e biznesit përmes bashkimeve dhe blerjeve (M&A) të bizneseve, duke i transformuar ato në biznese të reja, më të avancuara dhe më të suksesshme. Kështu, këto lloj biznesesh, tashmë, nuk janë më thjesht transaksione financiare, por mekanizma strategjikë që formësojnë ekonomitë, industritë dhe madje, në shumë raste, edhe fatet e vendeve.

Si një vend në tranzicion drejt integrimit evropian edhe Shqipëria po përballet gjithnjë e më shumë me këtë realitet dinamik, ku teoria ndërkombëtare duhet të ndërthuret me praktikën lokale për të krijuar modele të suksesshme zhvillimi. Është pikërisht këtu ku libri i Dr. Kristal Hykaj, “M&A: Teoria ndërkombëtare e ndërthurur me praktikën Shqiptare të bashkimit dhe blerjes së kapitalit”, i vjen lexuesit, si një kontribut i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

Ky libër është një udhëzues për të hyrë në industrinë e bashkimeve dhe fushën në zhvillim të inteligjencës së biznesit. Më pas, libri funksionon përmes një marrëveshjeje M&A që nga fillimi kur marrëveshja është vetëm një ide strategjike deri në periudhën e bashkimit dhe pas bashkimit drejt një zhvillimi të ri.

Në çdo fazë, tregohet se si mund të zbatohen teknikat e inteligjencës së biznesit për të përmirësuar shanset që një marrëveshje e këtij lloji të ketë sukses, jo vetëm për të përparuar në fazën tjetër, por për të qenë e suksesshme për menaxherët, punonjësit, aksionarët dhe aksione të tjera.

Dr. Hykaj, me një sfond të pasur akademik dhe praktik në fushën e financave dhe ekonomisë, arrin të ndërtojë një urë mes koncepteve teorike të zhvilluara në qendrat botërore të M&A-së dhe realitetit shqiptar. Libri nuk është thjesht dhe vetëm një përkthim apo adaptim i literaturës ekzistuese në fushën e M&A.

Ky punim është një kombinim i shfrytëzimit të përvojës që literatura jep në këtë fushë me analizën origjinale që autori bën dhe integron modele si “Intelligent M&A” me shembuj konkretë edhe nga tregu shqiptar, si bashkimi i ALBtelecom dhe ONE Telecommunications në ONE Albania apo blerja e ABCom nga Vodafone.

Këto raste, edhe pse jo të shumta, dëshmojnë faktin, se si, dhe Shqipëria, pavarësisht madhësisë së tregut të saj (të vogël), mund të shfrytëzojë M&A për të ndërtuar e zhvilluar biznese të mëdha të suksesshme, për të forcuar konkurrencën, për të tërhequr investime të huaja dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Në kontekstin e Shqipërisë, ku ekonomia krahas arritjeve të shënuara në reformat rregullatore dhe të lirisë ekonomike, ndeshet ende me sfida si burokracia, korrupsioni i perceptuar dhe mungesa e eksperiencës në transaksione të mëdha, ky libër ofron një udhëzues jo thjesht teorik në shërbim të biznesit, ekonomistëve, financierve dhe juristëve si dhe studentëve të këtyre fushave por njëherasi, ai shërben dhe si një udhërrëfyes praktik në shërbim të këtij komuniteti. Ai trajton tema kyçe si integrimi pas bashkimit (post-merger integration), duke përdorur modele si LEARN CIA, dhe thekson rëndësinë e transparencës, ruajtjes së talenteve dhe menaxhimit kulturor – elementë kritikë për të shmangur dështimet e zakonshme.

Për studentët, menaxherët dhe politikëbërësit shqiptarë, ky punim është një burim i vlefshëm që ndihmon në kuptimin se si M&A mund të jetë mjet për zhvillimin e qëndrueshëm, sidomos në sektorët strategjikë si telekomunikacioni, sistemi bankar dhe sistemi energjitik, etj.

Në vlerësimin tim, si akademik por edhe politikbërës dhe drejtues për një kohë të gjatë i disa institucioneve ekonomike e financiare të larta shtetërore dhe duke ndjekur në vazhdimësi zhvillimet dhe evolucionin e ekonomisë shqiptare, mendoj se ky libër vjen në kohën e duhur, kur Shqipëria, është drejt stacionit të fundit të tranzicionit, përmes vazhdimit të negociatave në të gjithë grupkapitujt, drejt integrimit në Bashkimin Europian. Kësisoj, instrumentet e zhvilluara në këtë punim janë njëherëshi dhe rekomandime për t’u përdorur për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në ekonominë e vendit tonë.

Pra, libri që vjen në duart tuaja, nuk është vetëm një tekst akademik, por një udhërëfyes praktik që mbart thirrjen për veprim: për të aplikuar inteligjencën në M&A, duke e adaptuar atë me kontekstin e ekonomisë tonë.

Uroj që ky libër të frymëzojë brezin e ri të ekonomistëve dhe sipërmarrësve shqiptarë për të naviguar me sukses në “fushën e minuar” të bashkimeve dhe blerjeve. Urime autorit për këtë kontribut të vyer.

Më shumë info për këtë artikull

Libri
0
Autori
0
Leximtari.al
0

Ende pa shqyrtime.

Bëhuni i pari që shqyrton “M & A – Teoria nderkombetare e nderthurur me praktiken shqiptare te bashkimit dhe blerjes së kapitalit”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

1 2 3 4 5
1 2 3 4 5
1 2 3 4 5

Duhet të keni hyrë për të qenë në gjendje të shtoni foto në vlerësimin tuaj.