Lavanderia e Diellit
- Autori: Robert Aliaj Dragot
- Shtëpia botuese: Pegi
- Redaktori: Matilda Hyseni
Tregimet autobiografike të një piktori që kthehet në Tiranën e fëmijërisë së tij nën diktaturë, për të kuptuar se çfarë mbetet pas frikës: plagët, heshtja dhe ëndrrat që askush nuk mundi t’ia marrë.
1, 000.00 L Çmimi origjinal qe: 1, 000.00 L.850.00 LÇmimi i tanishëm është: 850.00 L.
Ka stok (mund të paraporositet)
Përshkrimi
Ka fëmijëri që nuk maten me vite, por me dritë: me orën e artë kur dielli zbret mbi kalldrëmin e një lagjeje të vogël dhe hijet zgjaten mbi muret e pupulitit.
Robert Aliaj kthehet në lagjet e Tiranës, në një kohë kur përgjohej edhe lindja e diellit, kur në shtëpi fliteshin dy versione të shqipes, një private dhe një publike, dhe kur edhe e qeshura më e pafajshme mund të peshonte sa një tradhti.
Këto tregime autobiografike janë një përpjekje për ta rrokur me fjalë thelbin më të vërtetë e të dhimbshëm të jetës: heshtjen e një babai, duart e një nëne që lë shënime mes rreshtave të librave “për më vonë”, një aeroplan që nuk fluturon kurrë dhe djalin që ulet në buzë të pistës për ta parë.
Nga vrimat e një muri, nga dritarja e mjegulluar e një banje, nga ëndrrat që askush nuk i mban dot nën kontroll, fëmija mëson atë që nuk mund t’ia marrë njeri: të ndiejë, të vëzhgojë, të imagjinojë. Si shkruhet për asgjënë, kur ajo asgjë ka qenë lënda e një jete të tërë?
Me një prozë që ndërthur humorin e zi me elegjinë dhe syrin e piktorit me mallin e mërgimtarit, Aliaj na kujton se kujtesa nuk është arkiv, por ndjesi, si aroma e sapunit që sjell me vete një mëngjes fëmijërie. Një libër për një brez të burgosur që mësoi të heshtë dhe për fëmijën që, mes të njëjtave mure, nuk reshti kurrë së ëndërruari.
Libri përmban tridhjetë e tetë tregime, nga lindja e autorit në një familje me nëntë fëmijë, të dëbuar me dekret nga shtëpia, deri te vdekja e nënës, që lë pas një shënim të fundit mes faqeve të librave të saj.
Mes tyre: babai që refuzoi të hynte në Parti dhe u shpëtua vetëm pak minuta para pushkatimit; arrestimi i parë, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, për një ditëlindje ku kishte kënduar me kitarë; shoku i ngushtë që, siç mësohet pas rënies së regjimit, e kishte denoncuar gjithë kohën; radha e vajgurit pas mesnate; fabrika e çimentos; këngët e fshehta pas dritareve të mbuluara me batanije. Titullin libri e merr nga lavanderia publike e lagjes, me tabelën e saj të rrënuar në hyrje, që ishte qendra e jetës së mëhallës dhe, për djemtë e saj, kutia e Pandorës.
Rrëfimet shoqërohen nga vizatimet e autorit, të frymëzuara nga cikli “Los Caprichos” i Francisco de Goya-s: një ditar vizual që, si vetë tregimet, lëviz në kufirin mes kujtesës dhe imagjinatës. Siç shkruan autori në prolog, qëllimi i tij nuk ka qenë ta rindërtojë historinë si fakt, por ta risjellë si ndjesi: një zgjim i kujtesës kolektive përmes kujtesës individuale.
Më shumë info për këtë artikull
- Numri i faqeve: 330 Faqe
- Data e publikimit: 15/11/2026
- Mosha e leximit: mbi 16 vjeç
- Vendi i botimit: Tirane

Shqyrtime
Pastro filtratEnde pa shqyrtime.