Deniz Xhoga Çupi
Deniz (Xhoga) Çupi u diplomua në programin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1997, duke nisur një rrugëtim që do të ndërthurte fjalën, mendimin dhe ndjeshmërinë njerëzore. Për gati dy dekada, ajo i dha zë realitetit si gazetare e çështjeve sociale në disa nga gazetat kryesore të vendit, si: Gazeta Shqiptare, Shekulli, Korrieri, Panorama etj, si dhe në ekranet e Televizionit Koha dhe TVScan. Në këtë periudhë, puna e saj u vlerësua me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si dëshmi e përkushtimit dhe integritetit profesional. Më pas, ajo solli përvojën e saj në fushën institucionale, duke kontribuar si eksperte e medias në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit. Në vitin 2021 mbrojti doktoraturën në komunikim dhe media, duke thelluar kërkimin e saj në raportin mes shoqërisë dhe diskursit publik. Dy vite më vonë, në 2023, shtëpia botuese ndërkombëtare Springer Nature botoi monografinë e saj “Debatet mjedisore në media”, një reflektim i thellë mbi mënyrën si ndërtohet dhe përcillet realiteti në mediat shqiptare. Sot, ajo është lektore e gazetarisë në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, ku vazhdon të formojë breza të rinj, duke u përcjellë jo vetëm dije, por edhe ndjeshmërinë ndaj fjalës dhe së vërtetës.
700.00 L Çmimi origjinal qe: 700.00 L.595.00 LÇmimi i tanishëm është: 595.00 L.
Ka stok (mund të paraporositet)
Përshkrimi
REVIEWS
…Përmes një gjuhe të zhveshur nga patetizmi, por të ngarkuar me tension të brendshëm dramatik, Deniz Xhoga arrin të ndërtojë një poezi që jeton në kufirin mes humbjes dhe shpresës, mes kujtesës dhe mungesës. Në vëllimin Hijet e vetes, njeriu shfaqet vazhdimisht përballë asaj që nuk arriti të jetojë, të thotë apo të ruajë. Gjendjet e saj pezull janë një thirrje e heshtur për plotësi, një klithmë estetike që lind pikërisht nga vetëdija se jeta shpesh mbetet e papërfunduar. Në këtë kuptim, tragjedia e poezisë së Xhogës nuk është vetëm humbja e asaj që iku, por edhe bashkëjetesa e vazhdueshme me hijet që ajo lë pas. Dhe pikërisht aty, në atë hapësirë të ndërmjetme mes errësirës dhe dritës, poezia e saj gjen forcën dhe bukurinë e vet më të madhe.
Alisa Velaj
….E shtrirë në një periudhë kohore thuajse për tri dekada, krijimet e saj të japin kënaqësi estetike dhe njëherësh të vë në mendime për mesazhet që përcjell. Libri i konceptuar në tre cikle dhe konkretisht “Vetmi e trisht”, “Proza poetike” dhe “Në ikjen tënde” sjell një shumëllojshmëri motivesh që i përkasin sferës së brendshme, pjesës shpirtërore, intimes, gjendjes së poetes; Xhoga bën kujdes si në titujt poetikë aq edhe në realizimn e tyre. Në një vështrim të shpejtë autorja shpërfaqet si një qenie e shqetësuar, teksa shkruan për jehonat, buzëqeshjen, përdhunimin e shpirtit, psherëtimën mes pishave, ikjen, jetën, vdekjen, kambanën e largët apo për kohën, stinën e vjeshtës, vetminë, bastardin, urrejtjen, muzgun e vetmisë, mallin, studentët, sytë dhe plot tema të tjera që e ndjekin njeriun nga lindja e deri në vitet e mbrame….
Çerçiz Loloçi
Ngjarje më vete është kur publikon librin e parë, siç ka ndodhur me gazetaren e njohur në shtypin shqiptar dhe profesoren e universitetit të Vlorës, Deniz Çupi (Xhoga). Dhjetra poezi, të shkruar në kohë të ndryshme, mbase qysh nga vitet gjimnaziste e deri te më të vonat, ishin një befasi për larminë e motiveve dhe sidomos për realizimin estetik. Deniz Çupi (Xhoga) parapëlqen poezinë që lë mbrapa një mesazh, një kumt, një amanet, një dëshirë dhe këtë e bën në mënyrë të natyrshme, pa sforcime, siç mund të bëhet një bisedë intime me miqtë më të ngushtë apo të njohurit e hershëm. Libri i parë poetik, i konceptuar në formë triptiku, që ka brenda tij edhe pak proza, është një ogur i mirë për autoren dhe një ndihmesë për kulturën shqiptare. Siç ndodh zakonisht edhe në letërsitë e tjera, gjeneratat e krijuesve kanë anë të përbashkëta, por edhe të veçantat e tyre; në këtë kuptim poezia e Deniz Çupit (Xhogës) përfshihet në grupimin e letrarëve të post-diktaturës, që s’kanë konvencione e tabu, s’preferojnë kufizime e censurë, janë më të drejtpërdrejtë në komunikimin me lexuesit dhe kjo është padyshim një cilësi e çmueshme. Deniz Çupi ka një fillim të mbarë me librin e parë, por ne shpresojmë se ajo do të vijë sërish me botime të tjera në kërkim të formimit të individuelitetit të vet, çka është sfida e çdo krijuesi.
Sadik Bejko
Më shumë info për këtë artikull
- Numri i faqeve: 164 Faqe
- Data e publikimit: 01/09/2026
- Mosha e leximit: mbi 16 vjeç
- Vendi i botimit: Tirane

Shqyrtime
Pastro filtratEnde pa shqyrtime.