Rebelja e bukur – Kujtim Oshafi
- Autori: Kujtim Oshafi
- Shtëpia botuese: Ada
- Redaktori: Kujtim Oshafi
Përshkrimi
Rebelja e bukur titullohet vepra e plotë poetike e autorit Kujtim Oshafi që iu vjen lexuesve. Ky vëllim është i organizuar në pesë cikle: “Meditimi”, “Dashuria”, “Malli”, “Zhgënjimi” dhe “Vendlindja”.
Cikli “Meditimi” është cikli me shtrirjen më të gjerë në veprën në fjalë. Figura e femrës është ajo figurë rreth të së cilës shtjellohen përsiatje të ndjeshme poetike, e shndërruar në një kult. Kryeson tematika e mungesës, çka do të sjellë një dëshpërim të thellë shpirtëror, por edhe një përpjekje për t’iu qasur asaj, në kohë e në hapësirë.
Ndonëse një femër rebele, refuzuese në kulm, mashkulli nuk e urren atë, por e çmon pamasë, duke e kultizuar në një femër – engjëll, shenjtore, e ëmbël, sa edhe prurëse e mrekullive. Ajo adhurohet edhe në aspektin fizik të saj, me tiparet e saj, të ndërlidhura me ligjërimin popullor, ligjërim që përvijon edhe stilin shkrimor autorial. Femra bëhet e gjithëpranishme në mendjen e në ndjenjat e përftuara në raport me të. Nuk mohohet as fakti që ky raport arrin edhe kufijtë e marrëzisë, të siluetave të krijuara në vetminë e natës, vetmi e cila përcjell tone mjaft romantike situative.
Duhet theksuar që mungesa e feemrës bën që ky cikël të tematizojë edhe dedikimin, përbashkimin delikat të endjes së vargjeve lirike. Pa dedikim, nuk mund të kemi meditim.
Cikli “Dashuria”, ndonëse sintetik në krahasim me ciklin “Meditimi”, është një cikël poetik me këndvështrime mjaft përafruese. Femra, në këtë rast, shfaqet rebele në natyrën e saj. Lexuesi mund të pyesë se çfarë nënkuptohet me këtë aspekt. Dashuria ndërlidhet dukshëm me ndërveprimin fizik, pra, me konceptimin e erotikës.
Rebelimi ka të bëjë me karakterin nazik / tekanjoz të femrës, duke u bërë gjithnjë e më tërheqëse në sytë e një mashkulli. Qoftë edhe një vështrim i përvjedhur tinëz përcjell dashurinë. Nga ana tjetër, dedikimet metaforike, si p.sh. engjëll, dritë, flutur, janë tejet të fuqishme; por edhe ndjesitë mashkullore janë të tilla, të tendosura në strukturë
vargu, si në rastin e pranëvënies metaforike të ujëvarave të trazuara, të fushave ku enden fluturat, të detrave ku lundrojnë dallgët e zemrës. Këto metaforizime e ndërfusin lexuesin në botën figurative popullore të përshkrimit të dashurisë, në një formë konverguese. Dashuria tematizohet jo vetëm në trajtën e mungesës, por edhe të pranisë, çka përsjat mbi psikologjinë e lidhjes së një çifti.
Cikli “Malli”, sikurse edhe nga titulli, kryesohet nga tematika e mallit. Ky koncept mëton të lidhë të shkuarën me të tashmen, pra, me rendjen pas të së shkuarës, me një nostalgji të vënë në pah, si realizimin “metafizik – simbolik” të pranisë.
Në këtë cikël, e shkuara përcillet artistikisht, në një spektër më të gjerë, jo vetëm të dashurisë së shuar. Bëhet fjalë për realitetin politik të personazhit, i cili e ka detyruar të marrë rrugën e hidhur e të pakthyeshme të emigracionit. Malli për t’u rikthyer në të, i mban të gjalla kujtimet. Figura e nënës, koha e fëmijërisë, apo kasollja e braktisur prej druri e mbushin me dhimbje atë, por synon që të risjellë freskinë dhe pafajësinë që mbartin ato kujtime.
Ky personazh ndërfut edhe pyetje retorike, për ta pasur sa më pranë lexuesin, në mënyrë që të krijojë imazhin e një bashkëbiseduesi, i cili ia percepton dhe kupton hallet e brengat që e mundojnë vazhdimisht. Lexuesi merr pozitën e një lexuesi emocional, sa edhe interaktiv me botën e tij ekzistenciale.
Në këtë cikël, malli sintetizohet me potencialitet, me aspektin e dedikimit, përmes detajeve të hapësirës, në funksion të vënies në pah të kohës së shkuar, e cila jo vetëm që nuk anashkalohet, por bëhet pjesë funksionale e ciklit “Malli”.
Cikli “Zhgënjimi” është një cikël i cili kryesisht tematizon motivin e ndarjes së një çifti, sidomos i fokusuar
te largimi psiko-fizik i femrës, largim i cili shenjon kulminacionin e karakterit të saj rebel. Prandaj, partneri mashkull, i paraqitur artistikisht si zëri lirik i poezive të këtij cikli, mëton të gjejë arsyet e vendimit të saj, për t’u ndarë përfundimisht. Vargjet janë kryesisht të përshkuar nga stili melankolik, si rrugëtim poetik i trazirave të brendshme ekzistenciale.
Melankolia plekset me motivin e zhgënjimit, duke i dhënë përparësi të shkuarës, periudha e kaluar mes çiftit, kështu që partneri nuk e eklipson, nuk e depoetizon figurën e femrës, por përkundrazi, rend ta rikujtojë atë, në çdo detaj të mundshëm, sidomos te letrat e cila ajo ia ka lënë të shkruara në shenjë lamtumire. Por për të, ngjan mos të kapërcejë të shkuarën, të mbetet rob i saj, pre e zhgënjimeve të thella. Asgjë nuk mundet ta ndalë atë, ndonëse i burgosur në kthetrat e kohës e të hapësirës.
Cikli “Vendlindja” është një cikël në të cilin mund të themi se shprehet botëkuptimi revoltues i autorit, duke iu dhënë kështu poezive, një karakter autobiografik. Lexuesi mund të pyesë në lidhje me arsyet e kësaj përzgjedhjeje.
Kjo ka të bëjë me temën e emigracionit, si largim nga vendlindja, për shkak të varfërisë ekstreme, të motivuar nga pakënaqësitë politike dhe korrupsioni në nivele të larta, nga organet qeverisëse të shtetit. Largimi frizik, i shtrirë në kohë, sa vjen e thellon zhgënjimin autorial, por kjo nuk do të thotë se është larguar shpirtërisht. Sensi i kritikës është tejet i theksuar, në sajë të alegorive metaforike e krahasimeve simbolike, apo edhe të ironive, të cilat “fshikullojnë”, godasin në formë ideoartistike, sistemin politik shqiptar.
Gjithashtu, ky cikël përshkohet edhe nga një linjë tjetër pikëvështrimi: nga shpresa për të parë një shtet me bazën e të së drejtës, pra, me bazë drejtësie, një dritë metaforike, e cila zgjon sa pesimizëm tek rikujton realitetin e hidhur e therës, aq sa edhe dëshirën për t’u rikthyer në vendlindje, në fshatin e tij të shumëdashur, nga largimi prej të cilit është ndjerë i harruar e të cilin e risjell poetikisht, me mall e nostalgji. Autori ndjehet i dyzuar, pasi mungesa e drejtësisë përcjell zbrazëtinë e tij shpirtërore dhe revoltimin maksimal të tij, teksa është i ndërgjegjshëm për gjendjen kaotike të vendit të tij.
Si përfundim, sistemi poetik i vëllimit “Rebelja e bukur” është i ndërlidhur përmes ndjenjës, tipike e strukturës së vargut lirik, në sintezë me dysinë meditim – dedikim. Aty ku ka dashuri, aty ku jetohet e frymohet, ka edhe zhgënjim e mospajtim njëherësh. Sepse e tillë është projektuar qenia njerëzore: sa komplekse, aq edhe kontradiktore
Më shumë info për këtë artikull
- Numri i faqeve: 232 Faqe
- Vendi i botimit: Tirane

Shqyrtime
Pastro filtratEnde pa shqyrtime.