10 librat me te mire per biznesin ne vitin 2026

Rekomandime për sipërmarrës dhe menaxherë që të përmirësojnë aftësitë e tyre në vendimmarrje, marketing digjital, njohjen e parasë, konkurencën, ndërtimin e strategjive, lidershipit dhe shumë aftësive të tjera për të sfiduar me sukses një botë që ndryshon vazhdimisht
Albert GJOKA*
Në një botë që ndryshon vazhdimisht bëhet gjithnjë e më e vështirë përshtatja, mbijetesa dhe akoma më sfidante suksesi në sipërmarrje. Në një mjedis kaotik nuk kanë shumë rëndësi bizneset e strukturuara dhe të qëndrueshme, sepse nuk ekzistojnë më të tilla, por një qasje elastike në drejtimin dhe menaxhimin e biznesit.
Për këtë arsye, vlen për këdo, por sidomos për njerëzit e sipërmarrjes që të përftojnë njohuri cilësore, të cilat u mprehin shqisat e përshtatjes, të kuptimit të mjedisit dhe rrisin të ashtuquajturat “aftësi të buta” që u nevojiten në aktivitetin e përditshëm.
Modelet e sipermarrjes, njohja e parasë, marketingu digjital, inteligjenca artificiale, menaxhimi i kohës, sjellja ndaj konkurrentëve, fokusi, vendimmarrja, lidershipi apo negocimi janë disa nga aftësitë që sot duhen më shumë se kurrë.
Viti 2026 ka nisur me plot sfida, konflikte, tensione dhe kaos në mënyrën sesi funksionojnë marrëdhëniet njerëzore, raportet mes shteteve dhe betejat për tregje.
Drejtuesi i librarisë Leximtari, Dr. Albert Gjoka ka bërë një vlerësim të gjithë librave të biznesit dhe zhvillimit personal që janë botuar në gjuhën shqipe; ka shqyrtuar me vëmendje edhe botimet që janë hedhur në qarkullim gjatë vitit 2025 si dhe ka përzgjedhur aftësitë specifike që mund t’i nevojiten çdokujt që jep produkte apo shërbime për të përmirësuar siipërmarrjen, duke marrë në konsideratë nevoat dhe tiparet e mjedisit tonë.
Ne kemi marrë në konsideratë jo vetëm autorë të huaj, por edhe shqiptarë si profesorin Adrian Cicivi, sipërmarrësin Vasil Naçi apo ekspertin e marketingut digjital, Renato Civili, të cilët me idetë dhe mendimet e tyre i flasin biznesit tonë me shembuj dhe mendësi konkrete.
Mbështetur mbi një mjedis dinamik dhe momentet kaotike që po kalon bota dhe bazuar mbi nevojat për njohuri cilësore që duhet të kenë sipërmarrësit dhe menaxherët në bizneset shqiptare, ne kemi përzgjedhur 10 libra që duhet t’i lexojë kushdo që drejton apo punon në një fushë të tillë.

Le të nisim pa humbur kohë me paraqitjen e titujve dhe arsyet përse janë listuar si rekomandime që çdo njeri që punon apo drejton biznese duhet ti lexojë gjatë këtij viti:
1. “Sekretet e gjenive të biznesit” nga Adrian Civici (me dy vëllime) botuar nga Mediaprint.

Këtu nuk janë thjeshtë 48 biografi të njerëzve më të shquar të biznesit në mbarë botën, por janë 48 histori dhe modele të cilat ngacmojnë imagjinatën e çdokujt që do të futet në botën e madhe të tregjeve. Në këtë libër modelet vijnë me ulje-ngritjet e tyre, me raportet e ndërlikuara me tregun dhe shtetin, me filozofinë e të bërit biznes dhe me mendësinë sesi pengesat mund të kthehen në avantazhe dhe qëndrueshmëria përmes një sjellje elastike mbetet çelësi kyç. Autori ka përzgjedhur 48 gjeni të botës së biznesit, që nga Rrokfeleri, Andrew Carnegie, Stiv Xhobsi, Bill Gates, Elon Musk apo Sam Altman; – parë edhe nga filtri i kontekstit tonë, ku ëndrrat dhe sfidat; guximi dhe mendësia, strategjia dhe inovacioni mbeten elemente të panegociueshëm për të pasur sukses.
2. “Para të prishura” nga Lyn Alden, botuar nga Mediaprint, – i përkthyer nga Elvis Shera.

Ky libër është një histori mbresëlënëse dhe koncize e parasë, e cila në çdo kohë ka pasur tipare dhe vlera të caktuara, sipas sjelljes njerëzore dhe besimit që i është dhënë. Sot, më shumë se kurrë jetojmë në kohën kur paraja po lëkundet në vlerën e saj dhe si e tillë po na zhbëhet teksa e mbajmë në xhepat apo në llogaritë bankare. Për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh me mjetin më të rëndësishëm njerëzor për këmbimin e mallrave dhe për të mësuar më tepër rreth parasë digjitale dhe botës së kriptomonedhave, profesoresha Lyn Alden mund të jetë një këshilltare e mençuar për secilin prej nesh që kemi pesë lekë apo miliona apo miliarda dollarë.
3. “Genesis, Inteligjenca Artificiale, shpresa dhe mendja njerezore” nga Henry Kissinger, Eric Schmidt dhe Craig Mundie, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Fan Noli” nën përkthimin e Krenar Hajdërit.

Ky libër vjen si një vijim i natyrshëm i librit “Epoka e inteligjencës artificiale”, ky Kissinger dhe Schmidt janë autorë kryesorë. Ndërsa bota po valon me debatin rreth Inteligjencës Artificiale, ky libër i jep përgjigje shumë dilemave që mund të kemi për të ardhmen tonë. Natyra njerëzore është kureshtare dhe e prirur drejt progresit. Edhe Inteligjenca Artificiale nuk është asgjë tjetër veçse zgjatim i arsyes njerëzore, ndonëse në rrugëtimin e saj po shfaq shumë rreziqe, të cilat analizohen në detaje tek ky libër. Ky është fillimi i ri i një cikli “teknologjik, biologjik, sociologjik dhe politik” dhe si i tillë, çdokush, por edhe njerëzit e sipërmarrjes duhet të mësojmë më tepër për valën që na ka përfshirë tashmë të gjithëve.
4. “Strategjia fituese” nga Renato Civili, hedhur në qarkullim nga Mediaprint.

Marketingu digjital, ashtu si edhe Inteligjenca Artificiale, janë dy nga mjetet kyçe për të pasur sukses në botën e biznesit. Autori ndan një përvojë të gjatë si marketere dhe një përvojë të gjallë leximesh dhe shkëmbimesh nga kjo fushë, dhe i sintetizon në 10 hapa që ndihmojnë këdo për të rritur brandin personal apo të biznesit të tij. Marketingu digjital është bërë një zeje gjithnjë e më e lehtë për këdo, prandaj nëse ndiqen këshillat që përmban ky libër, mund të bëhesh profesionist në këtë fushë, duke ndjekur këto 10 hapa:
Njih klientët idealë; ndërto strategjitë e komunikimit digjital; përvetëso mediat sociale dhe inteligjencën artificiale; ndërto fushata digjitale për të rritur shitjet dhe për të gjetur klientët; mëso sekretet e kopirajtingut; ndërto një uebsajt efektiv; krijo marrëdhënie afatgjata me klientët përmes marketingut me e-maile; krijo ambasadorët e brandit; kthe në histori suksesi kthimin e klientëve të tu, rrit brandin personal për të fituar guxiumin dhe për tu bërë lider i industrisë.
Sepse ky libër është shkruar për sipërmarrësit, menaxherët, punonjësit, profesionistët e lirë dhe për të gjithë ata që duan të rrisin biznesin dhe brendin e tyre.
5. “Çrregullsia” nga Daniel Kahneman, Olivier Sibony dhe Cass R. Sustein, botuar nga “Pema” nën përkthimin e Bashkim Shehut.

Vendimmarrjet tona të përditshme përcaktojnë edhe fatin e rrugëtimit tonë dhe përgjithësisht ato vijnë nga perceptime të ngjyrosura dhe larg realitetit. Ky libër vjen si një vëzhgim i detajuar dhe i bazuar mbi metodat shkencore sesi mund të përmirësojmë vendimmarrjen kolektive e cila vuan nga ajo që përkufizohet si çrregullsi. Përmes leximit të këtij libri ne do të përmirësojmë rrënjësisht gjykimin për të tjerët dhe do të marrim vendime më të arsyeshme. Nobelisti Kahneman është autor edhe i librit Të menduarit shpejt dhe ngadalë. Së bashku me dy autorët e tjerë që janë ekspertë të shkencës së sjelljes sjellin një kontribut të jashtëzakonshëm për liderat dhe njerëzit që kanë në dorë fatet e të tjerëve në punën e tyre.
6. “Një gjë e vetme” nga Gary Keller dhe Jay Papasan, hedhur në qarkullim nga “Bota Shqiptare”, nën shqipërimin e Agim Doksanit

Shpërqendrimi është sëmundja më e madhe e kohës tonë. Pikërisht, duke parë këtë fenomen tejet shqetësues në jetën tonë, ofrohen edhe këshillat dhe zgjidhjet. Gary Keller në librin e tij “Një gjë e vetme” të vjen në ndihmë për të shpëtuar nga rrëmuja, për të maksimalizuar rezultatet në pak kohë, të përqendrosh energjitë drejt synimit, të shmangësh ndjesitë dërrmuese, të rigjallërish energjitë dhe të qëndrosh në shina. Pikërisht për këtë arsye, Një gjë e vetme konsiderohet libri më i mirë për fokusin. Dhe fokusi është një nga gjërat më të rëndësishme për njerëzit e botës së biznesit në ditët tona.
7. “Katër mijë javë – Menaxhimi i kohës për vdekatarët” nga Oliver Burkman, hedhur në qarkullim nga Pema, nën përkthimin e Foni Ilias.

Me të drejtë Adam Grant e konsideron si librin më të mirë për menaxhimin e kohës që është shkruar ndonjëherë. Dhe pikërisht për këtë arsye e kemi listuar edhe ne mes 10 librave që duhet të lexojë çdo njeri që punon apo drejton një biznes. Në kohët e errëta dhe të turbullta çështjet e shfrytëzimit të kohës bëhen më urgjente, – thotë autori. Prandaj është përfshirë në listën e rekomandimeve ky libër sepse “përditshmëria e jonë është e vetmja gjë që mund të formësojmë”. Ne e dimë se ka shumë formula dhe shumë metoda për menaxhimin e kohës por teoria e Oliver Burkman ju vjen në ndihmë të gjithë vdekatarëve për të bërë maksimumin në një periudhë të shkurtër kohe. Provojeni!
8. “Arti i negocimit” nga Vasil Naçi

Përvoja mbi 30-vjeçare në biznes, në drejtimin e një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri, por edhe studimet, kërkimet dhe mentorimi i qindra dhe mijërave sipërmarrësve e bëjnë Vasil Naçin një nga këshilluesit e besueshëm në botën e biznesit, dhe padyshim, në negocim. Ashtu siç e thotë edhe vetë autori, çdo gjë në këtë jetë është negocim, prandaj leximi i këtij libri do t’i shërbejë kujtdo për të mësuar dhe mjeshtruar këtë zeje kaq kritike. Në raportet e secilit prej nesh me biznese të tjera, por edhe me aktorë të tjerë, ne negociojmë përditë; marrim dhe japim – por negocimi nuk është diçka e lindur; ajo mund të mësohet dhe përvetësohet përmes këshillave, ideve, taktikave, shkollave dhe strategjive. Në këtë manual të negocimit Vasil Naçi sjell përvoja jete dhe formula që do ta bëjnë sipërmarrjen tonë më të suksesshme.
9. “21 ligjet e padiskutueshme të lidershipit” të John C. Maxwell, hedhur në qarkullim nga Bota Shqiptare”, nën përkthimin e Nikolla Langore.

John Maxwell mbahet një nga mentorët më të mirë të lidershipit sot në mbarë botën. Me mbi 5 milionë kopje të shitura ky manual ka ndryshuar jetën e shumë njerëzve, duke përmirësuar aftësitë e tyre në drejtim. Autori ka përmbledhur në 21 rregulla të gjithë aspektet e lidershipit, aftësitë e të cilit janë të domosdoshme për këdo që ka apo menaxhon një sipërmarrje. Me të drejtë Stephen Covey thotë se nëse përfundon leximin e këtij libri do të ndryshoni mënyrën e të jetuarit dhe të drejtuarit dhe do të rriten aftësitë tuaja udhëheqëse.
“Lidershipi përcakton suksesin e organizatës”, – thotë autori i këtij libri, prandaj çdokush që drejton një biznes apo menaxhon njerëz nuk mund të ketë rezultate pa aftësi të mira drejtuese.
10. “Zgjidhi armiqtë me maturi” nga Patrick Bet – David, hedhur në qarkullim nga Botimet Koliqi, nën përkthimin e Jonis Y. Buzi.

Biznesi nuk është vetëm arsye, por edhe pasion; nuk është vetëm aftësi, por edhe vullnet; nuk është vetëm planifikim, por edhe mision; nuk është vetëm çështje sistemesh, por edhe dëshirë dhe ëndrra; nuk është çështje parash por edhe vizioni. Ky libër është për guximtarët, të cilët janë të aftë për të identifikuar armiqtë e vërtetë në treg dhe në jetë dhe përmes tyre të motivohen dhe të ngrihen në majat më të larta. Armiqtë janë këtu mes nesh, si një bekim dhe mundësi që të kapërcejmë vetveten dhe të tjerët. Pikërisht për këtë arsye, ky është një nga 10 librat që çdokush që ndodhet në botën e sipërmarrjes duhet ta lexojë gjatë vitit 2026.
Autori është drejtues i librarisë Leximtari

Të gjithë këto libra i gjeni tek libraria në Tirana Ring Center, por edhe online, tek Leximtari.al