10 librat me te shitur te vitit 2025

Tashmë, që po mbyllet viti 2025, në tregun e librit kanë ndodhur shumë surpriza; kanë hyrë libra të rinj, – fatmirësisht këtë radhë nga autorë shqiptarë, dhe janë larguar libra që kanë kryesuar lista për shumë vite me radhë: kanë hyrë zhanre të reja dhe është rritur numri i lexuesve që lexojnë zhvillimin personal, biznesin apo zhanrin mister & thriller. Ka një kërkesë në rritje për librin psikologjik, ashtu siç po rritet numri i lexuesve që pëlqejnë letërsinë e kujtesës. Mira Kazhani, Lea Ypi dhe Ben Blushi janë autorët e vitit padyshim, nëse do të vlerësohen sipas numrit të kopjeve të shitura.
Bashkë me ta këtë radhë është edhe Artan Fuga, i cili përmes romanit “Ndëshkimi i dytë i Evës”, – shpallur si romani më i mirë i vitit edhe në Panairin e Librit Tirana 2025, – vazhdon të mbajë të gjallë interesin e lexuesit shqiptar.
Po ashtu, “Para të prishura” nga Lyn Alden është një ndër risitë e këtij viti sepse ka gjetur lexuesit që duan të kuptojnë paranë që nga zanafilla deri në ditët tona.
“Booktok-u” i vitit mbetet “Netë të bardha” i Fjodor Dostojevskit. Po po. Një fenomen i ri dhe i bukur…. Një “booktok” që e duan të rinjë dhe të vjetër, – një vepër klasike që ka pushtuar të gjitha rrjetet, por edhe mendjet dhe zemrat e lexuesve. Ata që kanë qenë booktokerat e ditëve tona po zbehen disi dhe prania apo promovimi i klasikëve në Tik-tok dhe rrjete po e rikthen vëmendjen tek këto kryevepra, si “Netë të bardha”, “Letër babait” apo “Letra Milenës”, etj.
“Shërbëtorja” i Freida McFadden kryeson listat në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri, pasi mbetet ndër romanet e zhanrit mister që i mban mbërthyer lexuesit deri në faqen e fundit. Ky roman ka mëse dy vjet që rri në krye të librave më të shitur.
E ashtuquajtura “mbretëresha e bestseller-it”, Colleen Hoover e ka zhvendosur vëmendjen me dy romanet e saj “Mbaron me ne” dhe “Fillon me ne” dhe tashmë mban të gjallë interesin e lexuesit shqiptar me romanin e botuar gjatë këtij viti “Shumë vonë”.
Edhe Robert Greene dhe Joe Dispenza me librat e tyre janë të pëlqyer nga lexuesit shqiptarë dhe si të tillë janë edhe gjatë vitit 2025.
Më poshtë, po ndajmë me ju 10 librat më të kërkuar nga lexuesit tek libraria Leximtari gjatë vitit 2025:
- “Shërbëtorja” – Freida McFadden
- “Një ditë tjetër” – Mira Kazhani
- “Jam mysliman” – Ben Blushi
- “Shumë vonë” – Colleen Hoover
- “48 ligjet e pushtetit” – Robert Greene
- “Të poshtëruar” – Lea Ypi
- “Net të bardha” – Fjodor Dostojevski
- “Ti je placebo” – Joe Dispenza
- “Para të prishura” Lyn Alden
- “Ndëshkimi i dytë i Evës” – Artan Fuga
Të gjithë këto libra i gjeni tek Leximtari online, por edhe tek libraria, në Tirana Ring Center.









