Ngjarje dhe Data

Mbeshtetja per librarine rigjalleron tregun e librit

projekt ligji - Leximtari - Rritu me libra!
projekt ligji - Leximtari - Rritu me libra!

Drejtuesi i librarisë Leximtari Dr. Albert Gjoka, ishte i ftuar në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, në seancën dëgjimore për diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

Drejtuesi i Librarisë Leximtari, Dr. Albert Gjoka, mori pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Kulturës për të diskutuar projektligjin për ndryshimin e ligjit të librit. Në fjalën e tij, ai theksoi nevojën për një qasje të re ndaj librit, si produkt kulturor me interes publik dhe kombëtar, por njëherësh edhe si treg që ka nevojë për politika mbështetëse konkrete.

Duke ndarë përvojën më shumë se 10 vjeçare në menaxhimin dhe marketingun e librit, Gjoka solli në diskutim perspektivën e librarit dhe të gjithë zinxhirit të shpërndarjes së librit. Ai ka qenë pjesë e konsultimeve për draftin me grupet e interesit, përfshirë Shoqatën e Botuesve, përkthyesit, autorët dhe institucionet përkatëse, si dhe ka kontribuar me analiza përmes Indeksit të Lexueshmërisë.

Rënia e leximit dhe mungesa e librarive

Sipas drejtuesit të Leximtari.al, industria e librit ka pësuar rënie të ndjeshme pas pandemisë, për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, barrës fiskale të shpërndarë disproporcionalisht dhe faktorëve që lidhen me ndikimin e teknologjisë. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri blihen më pak se 1.2 milionë libra në vit, ose rreth 0.5 libra për frymë – një shifër shumë e ulët krahasuar me vendet europiane. Kjo situatë, sipas tij, duhet të konsiderohet “emergjencë kombëtare”.

Gjoka theksoi se rrjeti i librarive është shkatërruar pas viteve ’90 dhe sot në Tiranë ka më pak se pesë librari me standarde mesatare, ndërsa në shumë qytete mungojnë plotësisht. Një qytet pa librari, argumentoi ai, është një qytet pa qarkullim idesh dhe pa hapësira publike ku zhvillohet mendimi kritik.

Problematikat fiskale dhe informaliteti

Ndryshimet fiskale të viteve të fundit, përfshirë rikthimin e TVSH-së dhe skemën e saj të shkallëzuar, kanë prodhuar anomali në treg, duke nxitur informalitetin, piraterinë dhe kalimin e shumë subjekteve në zona gri të ekonomisë. Edhe pse ligji parashikon mekanizma si Regjistri i Botuesve dhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut, ato nuk kanë funksionuar efektivisht.

Ai propozoi krijimin e një regjistri unik online për të gjithë aktorët e zinxhirit të librit – botues, shtypshkronja, shpërndarës, librari dhe autorë – me qëllim formalizimin e plotë të tregut dhe rritjen e transparencës.

Përfaqësimi dhe politikat mbështetëse

Një tjetër shqetësim ishte mungesa e përfaqësimit të librarëve në instancat këshillimore dhe vendimmarrëse, si Këshilli Kombëtar i Librit dhe Nxitjes së Leximit. Sipas Gjokës, fuqizimi i librarive do të sillte përfitime për të gjithë zinxhirin e industrisë dhe do të lehtësonte barrën mbi shtetin.

Ai vlerësoi nismën për patjetërsueshmërinë e fondeve për bibliotekat publike, por sugjeroi që prokurimet për libra nga institucionet publike të bëhen përmes garës së hapur dhe jo vetëm me blerje të drejtpërdrejta.

Libri elektronik dhe politikat e leximit

Projektligji hap rrugën për zhvillimin e tregut të librit elektronik, por sipas tij, kërkohet një kornizë më e qartë ligjore dhe standarde më të forta sigurie për të mbrojtur të drejtat e autorëve dhe botuesve. Një treg i zhvilluar elektronik do të lehtësonte aksesin e diasporës shqiptare në libra shqip dhe do të forconte kulturën kombëtare.

Gjoka propozoi gjithashtu shpalljen e një Dite Kombëtare të Librit, duke sjellë si referencë historike botimin e “Mesharit” më 5 janar 1555. Një festë e tillë, sipas tij, do të rriste ndërgjegjësimin publik dhe do të ndikonte pozitivisht në gjithë ekosistemin e librit.

Thirrje për përgjegjësi dhe bashkëpunim

Në përfundim, ai theksoi se kjo nismë ligjore nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, por është një moment për të reflektuar seriozisht mbi rolin e librit në demokraci dhe zhvillim. Leximi, sipas tij, po bëhet gjithnjë e më i vështirë në një kohë dominimi teknologjik, dhe vetëm përmes politikave të qëndrueshme publike mund të ruhet dhe forcohet kultura e leximit. “Libri nuk mund të mbijetojë as si produkt tregu dhe as si vlerë kulturore nëse nuk vendoset në një ekosistem dinamik ku shteti të jetë jo vetëm rregullator, por edhe kontributor aktiv”, u shpreh ai, duke propozuar një bashkëpunim të gjerë për rishikimin e politikave fiskale dhe forcimin e industrisë së librit në Shqipëri.

komisioni 2 - Leximtari - Rritu me libra!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *