Ngjarje dhe Data

Book Fest 25 – risite e festes se madhe ne TEG

Wide - Leximtari - Rritu me libra!
Wide - Leximtari - Rritu me libra!

Vazhdon tradita e bukur e panairit të librit në qendrën më të madhe tregtare në vend, TEG nga Balfin Group, në partneritet me Leximtari në datat 16 tetor – 5 nëntor: Takime me autorë, rekomandime, festa e madhe e zhanrit Mister & Thriller që përkon me Halloween-in, nderime për klasikët shqiptarë, oferta speciale, konkurse me lexuesit e vegjël, lojëra, etj. Lançohet platforma online e Leximtari, ku për ata që bëjnë porosi për herë të parë do të ketë ulje -15%.

Albert Gjoka*

Panairi i madh i librit “Book Fest” do të jetë edhe këtë vit në qendrën më të madhe tregtare në vend, Tirana East Gate (TEG), me shumë ngjarje, surpriza dhe oferta për lexuesit. Këtë herë, partner-organizator është libraria Leximtari, stafi i të cilit do të mirëpresë lexuesit në datat 16 tetor deri më 5 nëntor 2025. tek Hyrja e Gjelbër. në TEG si dhe do të organizojë aktivitete dhe takime me autorët shqiptarë. 

“Book Fest” zhvillohet në atmosferën e ndezur të Tetorit të Librit, ku do t’i bëjë nderim edhe gjuhës shqipe dhe do të promovojë letërsinë klasike dhe bashkëkohore shqiptare. Autori i Book Fest këtë vit do të jetë Petro Marko, vepra e të cilit tashmë vjen e plotë përmes shtëpisë botuese Albas. Risi e jona do të jetë edhe lançimi i autorëve tanë që lëvrojnë zhanrin mister dhe thriller, dhe tashmë ka emra plot si Ena Bulku, Genta Hodo, Kliton Nesturi, Enkelejd Lamaj, Klajdi Thaçi, etj. Këndi i nënshkrimeve do të jetë përherë në pritje të lexuesve për të takuar autorë dhe ndarë emocione.

Organizatorët kanë menduar edhe për letërsinë shqipe për fëmijë, ku do të ketë një kënd për lexuesit e vegjël: Vogëlushët do të ketë mundësinë që të organizojnë lojëra të ndryshme tek këndi i tyre. Për herë të parë, organizohet edhe konkursi me vizatimet e vetë vogëlushëve, me personazhet më të njohura të letërsisë klasike botërore për fëmijë; Ata do të sjellin talentin me imazhet e tyre të Piter Panit, Pinokut, Lizës, Borëbardhes apo Hirushes. Fëmijët që duan të takojnë personazhet e tyre si kapiten Brekushi, Gregun, Njeriu – Qen (Dog man), etj., do të bëhet e mundur që të ketë edhe maskota që do të jenë mes njerëzve dhe librave. Edhe këtë vit autoret e njohura si Rudina Çupi, Albana Nexhipi Lekaj apo Rovena Rrozhani do të kenë librat e tyre për lexuesit e vegjël dhe që do t’i takojnë ata.  

Tetori është edhe muaji i Nobelit edhe nuk do të mungojë as këndi me libra të autorëve që e kanë marrë këtë trofe, dhe që janë përkthyer në gjuhën shqipe.

Për të gjithë ata që e kanë lidhur jetën me leximin, nuk do të mungojnë kurrësesi prurjet e vitit të fundit: Do të jenë mbi 300 tituj të zhanreve dhe kategorive të ndryshme, të botuar gjatë 2025-ës. Padyshim, do të paraqiten edhe libra të rinj si: “Të poshtëruar” i Lea Ypit; “Sekretet e gjenive të biznesit” të Prof. Ardian Civicit, “Para të prishura” i Lyn Alden, që menaxhohet eksluzivisht nga Leximtari, por edhe rrëfimi i pazakontë i Mira Kazhanit, “Një ditë tjetër”. Tetori është edhe muaji i sensibilizimit të luftës kundër kancerit të gjirit, prandaj edhe Book Fest do të bashkohet në këtë fushatë dhe do të përcjellë mesazhe duke ftuar grupe dhe rekomanduar libra që motivojnë njerëz në sfida të tilla jetësore.

Surprizë mbeten edhe librat më të mirë për Inteligjencën Artificiale, të përzgjedhur me kujdes nga Leximtari në një kënd të veçantë në librarinë tonë të përkohshme dhe që mbeten rekomandimet më të domosdoshme të kohës tonë.

bok 2 - Leximtari - Rritu me libra!

Sigurisht, pjesa më e veçantë e Book Fest janë ofertat që edhe kësaj radhe do të shkojnë deri në 50%. Ne u jemi pafundësisht mirënjohës shumicës së botuesve të cilët na mbështesin në projekte të tilla që synojnë zhvendosjen e librit aty ku është lexuesi. Librat do do të jenë të pranishëm edhe online, në platformën e Leximtari.al, ku të gjithë ata që bëjnë porosi për herë të parë, do të kenë mundësi që të marrin ulje standarde -15% për çdo libër.

Për herë të parë, këtë vit Leximtari është bërë pjesë e kartës së studentit, ku studentët përfitojnë ulje -10% nga çmimi i kopertinës për çdo libër që gjendet edhe në stendat e “Book Fest”, mjafton që të paraqiten me dokumentin përkatës.

Edhe këtë radhë do të kemi partneritete me autorë, studiues dhe ekspertë nga bota e librit për të rekomanduar dhe nxitur leximin, si dhe do të ketë quize dhe lojëra shpërblyese për ndjekësit tanë në botën reale dhe virtuale.

Në këtë event do të lançohet edhe platforma online Leximtari, projekt i realizuar me partnerë si Dev Pos dhe Pago si dhe Trusted Business Partner, ku do të ketë shumë risi në procesin e shitjeve online përmes integrimeve, automatizimeve dhe shitjes së librit në formatin e-book. Me këtë rast, të gjithë lexuesit që bëjnë porosi për herë të parë do të kenë ulje -15% deri më 6 nëntor 2025.

Ne jemi këtu për të ndihmuar këdo që dëshiron të rritet përmes librit dhe leximit. Njëherësh, jemi të bindur se akti i të lexuarit, përtej zhfokusimit që na shkakton teknologjia, mbetet terapia më e mirë për mendjen tonë dhe për zhvillimin personal dhe profesional.

Prandaj “Book Fest” është mes njerëzve, me stafin dhe shërbimin më të mirë për të informuar, për të shërbyer dhe për të rekomanduar. 

Në mbyllje të “Book Fest”, Leximtari dhe stafi i tij do të dhurojnë disa libra për pasurimin e Bibliotekës së Shkollës së Mesme të Bashkuar Krrabë, prandaj ftojmë këdo që dëshiron të bëhet pjesë e kësaj nisme që të kontribuojë.      

“Book Fest” organizohet nga qendra tregtare TEG, pjesë e Balfin Group në partneritet me Leximtari.al, libraria fizike dhe online e botimeve shqip, pjesë e kompanisë Alfabet Shpk.

*Autori është drejtuesi i librarisë Leximtari.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *