Leximet tona

Nje roman per luften dhe te tashmen….

harku - Leximtari - Rritu me libra!

Enxhi DANA*

Përshtypje rreth librit “Harku i Triumfit” të autorit Erich Maria Remarque, sjellë në shqip nga Robert Shvarc dhe hedhur në qarkullim nga Dituria

“Harku i Triumfit”, një roman që vjen me një brutalitet dhe përshkrime që të tjetërsojnë shpirtin nga atmosfera mbytëse e luftës, por edhe me një histori dashurie të pafat. Libri trajton temat e mërgimit, frikës, dashurisë dhe humbjes.

Në sytë e mi, paraqitet qartazi ndikimi i thellë i luftës tek individët, si dhe atmosfera e pasigurisë, e ankthit dhe e frikës që kishte mbërthyer Evropën e viteve që do të çonin në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Është një ndër ata romane që me t’a mbaruar faqen e fundit, të bën të ndjesh një boshllëk të thellë, diku ku as ti vetë nuk e përcakton dot. Ndonjëherë, më ngjan si një thirrje e heshtur, që të kërkon të reflektosh për jetën, për luftën, për mënyrën sesi njeriu ecën përpara edhe nëse çdo gjë rreth tij është e shkatërruar: Duket si një përballje e drejtpërdrejtë e njeriut me shpirtin e tij.

Gjatë gjithë leximit përjetoj ndjesinë e të qenit në një tunel të errët, nga ku nuk mund të arratisem, dhe i vetmi vegim drite vjen nga emocionet e thella, por të fshehta, të personazhit kryesor, Ravikut.

Raviku, edhe pse shfaqet si viktimë e drejtpërdrejtë e krimeve naziste, paraqitet si një njeri i ftohtë, i lyer në gjak nga e kaluara e tij e trishtë, por me një brendi të thellë emocionale, që ndonëse nuk flet shumë, del me detaje të vogla gjatë leximit, që të japin menjëherë përshtypjen e një njeriu të lënduar. Është dikush që rrethohet nga shumë të tjerë, por që në fund të ditës, nuk ndihet kurrë i plotësuar, asnjëherë sikur ka dikë pas krahëve që e mbështet. Kjo vetmi të godet në pikat më të thella të shpirtit.

Dhimbja mbështjell çdo faqe që kthen, por nuk është një dhimbje dosido. Nuk është dhimbja klasike që ulëret dhe bërtet, është një dhimbje e heshtur, e qetë, e qëndrueshme, një dhimbje me të cilën duket sikur je mësuar. Dhimbje e cila herë-herë duket sikur të ka shoqëruar vazhdimisht…

Mjeku gjerman emigrant, që nuk ka më fuqi të mjaftueshme as sa për të punuar nën emrin e tij, mishëron çdo njeri të humbur nëpër botë, çdokënd që e ndien se nuk i përket botës në të cilën endet. Një njeri që ka hequr dorë nga çdo ideal njerëzor, nga drejtësia dhe nga morali. Atë që ndodhet nën hijen e një botë në prag shkatërrimi. Ky i humbur i botës e dinte se fundi i tij kurrë s’mund të ishte i lumtur.

Në një luftë tashmë thjesht për mbijetesë, ai mbeti në hije, duke luftuar me veten në heshtje. E vetmja gjë që e thyen disi akullin e luftës në vepër, është dashuria mes Ravikut dhe Xhoanës: Një dashuri e pafat…! Por, për dy viktima të jetës, nuk është dhe aq e papritur. Marrëdhënia e tyre të jep një ide mbi dualizmin dhe paqëndrueshmërinë që gëlon në zemrat e tyre, gjë që e pasqyrojnë netëve tek pinë konjak duke parë nga dritaret e hoteleve nëpër Paris.

harku 12333 - Leximtari - Rritu me libra!

Herë ndodhen në qiellin e shtatë, teksa shohin njëri-tjetrin me sytë plot dashuri, e herë ndodhen të zhytur në një det me dhimbje, ku realiteti në të cilin ndodhen u përplaset fytyrave dhe u kujton cilët janë. Ata përpiqen të rindërtojnë njëri-tjetrin nga hiri i tyre, të jenë si një feniks, por realiteti nuk është kaq i ëmbël.

Mendoj se qëllimi i shfaqjes së një dashurie kaq të fortë për Ravikun, tashmë i plagosur, ka qenë për të treguar se dashuria nuk është gjithnjë shërim. Dashuria nuk është gjithnjë kura e gjithçkaje, dhe këtë historia e ka treguar shumë herë, shpesh edhe në format më të shëmtuara të saj. Ajo paraqet përpjekjen e njeriut për të kapur qoftë edhe një copëz të vogël ngrohtësie, një grimcë dhembshurie nga dikush.

… Mbi të gjitha, ky roman më bëri të reflektoj mbi luftën, mbi pasojat kaq të rënda që ajo ka në shoqërinë njerëzore, sa të pashpresë na lë. Jo vetëm lufta me armë dhe me tanke, por heshtja që ajo lë pas. Po, çdo gjë u shkatërrua! Po tani? A mund t’i kthehem sërish jetës që kisha? Jo, nuk mundem. Nuk më mjafton më asgjë që kam për t’u kthyer aty ku isha dhe e vetmja gjë që kam tashmë jam unë. Lufta nuk paraqitet më në front, paraqitet në qytet, paraqitet në ato që ajo lë pas në jetën e të tjerëve. Është lufta që vazhdon, edhe kur armët heshtin.

Lufta është pjesë e jona vazhdimisht, në çdo diskutim. Ajo është në të gjitha fjalitë, është tek heshtja e Ravikut në përballje me vuajtjet e pacientëve të tij, tek netët e tij pa gjumë. Lufta nuk është madhështore apo heroike për asnjë nga kombet. Remarku e zhvesh atë nga çdo iluzion që i kanë veshur përsipër dhe e tregon haptazi siç është, e padrejtë, absurde dhe çnjerëzore. Në këtë roman, kuptohet se lufta nuk ka mbarim. Është tashmë pjesë e njeriut, e identitetit të tij, e barrës që njeriu mbart mbi supe. Ajo vazhdon të të ndjekë, edhe kur ti mendon se e ke lënë pas.

Edhe vetë titulli i veprës është ironik. Harku i Triumfit! Duket sikur diçka madhështore do ta mbyllë këtë vepër, diçka fitimtare. Nuk e di, mbase ndonjë trillim siç do të thonin përrallat? Ata u martuan dhe jetuan të lumtur përgjithmonë? Ata i dolën kundër botës? Sidoqoftë, asnjë nga këto nuk i vjen as afër asaj që ky roman kërkon të zbulojë.

Nuk ka fitore, nuk ka kurrë një triumf të vërtetë. Si mund të ketë triumf kur çdo gjë rreth teje të tregon vdekjen? Apo kur çdo gjë rreth teje mundohet të të rikujtojë vazhdimisht se sa herë që merr frymë je në rrezik?  Ç’triumf do të ishte ky? Në një version imagjinar të shekullit XX ndoshta,  pasi di të komunikojë. “Harku i Triumfit” qëndron si një monument krenarie, ndërkohë që qyteti po digjet për së gjalli. Kjo të kujton se shpesh triumfet më të mëdha i hedhin themelet në tragjeditë personale të emrave të papërmendur, emrave që historia i ka fshirë…

E në mes të gjithë kësaj ngatërrese, të dëshirës për mbijetesë, luftës, në mes të një errësire të pafundme ku nuk vezullon asgjë veç tytave prej metali të pushkëve, njeriu nuk ndalon së qeni i brishtë, i ndërlikuar, i prekshëm, e mbi të gjitha, ende njerëzor. “Harku i Triumfit” është një kujtesë që edhe në kohët më të errëta, njeriu nuk ndalon së ndieri. Ndoshta, në fund të fundit, kjo është ajo që na mban gjallë!

jamliber - Leximtari - Rritu me libra!

*Me këtë përshtypje autorja fitoi konkursin kombëtar #jamliber 2025, organizuar nga IKEZH, COD dhe Leximtari me rastin e Ditës Botërore të Librit. Enxhi Dana është nxënëse e klasës së 10, gjimnazi “Partizani” në Tiranë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *