Surprizat e Book Fest 2026 në TEG
Më 16 tetor, në TEG, u hap Book Fest ’26, panairi i madh vjetor i librit, që sjell qindra tituj të rinj, oferta deri në -50%, autorë të ftuar, libra me autografe, rekomandime të përzgjedhura, konkurse online, kuize, lojëra shpërblyese dhe shumë surpriza të tjera. Organizuar nga Libraria Leximtari dhe Qendra TEG, panairi do të mirëpresë lexuesit deri më 1 nëntor 2026.
Ne jemi librat që lexojmë….
Kjo është fryma që duam të përcjellim te çdo lexues, të bindur se jeta merr më shumë kuptim dhe vlerë kur zgjerojmë vazhdimisht kufijtë e njohurive njerëzore. Ndoshta këtë ide kishte në mendje edhe piktori i madh i Rilindjes Europiane, Giuseppe Arcimboldo, kur krijonte portrete njerëzish të përbërë nga libra në çdo pjesë të trupit.
Por, përse duhet të lexojmë? Kjo pyetje bëhet sot më e rëndësishme se kurrë, në një kohë kur individi rrezikon të mendojë gjithnjë e më pak dhe shoqëria të lexojë gjithnjë e më pak. Pikërisht për këtë arsye, “Book Fest” rikthehet mes njerëzve, duke i ftuar të ushqejnë mendjen po aq sa kujdesen për trupin.
Prurjet më të mira të vitit dhe autorë për çdo lexues
Për këtë edicion, Libraria Leximtari dhe Qendra TEG kanë përzgjedhur një nga hapësirat më të gjalla të qendrës tregtare, duke sjellë prurjet më të mira librore të vitit 2026, rekomandime të spikatura, autorë të njohur të letrave shqipe dhe oferta për të gjithë ata që dëshirojnë të pasurojnë bibliotekat e tyre.
Në stendat e “Book Fest” do të gjeni titujt më të kërkuar të vitit, nga klasikët dhe shkrimtarët bashkëkohorë te librat për fëmijë dhe autorët më të suksesshëm të momentit në komunitetin BookTok. Mes tyre janë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Erich Maria Remarque, Gabriel García Márquez, Homeri, Miguel de Cervantes, Dan Brown, Tom Kuka, Freida McFadden, Mira Meksi, Flutura Açka, Paullina Simons, Kristin Hannah, Alice Feeney, Ian McEwan, Chimamanda Ngozi Adichie, Lucinda Riley, Robert Menasse, Mario Vargas Llosa, Ana Huang, Rovena Rrozhani, Rudina Çupi, Natasha Shuteriqi Poroçani dhe shumë emra të tjerë të botës së shpirtit dhe mendjes.
Gjatë gjithë ditëve të panairit, Këndi i Autorit do të mirëpresë lexues të grupmoshave të ndryshme, duke krijuar hapësira takimi mes autorëve dhe publikut.
Në fokus, letërsia bashkëkohore shqiptare
Këtë vit, “Book Fest” i kushton vëmendje të veçantë autorëve bashkëkohorë shqiptarë. Kemi përzgjedhur prurjet më të mira të vitit nga letërsia shqipe dhe do t’i ftojmë lexuesit të votojnë online për veprën më të mirë të vitit 2026.
Synimi është të rrisim vëmendjen ndaj autorëve tanë, të cilët kanë nevojë për më shumë fokus dhe promovim nga të gjithë ne. Leximi i letërsisë shqipe na ndihmon ta përballojmë më lehtë këtë realitet paradoksal, duke na ofruar një lloj terapie që zgjeron lirinë personale dhe thellon kuptimin për Tjetrin.
Rekomandime për çdo interes
Në një qytet me shumë librari, Leximtari vjen në “Book Fest” me përzgjedhje të kuruara për lexues me interesa të ndryshme. Në vigjilje të Halloween-it, do të gjeni rekomandimet më të mira në zhanret mister dhe thriller, botimet më të spikatura mbi inteligjencën artificiale, si dhe tituj edukativë mbi shëndetin dhe prindërimin.
Ndërsa interesi për çmimin Nobel në Letërsi mbetet i gjallë, në panair do të jenë të pranishme edhe veprat më të mira të përkthyera gjatë dekadave, për të gjithë ata që dëshirojnë të zbulojnë ose të rizbulojnë letërsinë botërore.
Oferta, kuize dhe surpriza librore
“Book Fest” sjell oferta që arrijnë deri në -50%, falë bujarisë së botuesve shqiptarë, si dhe sete e koleksione botimesh për lexuesit që duan të pasurojnë bibliotekat e tyre.
Pjesë e veçantë e panairit do të jenë edhe kuizet e shumta, lojërat shpërblyese dhe surprizat e tjera, që do ta bëjnë vizitën në “Book Fest” një përvojë të këndshme për të gjithë.
Një ftesë për të ushqyer mendjen
Në një kohë kur lexohet gjithnjë e më pak dhe rrezikojmë të mendojmë gjithnjë e më pak, kjo ngjarje kulturore vjen aty ku njerëzit mblidhen çdo ditë, duke i ftuar të kujdesen jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen.
Qyteti dhe shoqëria jonë kanë nevojë më shumë se kurrë për t’u ushqyer me ide, sepse identiteti mbetet një nga vlerat më unike dhe më të çmuara të individit dhe të çdo bashkësie njerëzore.
Ky është edicioni i dytë radhazi i “Book Fest”, i organizuar nga Libraria Leximtari dhe Qendra TEG në hapësirën më të madhe tregtare në Shqipëri. Panairi do të vijojë deri më 1 nëntor 2026.
Ju mirëpresim në Book Fest ’26 në TEG, për të zbuluar librin tuaj të radhës!