Ngjarje dhe Data

Si jepet cmimi Nobel per Letersine

123344 - Leximtari - Rritu me libra!

Gazmend KRASNIQI*

gazmendi 1 - Leximtari - Rritu me libra!

(Përgjigje një pyetjeje nga LEXIMTARI)

Çmimi Nobel është ndërtuar me idenë që të mos kuptohet se si ka funksionuar për plot 50 vjet. Mendimet për të krijohen nga prononcimet e kryetarëve të Akademisë dhe analizave të ndryshme, përfshirë ndonjë rrjedhje informacioni.

Duhet sqaruar se propozimet janë tjetër gjë dhe nominimet tjetër gjë. Propozimet janë ndoshta me miliona. Edhe nga Shqipëria janë bërë disa. Nominimet janë një numër i kufizuar. Për disa dekada me radhe, pas Luftës së Dytë Botërore, nominimet shkonin në 30 – 40 të tilla. Kjo mund të shihet në dokumentacionin e deklasifikuar të Akademisë, bashkë me emrat përkatës. Sot flitet për rreth 150 nominime, por që nga viti 1976 ne nuk e dimë se cilët janë. Nga lista e nominimeve del një listë me pesë emra, me të cilën punohet gjatë gjithë verës. Këtu bëhet një shoshitje e gjithë veprës së tyre.

Pse?

Nëse e vendosim pranë Booker-it, Nobel-i për Letërsinë ka një logjikë tjetër: Jo domosdoshmërisht sepse gabon më pak – historia e Nobel-it ka gabime dhe mungesa të famshme – por sepse pretendimi i tij për vlerën letrare është më i strukturuar.

Nobel-i nuk është thjesht çmim për librin e vitit, siç është Booker-i. Vetë formulimi i testamentit të Alfred Nobelit flet për personin që ka prodhuar “veprën më të shquar” në një drejtim ideal. Rregullat lejojnë gjithashtu shqyrtimin e veprave më të vjetra kur rëndësia e tyre nuk është bërë e dukshme më parë.

Booker-i pyet, në thelb: Cili nga romanet që kemi përpara është më i miri? Ndërsa Nobel-i pyet: Cili autor ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm në veprën e vet letrare?

Prandaj Nobel-i është shumë më afër hierarkisë së autorëve dhe veprës së tyre; atyre që mendohet se mund të zënë vend në historinë e letërsisë botërore, ndërsa Booker-i është më afër përzgjedhjes konkurruese të titujve të rinj.

Edhe mekanizmi është më “ekspert”. Nominimet për Nobel nuk vijnë nga botuesit. Mund të nominojnë anëtarë akademish, profesorë të letërsisë ose gjuhësisë, laureatë të mëparshëm dhe drejtues të organizatave përfaqësuese të shkrimtarëve.

Pastaj, punon Komiteti i Nobelit, i përbërë nga anëtarë të Akademisë Suedeze, me këshilltarë ekspertë të jashtëm. Anëtarët përgatisin raporte të hollësishme për kandidatët dhe procesi zgjat shumë më tepër se një sezon i zakonshëm çmimesh. Vendimin përfundimtar e merr e gjithë Akademia Suedeze, jo vetëm komiteti.

Kjo nuk garanton të vërtetën, por i jep vendimit një bazë më të fortë se një juri vjetore prej pesë vetash; si në rastin e Booker-it, e cila lexon rreth 170 romane, sigurisht me një mendësi “konservatore britanike”. Gjithmonë kam menduar se çmimi Booker për librin “Time shelter”, të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, është ndikim i kryetares franceze të jurisë (Leila Shlimani).

Vetë Akademia Suedeze thotë se kriteri kryesor është cilësia letrare, ndërsa një tjetër kriter i rëndësishëm është kontributi në zhvillimin e letërsisë botërore. Ajo përmend posaçërisht inovatorët, ndikuesit dhe autorët që kanë sjellë mundësi të reja në letërsi.

Nobel-i nuk thotë thjesht: “Ky është një autor që na pëlqen.” Ai pretendon: Ky është një autor që ka prodhuar një arritje të jashtëzakonshme letrare dhe ka një vend të veçantë në letërsinë botërore.

Përsërisim se vetë historia zyrtare e Nobel-it pranon se Akademia ka gabuar herë pas here. Në fillimet e çmimit, për shembull, Tolstoi, Ibseni dhe Henry James nuk u shpërblyen; saqë Akademinë e asaj kohe e kanë përshkruar si të papërshtatshme për të ushtruar një gjykim ndërkombëtar mbi letërsinë. Gabimi më i madh i kohëve të vona është Borges-i.

Por Nobel-i ka gjithashtu një histori të gjatë korrigjimesh, interpretimesh dhe ndryshimesh të kritereve. Vetë Akademia e pranon se kuptimi i “ideales” së vendosur nga themeluesi i saj ka ndryshuar historikisht.

Kjo është ndoshta mënyra më e mirë për ta parë Nobel-in: jo si vulën që përcakton se kush është i madh, por si një nga institucionet më të fuqishme që përpiqet të artikulojë një hierarki të letërsisë botërore. Kërkohet se çfarë ka shtuar një shkrimtar në letërsinë botërore.

Dhe këtu ka një dallim me Booker-in: Booker-i mund të ndihmojë një libër të bëhet i madh në perceptimin publik; Nobel-i synon të thotë se një shkrimtar është tashmë i madh në historinë e letërsisë. Kjo tregon se pse Booker-i mund të kërkojë te moshat e reja, kurse Nobel-i jo

Nuk duhet të harrojmë: Çmimi që jepet, nuk ka asnjë ndikim nga bota e basteve për to.

*Autori i shkrimit është studiues, pedagog, poet dhe romancier i njohur në letrat bashkëkohore shqipe.

123344 - Leximtari - Rritu me libra!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *