Klubet e librit, Leximet tona

Libri qe parashikoi luften me drone

- Leximtari - Rritu me libra!

Një reflektim rreth librit “Ushtria e askujt” i Paul Scharre, hedhur në qarkullim nga “Botart” dhe që do të jetë në qendër të diskutimeve në takimin e radhës të klubit “Bytes and Books

Geron KAMBERI*

Pas zhvillimeve të vrullshme teknologjike që përfshinë edhe industrinë e armëve, njerëzimi gjithmonë ka jetuar me një lloj ankthi sesa të sigurtë janë ato, veçanërisht arsenali apo paniku bërthamor që qëndronte si makth i vazhdueshëm nëse nëpër kokë sillej mendimi i thjeshtuar dhe shpesh niav se ato ishin në dorën e komandës së një kompjuteri që një dorë djallëzore mund ta lëvizte në çdo rast.

Në njëfarë mënyre, ka përbërë gjithmonë një rastësi e përkim të çuditshëm sesi skenarët e filmave fanstastiko-shkencorë hollivudianë shndërroheshin pas shumë vitesh në një realitet profetik. Në vitin 1983 filmi “Lojë luftrash” (War Games) i John Badman na kujton historinë e David Lightman, një nxënës i shkollës së mesme, me aftësi të shkëlqyera në informatikë, talenti dhe aftësia e të cilit kërcënon të shkaktojë një luftë botërore, kur ai pa dashje hakeron një superkompjuter ushtarak.

Nga fantazia e skenaristit deri tek realiteti konkret rrjedhin shumë ujëra, por libri i Paul Scharre “Ushtria e askujt, – armët autonome dhe e ardhmja e luftës”, i botuar për herë të parë në 2018, ofron një titull që nënkupton ndryshimin e madh që po ndodh në një nga fushat më të “pandryshueshme” në përfytyrimin tonë të përgjitshëm: Të ardhmen e ushtrisë dhe të mënyrës se si zhvillohen betejat në terren.

Siç e dëshmojnë luftrat e fundit rajonale dhe globale, ato kanë filluar të varen nga “armët autonome”, ku Inteligjenca Artificiale (IA) dhe algoritmet e të dhënave mund ose po vendosin mbi jetën ose vdekjen e atyre që janë përballë në një fushë beteje.

Titulli mund të tingullojë si risi, por në fakt nëntë vjet më parë, libri i Peter Singer “Të lidhur për luftë: Revolucioni Robotik dhe Konflikti në Shekullin e 21” (Wired for War: The Robotics Revolution and Conflict in the 21st Century) nuk ofronte vetëm një letërsi fantastiko-shkencore, por një realitet të së ardhmes që po vinte. Ndërkohë, në vitet ’80, një sërë filmash hollivudianë, të tillë si: “Terminator” ( Terminator ,1984) Xhoni 5, i Gjallë (Johnny 5 alive 1986 )  apo “Qarku i shkurtër (Short Circuit,1988) paralajmëronin se skenarët e filmave pas disa vitesh mund të ishin një realitet i prekshëm.

Viti 2025, si fundviti i çereshekullit të parë të shek XXI u përmbyll me debatin mbi togfjalëshin “Inteligjencë Artificiale”, i cili  dalëngadalë po merr formën e  një amebe që po shtrihet në çdo fushë të jetës njerëzore; që nga arsimi, ekonomia, transporti, statistikat, financat, mjekësia, drejtësia, e deri tek ushtria. Çfarë ndodh kur një dron predator ka aq autonomi sa një makinë Google? Apo, kur një armë që mund të godasë objektivat e veta, hakerohet nga dikush tjetër?

Edhe pse tingëllon si fantastiko-shkencore, teknologjia tashmë ekziston për të krijuar armë që mund të sulmojnë objektiva pa ndërhyrjen njerëzore. Në librin “Ushtria e askujt”, Paul Scharre dëshmon përmes një përvoje individuale sesi udhëhoqi politikën e armëve autonome në Pentagon pasi u kthye nga misionet në Afganistan dhe Irak. Ai analizon si do të ndryshojë lufta në të ardhmen nëse vendime të tilla për jetën ose vdekjen e dikujt do të merren nga armët dhe jo nga njerëzit. Armët autonome po bëhen një tipar i zakonshëm i luftës moderne, duke sjellë në qendër të debatit publik çështje praktike filozofike dhe etike që ende presin përgjigje, ndërsa zhvillimet në këto teknologji ecin me shpejtësi shumë të madhe sesa konceptet e etikës.

Në këtë libër Scharre nuk shmanget nga historia e luftës, por thekson rolin kyç të teknologjisë në formësimin e fushëbetejës. Nga përdorimi i barutit deri tek zhvillimi i armëve bërthamore dhe teknologjitë ushtarake kanë ndryshuar vazhdimisht edhe natyrën e luftës me të cilën shtetet, – siç thoshte Klauzeviçi, – “vazhdojnë diplomacinë .. më mjete të tjera”. Ndërsa të kaluarën e shijojmë si histori, e tashmja dhe e ardhmja po na përballin me konceptin e armëve autonome, makina të afta për të marrë vendime dhe vepruar pa ndërhyrjen njerëzore. Mes rreshtave të librit  rrëfehet zhvillimi dhe përdorimi i tyre sot, duke filluar nga mjetet ajrore pa pilot (UAV) apo dronët e famshëm, deri te mjetet robotike tokësore, ndërkohë që analizohet ndikimi i tyre i mundshëm në konfliktet e ardhshme.

Njerëzimi nuk i ka shpëtuar kurrë tundimit për të zotëruar armë të tilla. Në vitin 1914, Elmer Sperry, një shpikës i njohur, testoi për herë të parë një autopilot që përdorte një xhiroskop për të kontrolluar fluturimin e një aeroplani. Në fillim të viteve 1950, Forcat Ajrore të SHBA-së, të frustruara nga kufizimet e kontrolleve me radio në distancë, zhvilluan një sistem udhëzimi me radar për aeroplanët pa pilot që u mundësonte atyre të ndiqnin në mënyrë autonome terrenin. Por, këtij sistemi i duheshin harta topografike të ngarkuara paraprakisht për të funksionuar.

Për më tepër, Scharre shqyrton aftësinë e armëve autonome për të revolucionarizuar luftën. Ai analizon sesi falë teknologjisë këto sisteme mund të rrisin aftësitë ushtarake, të zvogëlojnë viktimat njerëzore dhe madje të pengojnë konfliktin. Megjithatë, ai gjithashtu thekson rreziqet që lidhen me përdorimin e tyre, duke përfshirë mundësinë e madhe për përshkallëzim të konfliktit nga një aksident teknologhik dhe gërryerjen  e etikës dhe moralit në luftë përballë këtyre armëve me bazë algoritmet e inteligjencës artificiale.

Siç ndodh zakonisht në çdo debat të fundit mbi zbatimin e teknologjive me bazë Inteligjencës Artificiale, vazhdon ndarja klasike mes mbështetësve të gotës gjysëm plot me risitë teknologjike dhe atyre të gotës gjysëm bosh me mangësitë etike!

Edhe në librin “Ushtria e askujt”, Scharre analizon dilemën etike që lind nga përdorimi i armëve autonome. Ai diskuton konceptin e “kontrollit kuptimplotë njerëzor”, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes njerëzore në përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Gjithashtu, ai ngre pyetje që të bëjnë të mendosh rreth llogaridhënies, përgjegjësisë dhe mundësive  për pasoja të padëshiruara kur makinave u jepet fuqia për të marrë vendime për jetën ose vdekjen e dikujt.

Përballë dilemave apo mangësive etike në të tilla raste duket sikur njerëzit gjejnë ngushëllim apo justifikm tek normat ligjore që kufizojnë sjelljet tona dhe të shteteve. Në këtë kuadër, libri ofron gjithashtu një analizë interesante për peisazhin ligjor që rrethon armët autonome. Pasqyrimi i ligjit të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj humanitare vendoset përballë parimeve të dallimit, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë ushtarake. Scharre shqyrton sfidat e zbatimit të këtyre kornizave ligjore për armët autonome, duke pasur parasysh proceset  unike të vendimmarrjes që shoqërojnë përdorimin e tyre dhe  vështirësinë e mundshme në cilësimin e tyre si përgjegjëse.

Libri na zbulon se nuk janë vetëm SHBA-të ata që po zotërojnë armë të tilla në fushën e betejës, por deri tani afërsisht 30 vende të cilat përdorin armë robotike në ushtrinë e tyre, përfshirë struktura e grupe jo-shtetërore mes të cilëve kufiri mes qëllimit dhe mjetit për ta realizuar atë nuk ndeshet me dilema etike. Në vetvete, libri është informues dhe njëkohësisht përcjell një paralajmërin  në lidhje me përdorimin armëvë autonome.

Në faqet e fundit, Scharre na ofron  njohuri mbi të ardhmen e luftës në një epokë të armëve autonome. Ai diskuton skenarë të mundshëm, duke filluar nga tufat autonome të dronëve deri te vendimmarrja algoritmike në fushën e betejës duke mbrojtur një qasje të ekuilibruar ndaj tyre. Për të është domethënëse ruajtja e kontrollit të njeriut mbi përdorimin e forcës, duke shfrytëzuar përfitimet e mundshme të sistemeve autonome. Nga ana tjetër, thekson rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në përballimin e  sfidave etike, ligjore dhe strategjike që paraqesin këto teknologji.

Në të gjithë globin, ushtritë po garojnë për të ndërtuar armë robotike me autonomi në rritje. Pyetjet etike brenda libri tashmë po shpeshtohen në debatet publike në nivel global. Deri në çfarë mase duhet të përparojnë teknologji të tilla? Dhe, nëse demokracitë i ndalojnë ato, a do t’i ndalonte kjo regjimet autoritare të përfitonin prej tyre? Në ballë të një debati që po ndryshon lojën e epërsisë ushtarake përmes teknologjive të Inteligjencës Artificiale, libri “Ushtria e askujt” nuk është i lidhur vetëm me historinë ushtarake, politikën globale dhe teknologjinë.

Ai është një përpjekje për të theksuar se teknologjia mund ta bëjë luftën më të saktë dhe humane, por pa i dorëzuar asaj gjykimin njerëzor. Kur zgjedhja është mes jetës a vdekjes, askush nuk mund ta zëvendësojë logjikën e trurit tonë, arsyen, ndjeshmërinë e zemrës, duke i zëvendësuar gjykimet e përjetimet tona me algoritmet e  ftohta.

Në botën që jetojmë dhe atë që po vjen shumë gjëra po ndryshojnë. Ndoshta, nuk mund të jemi në gjendje të ndalojmë dallgën e revolucionit teknologjik të Inteligjencës Artificiale, por autorë si Scharre na japin mundësi të shohim sesi do të jetë një pjesë e botës që po vjen përmes armëve autonome. Këto mundësi duhen përdorur duke vënë në punë durimin për të lexuar, menduar dhe kurajon për të vepruar me zgjuarsinë tonë.

*Autori është bashkëthemelues i klubit të librit “Bytes & Books

Librin e gjeni tek Leximtari

Regjistrohu KETU për të marrë pjesë në takimin e radhës të Klubit Bytes and Books, më datë 29 maj 2026, ora 18.00 tek One Innovation Hub

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *