Edhe une kam mullinjte e mi te eres
Maria TUFOLLARI*
Përshtypje rreth romanit “Don Kishoti” të Miguel de Cervantes, shkruar nga një gjimnaziste
Ka libra që lexohen dhe harrohen, dhe ka libra që të mbeten brenda si një zë që nuk shuhet kurrë. Për mua, një libër i tillë është “Don Kishoti”, i shkruar nga Miguel de Servantes. Nuk është thjesht historia e një kalorësi të çuditshëm që lufton me mullinjtë e erës, por historia e një njeriu që nuk pranon të dorëzohet nga ëndrrat e veta, edhe kur bota e quan të marrë.
Shumë njerëz e shohin Don Kishotin si një figurë qesharake, si dikë që nuk e dallon realitetin nga iluzioni. Unë nuk e kam parë kurrë kështu. Për mua ai është simbol i njeriut që zgjedh të mos bëhet cinik. Ai beson tek e mira, edhe kur ajo duket e largët. Ai nuk është i dobët sepse ëndërron, por i fortë sepse nuk e lejon botën t’i vrasë ëndrrën.
Në shumë mënyra, kjo më ngjan me mua. Kam pasur gjithmonë një mënyrë të të menduari ku nuk më mjafton vetëm realiteti siç është, por edhe siç duhet të ishte. Kam menduar shpesh për të mirën e të gjithëve, jo vetëm për veten time. Dhe ndonjëherë kjo më ka bërë të dukem idealiste.
Por, për mua, të kujdesesh për të tjerët dhe të besosh tek mirëkuptimi nuk është dobësi, por mënyrë për të qenë njeri. Edhe unë, – si edhe Don Kishoti, – kam pasur mullinjtë e mi të erës. Nuk kanë qenë beteja të mëdha, por momente të vogla që të ndryshojnë nga brenda: Zhgënjime, keqkuptime, situata ku ndjeshmëria ime nuk është kuptuar gjithmonë. Ka pasur raste kur kam menduar nëse duhet të bëhem më e ftohtë, më pak e hapur, për të mos u lënduar. Ka pasur momente kur kam ndier sikur të jesh e mirë dhe e ndjeshme shihet si dobësi nga të tjerët. Por pikërisht aty e kam kuptuar Don Kishotin. Ai më mëson se njeriu nuk humb kur rrëzohet, por kur dorëzohet dhe ndryshon zemrën e vet për t’u përshtatur me cinizmin e botës.
Jeta, me kohën, më ka bërë edhe më realiste. Zhgënjimet më kanë mësuar se jo çdo gjë shkon siç e mendon, dhe jo çdo njeri të kupton, siç ti kupton të tjerët. Dikur isha më shumë ëndërrimtare; sot jam edhe më e vetëdijshme për realitetin. Por kjo nuk më ka bërë të heq dorë nga idealet e mia. Përkundrazi, më ka mësuar t’i mbaj më fort, por me më shumë pjekuri.
Tani e di që të ëndërrosh nuk do të thotë të mos shohësh realitetin, por të mos lejojë realiteti të të shndërrojë në dikë që nuk beson më në asgjë. Më pëlqen te Don Kishoti edhe fakti që ai nuk është perfekt: Ai gabon, rrëzohet, por nuk humb pastërtinë e qëllimit të tij. Edhe unë jam kështu: Kur besoj në diçka, e mbroj me zemër. Por nëse dikush më bind me arsye dhe sinqeritet, di të tërhiqem, të pranoj gabimin dhe të falënderoj. Sepse për mua, forca e vërtetë nuk është të këmbëngulësh gjithmonë, por të dish kur të reflektosh.
Ka diçka tjetër që më prek shumë te ky roman: mënyra si Don Kishoti e sheh botën; jo vetëm siç është, por siç mund të jetë. Edhe unë shpesh e kam këtë mënyrë të menduari. Dua që njerëzit të kuptohen më shumë me njëri-tjetrin, të mos gjykojnë shpejt dhe të mos humbasin aftësinë për mirëkuptim.
Besoj se shumë konflikte në jetë vijnë jo nga e keqja, por nga mungesa e dëgjimit dhe e përpjekjes për të kuptuar tjetrin. Edhe në jetën time personale, kam kuptuar sa e rëndësishme është të gjesh dikë që të kupton vërtet: Dikë që nuk të ndryshon, por të pranon siç je.
Kohët e fundit kam njohur një person që më bën të ndihem e kuptuar në një mënyrë të rrallë. Dhe, kjo më ka bërë të kuptoj se ndonjëherë nuk është e rëndësishme të fitosh betejat, por të mos ndihesh vetëm në to. Kjo më kujton Sançon pranë Don Kishotit… dikë që nuk e shuan ëndrrën, por ecën pranë saj me këmbë në tokë.
Në fund, ndoshta të gjithë kemi nga pak një Don Kishot brenda vetes. Disa e humbin, disa e fshehin, disa e quajnë dobësi. Unë dua ta mbaj gjallë këtë timin. Jo si iluzion, por si kujtesë se të jesh njeri nuk do të thotë vetëm të përshtatesh me botën, por edhe të mos humbasësh aftësinë për ta bërë atë më të butë me mënyrën si e sheh.
Prandaj ky është libri im i parapëlqyer; sepse më kujton se edhe kur jeta është luftë, njeriu nuk duhet të humbasë butësinë, besimin dhe aftësinë për të ëndërruar. Dhe nëse kjo quhet idealizëm, atëherë unë zgjedh ta mbaj si pjesë të vetes sime. *Me këtë përshtypje Maria Tufollari fitoi konkursin #jamleximtar, organizuar nga Libraria Leximtari dhe Zyra Vendore Arsimore Kamzë me rastin e Ditës Botërore të Librit, më 23 prill, si pjesë e Panirit të Librit në QTU