Leximet tona, Ngjarje dhe Data

Konkursi #jamleximtar, shpallen 3 fituesit

konkursi jam - Leximtari - Rritu me libra!

Platforma Leximtari organizon me mbështetjen e ZVA Kamzë garën e leximit për përshtypjet më të mira nga nxënësit e sistemit parauniversitar, me rastin e Ditës Botërore të Librit, me 23 prill

Në mbyllje të Panairit të Librit në QTU, shpallen edhe fituesit e garës së bukur të përshtypjeve #jamleximtar me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme që ndodhen në territorin e Bashkisë Kamzë. Ky konkurs organizohet nga libraria Leximtari, në kuadrin e Ditës Botërore të Librit, më datë 23 prill, në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Kamzë dhe Qendrën Tregtare Univers (QTU).

Në garë kanë marrë pjesë 34 nxënës nga shkollat e ciklit të ulët dhe të lartë dhe nga gjimnazet që ndodhen në këtë bashki. Numri më i lartë i garuesve erdhi nga shkollat: gjimnazi “Ibrahim Rugova”,  “Kamza e Re”, “Dom Nikoll Kaqorri”, “Isa Boletini”, “Tahir Sinani” dhe “Hilari Klinton”.

Vlerësimi i përshtypjeve është bërë nga studiuesi i shkencave letrare, Dr. Albert Gjoka, i cili drejton edhe librarinë Leximtari. Kriteret e vlerësimit u ndërtuan mbi raportin që lexuesit kanë me veprën, përcjelljen e një përvoje sa më autentike leximi dhe kulturën gjuhësore të shkrimit të përshtypjes. Në mbyllje të konkurrimit u përzgjodhën tre fitues, sipas cikleve të studimit që mbulon edhe ZVA Kamzë: Cikli i ulët, cikli i lartë dhe shkolla e mesme.

Çdo garë ka një fitues, por organizatorët mendojnë se të gjithë janë fitues. Çdo konkurent ka lexuar një libër; ka reflektuar mbi ngjarjet apo personazhet e tyre dhe ka përjetuar një përvojë të pazakontë, prandaj ne kemi realisht 34 fitues në këtë konkurim të pazakontë ndjesish dhe idesh. Gjithsesi, ne kemi veçuar 3 përshtypje, të cilat mendojmë se sjellim lexime të arrira nga nxënësit pjesëmarrës në këtë konkurs.

1. Ajsela Hoti, klasa V, shkolla “Dom Nikoll Kaqorri” në Laknas, me përshtypjen për librin “Poliana” të Eleanor Porter.

2. Fjoralba Xheladini, klasa VIII, shkolla “Kamza e Re” me përshtypjen për librin “Fabrikanti i lotëve” i Erin Doom.

3. Maria Tufollari, – nga gjimanzi “Gramoz Palushi”, me përshtypjen për librin “Don Kishoti” të Migues Cervantes.

Të tre fituesit do të shpërblehen me libra dhuratë nga Leximtari.

Përshtypjet e fituesve dhe ato që kanë paraqitje cilësore do të publikohen në kanalet e librarisë “Leximtari” gjatë ditëve në vazhdim.

Libraria “Leximtari” falënderon përzemërisht të gjithë nxënësit që garuan në konkursin #jamleximtar; stafet pedagogjike të të gjitha shkollave pjesëmarrëse; veçmas mësuesit e lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe drejtuesit e institucioneve arsimore.

Ky konkurs organizohet për herë të parë në Bashkinë e Kamzës, pas 6 vitesh me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).

Prandaj, Leximtari i është thellësisht mirënjohës Zyrës Vendore Arsimore Kamzë, dhe veçanërisht drejtoreshës Albana Imeraj, e cila i dha një përmasë tjetër promovimit të librit dhe nxitjes së leximit në mjediset shkollore.

Risia e këtij konkursi mbetet tek fakti që kemi çuar librin në komunitete, aty ku janë njerëzit dhe në thelb, kemi përftuar përvoja leximi nga lexuesit e rinj të cilët sjellin shpresë për banorët e zonës së Kamzës që edukimi cilësor do të transformojë jetën në bashkësinë ku jetojnë.

Me këtë aktivitet mbyllet edhe Panairi i Librit, që organizohet nga Leximtari dhe QTU, i cili ka për synim që të çojë librin aty ku janë njerëzit, të promovojë leximin dhe të ndihmojë këdo që do të rritet përmes librit.

SHËNIM: Fituesit mund të kontaktojnë librarinë “Leximtari” që të marrin dhuratat e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *