Blog
Panairi i Librit vjen ne QTU permes Leximtarit
Një festë 3-javore për leximin, pranë komunitetit, me oferta që shkojnë deri në 50%, të gjithë titujt e rinj, rekomandime, takime me autorë, lojëra shpërblyese, etj. Ju mirëpresim në “Qendrën Tregtare Univers” deri në fund të muajit prill!
Albert GJOKA*
Qendra më e madhe tregtare në Shqipëri, QTU, do të kthehet për 3 javë radhazi në një hapësirë të madhe festime të librit shqip, me shumë ngjarje, me prurjet më të reja të botuesve shqiptarë, me oferta, rekomandime, promovime, lojëra dhe aktivitete të tjera. Panairi i librit vjen në QTU pikërisht në kujtesë të dy prej ngjarjeve më të mëdha librore në botë: Dita Botërore e Librit për Fëmijë dhe Dita Botërore e Librit, më 23 prill. Kjo nismë është realizuar nga ekipi i Leximtarit, në përpjekjen e pareshtuar për ta çuar librin aty ku janë njerëzit dhe për të nderuar autorin shqiptar në këtë stinë të bukur, – falë mbështetjes së “Balfin Group”, i cili përherë e ka kthyer vëmendjen nga libri, duke krijuar atmosferë të bukur librore në qendrat tregtare që ka në pronësi. Po çfarë do të ketë këtë vit Panairi i Librit?
Të gjithë librat e rinj
Në një sipërfaqe rreth 200 m2, në zemër të QTU-së, do të kemi mbi 2000 tituj të përzgjedhur, shumica e të cilëve janë shije të momentit nga lexuesit shqiptarë; 450 prej tyre janë tituj të rinj, të hedhur rishtazi në qarkullim nga entet tona botuese. Këtë muaj do të ketë edhe shumë surpriza: Disa nga autorët shqiptarë do të kenë tituj të rinj, ashtu siç pritet të dalë në fund të prillit edhe libri më i fundit i Dan Brown, “Sekreti i fundit”, botuar nga “Dudaj”, – i cili ka tronditur rrjetin e të gjithë librarive në mbarë botën.
Ky muaj duhet të jetë moment nderimi për autorët tanë, prandaj sot të gjithë duhet të flasim për ata që na e bëjnë botën tonë më të kuptueshme dhe zbavitëse; të promovojmë librat e tyre dhe të rrisim imazhin e shkrimtarit në shoqërinë tonë.
Autorë të librit për fëmijë, si Rudina Çupi, Anila Mullahi, Rovena Rrozhani, Loreta Vaso, Majlinda (Gonxhe) Leka, etj., do të sjellin jo vetëm titujt më të rinj, por edhe aktivitete që do të argëtojnë vogëlushët. Ata do të mirëpriten përmes këndit të tyre ku fëmijët mund të lexojnë përralla, mund të vizatojnë personazhet e tyre të dashura si dhe mund të ndajnë me ne përvoja leximi për bashkëmoshatarët e tyre.
Konkursi #JamLeximtar dhe biblioteka e shkollës
Risi e këtij Panairi të madh do të jetë edhe konkursi me përshtypje #JamLeximtar, i organizuar këtë vit me të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të zonës së Kamzës, Kasharit dhe Fushë Krujës, të cilat ndodhën përqark vendndodhjes së panairit. Ne u jemi mirënjohës të gjithë drejtuesve të institucioneve arsimore, stafeve pedagogjik që u bënë pjesë të kësaj gare të bukur librore, e cila në thelb synon të promovojë leximin tek fëmijët. Po ashtu, Leximtari bashkëorganizon fushatën për të mbledhur libra për një bibliotekë shkolle në bashkinë e Kamzës, prandaj ftojmë çdo lexues që të kontribuojë, duke sjellë apo b lerë një libër dhe ta dhurojë në këndin që është ngritur brenda hapësirës së panairit në QTU.
Fokusi tek klasikët dhe rekomandimet
Kategoria në fokus gjatë këtij muaji do të jetë tek klasikët, prandaj do të kemi shumë surpriza, sidomos më datën 23 prill. Librat shkojnë dhe vijnë, por klasikët mbesin dhe si të tillë, – do të kemi mundësinë që të flasim dhe të rekomandojmë më shumë se herë të tjera.
Në një botë që po transformohet radikalisht nga teknologjia dhe që po përjeton ethet e luftës botërore, ne kemi përgatitur dy lista rekomandimi të përzgjedhura për të kuptuar më mirë ndikimin e Inteligjencës Artificiale në shoqëri dhe për të përzgjedhur romanet më të goditura kundër konfliktit dhe pro paqes dhe jetës.
Ofertat dhe lojërat shpërblyese
Një panair pa oferta nuk ka kuptim, prandaj, falë edhe ndihmës bujare të disa botueseve shqiptarë, do të vijnë një paketë ofertash me -20%, -30%, -40% dhe me -50%.
Mes lexuesve të vegjël do të ketë edhe personazhe të njohur nga letërsia për fëmijë. Ky panair do të ketë edhe shumë surpriza të tjera, si quize dhe lojëra të tjera të cilat do ta bëjnë më të gjallë këtë festë librore për grupmosha të ndryshme.
Libra për të fuqizuar komunitete
Kjo nismë vjen kryesisht tek komunitete që jetojnë larg qendrës së kryeqytetit, për t’iu dhënë shpresë dhe mundësi të gjithë vizitorëve të QTU dhe banorëve të fshatrave dhe qytezave përreth saj, që nga Kamza, Vora, Kashari, Fushë Kruja, etj.. Ndryshimi i jetës së secilit prej nesh fillon me marrjen e njohurive cilësore, dhe një tekst i gjetur mund ta bëjë një gjë të tillë fare mirë. Librat e mirë kanë fuqinë për t’a transformuar jetën tonë, dhe përmes aktit të të lexuarit të përjetojnë një terapi që e bën mendjen tonë më të shëndetshme dhe më të fokusuar në gjërat që kanë vlerë. Sot, – më shumë se kurrë, – na duhet libri, si një mik i pazëvendësueshëm, si një “mësues” i zgjuar dhe si një mjet që na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe Tjetrin. Për këto dhe shumë arsye të tjera, ju presim deri në fund të muajit prill, në Panairin e Librit që vjen në QTU.
Brenda harkut kohor të një viti, ky është panairi i dytë, së bashku me Book Fest që zhvillohet gjatë muajit tetor, që Leximtari organizon me Balfin Group, duke i dhënë mundësinë librit shqip që ta gjejë sa më lehtë lexuesin, duke promovuar autorin, botuesin dhe nxitur rritjen e tregut të brishtë të botimeve tona. *Autori është drejtues i libraris Leximtari
Leximtari ka qene dhe do te jete nje librari e vyer per lexuesin dhe shume mikpritese per autoret.
Pa asnje dyshim, ky event do jete me shume se nje panair. 💞 per leximtaret e Leximtarit😊