At Zef Pllumi
At Zef Pllumi është meshtar katolik, publicist, misionar dhe autor i veprës monumentale Rrno vetëm për me tregue. Ka lindur më 28 gusht 1924 në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5 vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” dhe u zgjodh sekretar personal i At Anton Harapit, aso kohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohes që ishte dhjak, At Antoni e vuri të ndihmonte në Arkivin Françeskan. Më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit At Anton Anton Harapi, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Dënim e vuajti në “Burgun e Madh” të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman - Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949-1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë me provincialin, At Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen - Shënkoll, Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë, Natën e Kërshëndellave, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxorri revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo” dhe “Ut heri diçebamus - siç i thonim dje”. Në krijimtarinë e tij ka edhe përmbledhje me poezi. At Zef Pllumi dha një kontribut për ribotimin e veprave të klerikëve të shquar katolikë, sidomos të etërve françeskanë. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin “Nderi i Kombit”. Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar “Penda e Artë”, dhënë nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”. Vdiq më 25 shtator 2007 në spitalin Gemelli në Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër. Veprën e plotë të At Zef Pllumit e kanë hedhur në qarkullim Botimet Françeskane në Shkodër dhe që gjendet edhe tek Leximtari.
Rrno vetem per me tregue – i plote me 3 vellime
- Autori: At Zef Pllumi
- Shtëpia botuese: Botimet Franceskane
- Redaktori: Aurel Plasari
Trilogjia “Rrno vetëm për me tregue” e françeskanit të madh At Zef Pllumi mbetet dëshmia më e gjallë dhe më e fortë për jetën në komunizëm dhe në tranzicion — një reflektim i thellë mbi ideologjitë në Shqipëri dhe dëshmi e pazakontë e ndërgjegjes së një kombi të përvuajtur. Për këtë arsye, kjo vepër në 3 vëllime mbetet ndër kryeveprat e letërsisë së kujtesës sonë kombëtare, tashmë e disponueshme në Leximtari.
Përshkrimi
Porosia e At Marin Sirdanit dhe monumenti i kujtesës kombëtare
Ishte më i riu i Etërve të zhgunave shqiptarë të Shën Françeskut kur At Marin Sirdani, historiani i shquar dhe mësuesi i tij, në kohën që oficerët e UDB-ës po merrnin në dorëzim materialet e Arkivit të Fretërve për t’i çuar në Beograd, i la një porosi të prerë: “Rrno vetëm për me tregue”. Dhe At Zef Pllumi e pati peng dhe mision të jetës së tij këtë porosi. Ai rroi, dëshmoi dhe sfidoi vdekjen, duke lënë pas një korpus të jashtëzakonshëm kujtimesh që përbën themelet e memorialistikës së burgjeve komuniste dhe vuajtjes së klerit në Evropën Lindore.
Çfarë thonë personalitetet e shquara për këtë vepër:
-
Ismail Kadare: “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për to ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq… ata që s’e kanë jetuar. Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”
-
Aurel Plasari: “…Na bën të mendohemi se sa e vështirë është të vlerësosh përmbajtjen historike të një gjysmë shekulli shqiptar… Mohimi i së kaluarës – kulti i harresës – është një nga mënyrat më perfide për të përligjur krimin.”
-
Blendi Fevziu: “Një libër i jashtëzakonshëm, ngjethës, por edhe reflektues… një monument i rëndësishëm për gjithë vuajtjen e klerit në Evropën Lindore komuniste.”
Përmes kësaj trilogjie, At Zef Pllumi na bën thirrje të mos harrojmë për asnjë moment të kaluarën, si kusht të domosdoshëm për të ndaluar kthimin e saj dhe për të ndërtuar një të ardhme të lirë e demokratike.
Më shumë info për këtë artikull
- Numri i faqeve: 612 Faqe
- Data e publikimit: 17/01/2024
- Mosha e leximit: mbi 12 vjeç
- Vendi i botimit: Shkoder

Shqyrtime
Pastro filtratEnde pa shqyrtime.