Arka e djallit , Dritero Agolli
- Autori: Dritëro Agolli
- Shtëpia botuese: Dritëro
Romani Arka e djallit eshte nje nga romanet me te realizuara te Dritero Agollit, qe percjell tiparet kryesore te vepres romanore, njeheresh eshte nje nder prurjet me te arrira te letersise shqipe te gjysmes se dyte te shekullit te XX
Përshkrimi
Epiqendra e veprimit të romanit “Arka e Djallit” është fshati provincial i Qershizës. Lexuesi do të shpejtonte të pyeste: E ç’mund të presësh nga përshkrimi i jetës së një fshati të humbur? Vetëm ca histori të parëndësishme, trashanike e banale? Se, ç’mund të ndodhë aty më shumë se kaq? Por s’është kështu.
Duke e vendosur veprimin e romanit në një zonë të largët provinciale, D. Agolli i përmbahet traditës të kultivuar shpesh në letërsinë satirike klasike botërore, që e bën të mundur të kqyret jeta me shtrirjen e saj deri në skajet më të largëta, më të humbura dhe nga një këndvështrim i ndryshëm prej atij që mbizotëron zakonisht në qëndrat ose kryeqëndrat urbane. Shkrimtari nis për në Qershizë shkrimtarin Sherif Abecenë në një lloj “qarkullimi”; aty ai kërkon të shtierë në dorë defteret e Bamkë Dynjasë.
Shënimet e këtyre defterëve vendosen në themel të subjektit të romanit dhe ato zbulojnë ca të vërterta sa të lezetshme, aq edhe të hidhura për jetën e Qershizës, por sidomos të një binomi tjetër personazhesh: Bamkë Dynjasë dhe Cute Babuljes, shokë të pandarë, të sinqertë e hokatarë, që përfundojnë viktima, të dënuar për “gabime të rënda” nga Partia-Shtet. Sherif Abeceja shfaq zell “për ta njohur jetën” e Qershizës, të bazës, ku “trillojnë një mijë histori prej asgjëje”; aty ai përfshihet në vorbullën e ngatërresave me defteret e Bamkës.
Sherifi arrin në përfundimin se në Qershizë s’kish asgjë të mirë, veç emrit të Anthullës. Përmes Qershizës, Sherifi kupton si janë punët edhe në Tiranë, ku “ka spiunë e gjykatës më të fortë se në Qershizë”. Në klubin e berberhanës “bëhej radioskopia e mushkërive të fshatit përmes mekanizmës së thashethemeve, ankimeve, inateve, psherëtimave, shakave dhe thumbimeve të pandërprera dimër dhe verë”.
Një agronom i ri, Agron Sahatçiu pohonte se në Qershizë s’kish gjë tjetër veç një tufë lopësh të plakura, që u kish shterrur qumështi, dhe ku njerëzit në vend që të shqetësoheshin për moshën e lopëve, shqetësohen e interesohen për moshën e Sherifit.
Romani “Arka e Djallit” ka një lidhje të ngushtë me romanin “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo”, sepse, nga njëra anë, në të bëhet fjalë po për atë realitet, për atë jetë plot e përplot me dukuri groteske dhe, nga ana tjetër, stili grotesk përshkon tej e ndanë strukturën edhe të këtij romani satiriko-humoristik.
Disa personazhe si Cute Babulja, Mitro Karapataqi, Hyskë Borobojka etj. vijnë nga romani i Zylos, ruajnë ndonjë shfaqje të mëparshme, por portretizohen në mënyrë më të plotë. Në “Arkën e Djallit” ka edhe disa personazhe të rinj, si Bamkë Dynjaja, Sherif Abeceja, Maxhun Xhabalaku (i Bilishtit), Zyber Shtufa e personazhe të tjerë më pak të rëndësishëm.Tek ata mund të vësh re ca cilësi që i kanë personazhe me emra të tjerë në romanin e Zylos.
Sherif Abeceja, shkrimtar, të kujton Adem Adashin, po shkrimtar; Zyber Shtufa të shtie në mendje kryetarin e koopertativës të romanit “Shoku Zylo”. Ka midis tyre edhe dallime të shumta, që nuk e zbehin origjinalitetin e tyre, por cilësia më qensore e përbashkët e tyre qëndron në përgjithësi në karakterin e tyre satiriko-grotesk.
Qysh në romanin e parë ekziston Cute Babulja, hero qyfyrexhi, i mprehtë dhe hamës i pangopur, por në romanin e dytë spikatin dimensione krejt të tjera; ai del si një Nastradin shqiptar, që ia nënshtron kritikës së tij të ashpër shpotitëse anët e zeza të realitetit, madje ai është figura qendrore, protagonisti i romanit. Shkrimtari Sherif Abeceja ndryshon shumë nga homologu Adem Adashi, shkrimtar konformist e mediokër i romanit të Zylos.
Për të mos e mbyllur qarkun e ngjarjeve ngushtësisht në Qershizën rurale, D. Agolli e plotëson shtrirjen e veprimit jo vetëm drejt kryeqytetit, por edhe përtej kufijve shtetërorë, përmes udhëtimit të heronjve kryesorë, Cute Babuljes dhe Bamkë Dynjasë në Greqi e sidomos në Turqi për të marrë pjesë në një Kongres Ndërkombëtar të Folklorit.
Ky udhëtim i mbushur me aventura të çuditëshme zbavitëse, ndihmon për të zbuluar një situatë të pakëndshme për heronjtë e romanit, që rrjedh nga izolimi i vendit prej botës tjetër. Atyre u dukej sikur kishin shkuar në një planet tjetër. Mrekullia e këtij procedimi në roman qëndron pikërisht në mundësinë që jep si për ta zbuluar jetën lakuriq, me tërë përmbajtjen tragji-komike e absurde, jashtë paragjykimeve ideologjike e skemave zbukuruese, që sajoheshin e përhapeshin nga kryeqyteti.
Sherif Abeceja heq syzet rozë dhe tronditet duke u njohur me jetën e Qershizës dhe përmes deftereve të Bamkës, që ka vdekur tashmë, zbulon ca të vërteta, që nuk mund t’i kapte syri nga dritaret e kancelarive të Qëndrës. Ato dukuri, ndaj të cilave D.Agolli përqëndron gjithë shigjetat satirike, nuk janë të një rëndësie lokale, provinciale, sepse ato zbulojnë falsitetin e absurditetin e direktivës që nis qendra, deformimet e jetës nën peshën e metodave burokratike, mospërputhjen midis frymës euforike dhe realitetit të mbingarkuar me probleme e vështirësi frikësuese.
Në këto kontradikta D. Agolli ka gjetur burimin e dukurive komike groteske, që mbushin faqet e romanit. Në një vështrim të përshpejtuar duket sikur romani “Arka e Djallit” është ngarkuar me situata, ngjarje, personazhe, mesele, anekdota e qyfyre komike, thjesht qesharake; por, jo, se përmes tyre duken drama të rënda, dukuri të hidhura tragjike, vikmtima të Direktivave partiake dhe kështu zbulohet e vërteta mbi “realitetin socialist” edhe më thellë se sa tek “Shoku Zylo”.
Tonalitetin e përgjithshëm romanit “Arka e Djallit” ia jep thartqeshja, shprehje e përmbajtjes tragji-komike e romanit, që e bën lexuesin njëkohësisht të qeshë, të gajaset me dukuritë komike të jetës e të qajë për mundimet e vuajtjet e pamerituara të njerëzve. Vepra e D. Agollit, e thurur me një mjeshtëri klasike të përkryer, me atmosferë gazmore, e ruan besimin e njeriut në jetën, të cilit i dhuron shenja e parandjenja se themelet e godinës, që dukej e palëkundur, e madhërishme dhe po aq kërcënuese, ishin kalbur ngaqë qenë në kundërshtim me kërkesat e natyrshme njerëzore dhe ligjet e jetës.
Ashtu si natyra që nuk duron zbrazëtinë, edhe jeta nuk i duron përdhunimet, mospërfilljen dhe “valset e tufëzimit”. Romani “Arka e Djallit” dëshmon se ligësitë, djallëzitë, poshtërsitë, padrejtësitë, degjenerimi, korrupsioni e vese të tjera i kanë rrënjët më të thella se sa besojmë ose duam të besojmë. Romani e shtyn lexuesin të mos qëndrojë naiv e mendjelehtë, duke besuar se të tilla cene në botën njerëzore zhduken, siç shuhet vesa porsa del dielli.
Djalli është një forcë e madhe dhe e tmerrshme; ai është i kudogjindur dhe i ngatëron mendjet e kthjellta; ai vazhdon të punojë pa ndërprerje mbrapsht brenda “arkës agolliane”, ku tjerr e sajon plane për ligësi e prapësi. Ndryshe nga romani i Zylos, në “Arkën e Djallit” realiteti paraqitet më me vërtetësi dhe syri i shkrimtarit është më i saktë dhe më i sinqertë, ashtu si edhe kritika, humori e satira janë më të mprehta, më shpotitëse dhe më të ashpra; kjo gjë ka ndikuar që edhe personazhet të jenë më të përcaktruar, pa atë dyzim, ambiguitet që vihet re në disa personazhe të romanit të Zylos.
Në “Arkën e Djallit” refuzohen ca dukuri të rëndësishme të realitetit si tufëzimi i bagëtive, që kishte marrë trajta të shëmtuara, absurde. “Vetëm për tufëzimin, -i lutet Fatimja Selman Thanës tërë frikë,- mos fol, të keqen”. Për këtë fenomen, në mbrojtje të tufëzimit, qëndron syçelë e i vendosur Maxhuni i Bilishtit, Zyber Shtufa e të tjerë që nuk tregohen thjesht të cekët, por të poshtër, ngaqë fshehin të vërtetën, që s’ka shoshë ta mbulojë dhe me mjete të ulta, imorale, me shpifje, keqinterpretime, me fanatizëm dhe duke mos falur asnjë që e përqesh, pale ata që e luftojnë.
Jo vetëm personazhet kryesorë, por edhe ata të dorës së dytë të romanit “Arka e Djallit” janë më të goditur, larg skematizmit; ata janë më jetësorë, të gjallë, normalë, njerëzorë. Plot personazhe të dorës së dytë mbeten në mendjen e lexuesve, ashtu si protagonistët.
Më shumë info për këtë artikull
- Numri i faqeve: 466 Faqe
- Data e publikimit: 06/01/2021
- Mosha e leximit: mbi 16 vjeç
- Vendi i botimit: Tirane

Shqyrtime
Pastro filtratEnde pa shqyrtime.