Pas 1 viti, Leximtari …
Albert GJOKA*
Viti 2026 do të vijojë me konsolidimin e librarisë fizike, përmirësimin e shërbimit ndaj lexuesve; zhvillimin e plotë të platformës online Leximtari.al; realizimin e tre panaireve përgjatë vitit dhe futjen e inovacionit në tregtimin e librit shqip.
Ditët, javët dhe muajt kanë vrapuar shpejt dhe Leximtari tashmë ka mbushur plot 1 vit. Koha ecën më shpejt kur mbushet me gjëra të dobishme. Sot, kryeqyteti ka një nyje librore dinjitoze, të ngritur në mjediset e “Tirana Ring Center”, falë edhe mbështetjes së saj. Në këtë hapësirë mbi 110 metra janë vendosur mbi 5 mijë tituj librash; janë mikëpritur mbi 32 mijë lexues gjatë 12 muajve; janë organizuar rreth 40 takime me autorë, si dhe është finalizuar marrëveshja me organizatën e shkrimtarëve “Forumi 26”.
Ky rrugëtim nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e botuesve shqiptarë, të cilët kanë besuar dhe kontribuar në këtë sipërmarrje. Sot janë mbi 50 ente nga Shqipëria dhe Kosova që tregtojnë botimet e tyre përmes nesh.
Me “Trusted Business Partners” kemi ndarë shumë përvoja dhe kemi kaluar shumë sfida në përmirësimin e përvojës së lexuesit gjatë blerjes online dhe në gjetjen e shtigjeve të reja që ta lehtësojmë dhe shkurtojmë rrugën e librit.
Gjejmë rastin t’i shprehim mirënjohje të veçantë edhe “DevPos” dhe Pago (Rubicon), për mbështetjen në shërbimet financiare dhe sistemin e pagesave online tek Leximtari.al. Kjo është gjithashtu një ditë falënderimi për kompaninë Adex, e cila shpërndan paketat e librave për lexuesit në Tiranë, në rrethe dhe në Kosovë.
Gjatë këtij viti, Leximtari ka krijuar partneritete strategjike, si me Balfin Group, me të cilin u realizua “Book Fest” në TEG gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në vijim të një tradite të bukur. Po ashtu, duke nisur nga prilli i këtij viti, do të organizohet çdo vit Panairi i Librit në QTU, në kuadër të Ditës Botërore të Librit për Fëmijë dhe Ditës Botërore të Librit.
Pjesë e këtij ekosistemi janë edhe organizata dhe institucione arsimore publike dhe jo-publike, që kanë mbështetur misionin e Leximtarit. Falë tyre, sfidat janë lehtësuar dhe rruga tek lexuesi ka qenë më e afërt.
Klubi i librit “Bytes & Books” që Leximtari mbështet me Gerti Boshnjakun e Business Magazine dhe kërkuesin shkencor Geron Kamberi mbetet një gjerdan i çmuara i punëve tona në shërbimin e lexuësve.
Kur kthejmë sytë pas, është e pamundur të mos vlerësojmë punën e palodhur të stafit fantastik: Ornela, Adela, Desada, Megi, Klarisa, Shehri dhe më e reja në ekip, Nikoleta. Shumica prej tyre janë studente me ëndrra të bukura për veten dhe për vendin ku jetojnë, si dhe me një besim të fortë në fuqinë transformuese të librit. Ato e dëshmojnë çdo ditë përkushtimin për t’u shërbyer lexuesve dhe për të ndërtuar një kulturë më të fortë leximi. Njerëzit i japin jetë sipërmarrjeve dhe Leximtari është, mbi të gjitha, rrugëtimi i këtyre vajzave të zonja, ambasadore të kësaj nisme kulturore.
Edhe për themeluesit, ky udhëtim ka qenë më i shpejtë nga sa ishte parashikuar dhe më i vlefshëm në përmbushjen e misionit dhe qëllimeve tona.
Tani që viti i parë është përmbyllur me sukses, çfarë pritet më tej? Viti i dytë sjell sfidën e konsolidimit të mëtejshëm të librarisë; përmirësimin e përvojës së lexuesit; zhvillimin tërësor të platformës Leximtari.al, ku tashmë janë rreth 4000 tituj online, të aksesueshëm për këdo, brenda dhe jashtë Shqipërisë; realizimin e tre panaireve të mëdha gjatë vitit 2026 dhe futjen e inovacionit në tregtimin online të librit shqip.
Pas një viti, sfidat janë më të qarta, misioni më i fokusuar, ndërsa zelli dhe energjia edhe më të mëdha. Kemi më shumë ide për ta rritur Leximtarin dhe për të ndihmuar këdo që dëshiron të rritet me libra dhe përmes leximit. Synimi ynë është të ndërtojmë bashkësinë më të madhe të lexuesve në Shqipëri. Dhe me secilin prej jush, kjo është plotësisht e mundur.
*Bashkëthemelues i librarisë Leximtari