Përse rebelohet lumi me ne

Alexandre Calame Mountain Torrent Before a Storm (The Aare River, Haslital), 1850 Oil on canvas, 38 5/8 x 54 1/4 in. (98.1 x 137.8  cm) Collection of Asbjorn R. Lunde
Foto ilustruese

Ese për tregimin “Lumi i madh” të Mitrush Kutelit, e cila është shpallur nga Bukinist si eseja më e mirë

Joana NAÇO*

Duke lexuar pjesën “Lumi i Madh” nga Mitrush Kuteli, më erdhën ndër mend shumë gjëra. Në këtë pjesë flitet për lumin e qytetit, të cilin autori e tregon si një “njeri të trajtuar keq”. Lumi i lejon të gjithë njerëzit të bëjnë atë që dëshirojnë, edhe pse kjo ka një ndikim të keq tek ai. Sa më shumë ngushtohet lumi, aq më e lehtë është që të ketë përmbytje kur ka reshje dhe stuhi. Por, njerëzit nuk e marrin parasysh këtë gjë dhe mendojnë vetëm për nevojat e tyre të momentit. Kur iu vjen një fatkeqësi ata e kuptojnë gabimin e tyre.

Por, edhe pse e kanë pësuar shumë herë, njerëzit vazhdojnë të bëjnë të njëjtat gabime. Duke menduar vetëm për nevojat e tyre të momentit, ata kanë ngritur shumë ndërtesa, kanë prishur të tjera, (siç ndodhi dhe me Teatrin Kombëtar para pak kohësh) kanë ngushtuar lumin, si edhe në rastin tonë.

Këto veprime të pamenduara mirë kanë pasur pasoja, të cilat nuk janë menduar që në fillim, sepse njerëzit janë nxituar. Kështu ndodh dhe me lumin në pjesën tonë. Njerëzit e ngushtuan atë pa menduar për përmbytjet në stinën e shirave. Dhe kështu,  shumë njerëz të pafajshëm përfunduan të mbytur.

Por, në qytetin tonë, (si dhe në shumë qytete të tjera) janë ngushtuar lumenjtë, janë devijuar dhe janë prishur disa monumente të natyrës. Dhe, për shkak të ngrohjes globale, në qytetin tim, nuk ka ndodhur të dalë lumi nga shtrati i tij pas viteve ‘80, edhe pse qytete të tjera fatkeqësisht kanë përjetuar përmbytje të mëdha, sepse kanë ngushtuar më tepër se duhet lumin. Por, gjithsesi, ngrohja globale nuk është një arsye e mjaftueshme për ta përdorur lumin si kosh mbeturinash në çdo kohë. Kjo është një padrejtësi e madhe që i bëhet lumit.

Lumi i qytetit tonë, pothuajse ka shterur fare. Është plot me mbeturina, ka plot barishte dhe më ka hasur që aty brenda të shoh dhe minj. Kjo gjë ka ndikuar edhe në liqenin tonë, sepse ai nuk furnizohet mjaftueshëm me ujë dhe po shterron. Mbeturinat e hedhura në lumë kanë helmuar ujin e liqenit dhe prandaj gjallesat në liqenin tonë po fillojnë të vdesin dhe zhduken nga liqeni.

Edhe në Divjakë, një destinacion shumë i pëlqyer nga turistët, po ndodh i njëjti problem. Deti po shteron, po largohet nga bregu për shkak të mbeturinave. Kjo është një situatë vërtetë e trishtueshme që mbizotëron në të gjithë botën: Ka kudo mbeturina, jo vetëm në lumë.

Dhe, njerëzit sa vijnë e bëhen më të papërgjegjshëm. Për ta çdo gjë është një kosh mbeturinash i madh. Këta njerëz egoistë nuk mendojnë se po ndosin natyrën dhe ajrin; nuk mendojnë se dëmtojnë të tjerët, por nuk mendojnë aq shumë sa të zbulojnë se po sëmurin veten. Besoj se natyra po të ishte një njeri do të vuante nga sëmundjet më të rrezikshme të papastërtisë si dizanteria, tifoja, salmonela apo ndonjë sëmundje tjetër; ose, do të kishte vdekur fare si shumë njerëz të tjerë që kanë probleme me frymëmarrjen për shkak të ajrit të papastër.

Pastaj, shohim që ka edhe lumenj të tjerë të cilët më parë kishin ujë të pastër e të bollshëm tani kanë shterur fare. Dhe e dini pse??? Sepse njerëzit ndërtojnë hidrocentrale brenda në lum për të prodhuar elektricitet, i cili tashmë është bërë pjesë e jetës njerëzore e nuk mund të jetohet pa të. Për këtë arsye është tharë dhe lumi Shkumbin. Ndoshta mund të gjendet një mënyrë tjetër për të prodhuar elektricitet. Ndoshta me anë të erës ose energjisë diellore. Prodhimi i energjisë elektrike po shkatërron monumentet natyrore më të bukura në të gjithë botën!

Tani, le të mendojmë kështu: Po sikur natyra të rebelohej përsëri si edhe lumi në ditët me stuhi? Çfarë do të ndodhte me njerëzit që ngushtojnë lumenjtë? Çfarë do të ndodhë me njerëzit që presin pemët? Çfarë do të ndodhë me ata njerëz që ndotin natyrën me mbeturina nga më të ndryshmet? Vallë a do të ndërgjegjësoheshin njerëzit që e kanë dëmtuar natyrën duke ndërtuar pallate e hidrocentrale të panevojshme? Do të vazhdojnë të ndërtojnë? Do të mendojnë për shëndetin e familjes së tyre dhe njerëzve të tjerë apo për paratë që do të fitojnë duke ndërtuar një pallat tjetër luksoz të panevojshëm??

Përgjigjen e këtyre pyetjeve e di secili person në vetvete. Edhe pse përgjigjet mund të jenë të ndryshme, kjo varet nga secili prej nesh, se çfarë do të zgjidhnim; shëndetin apo pasurinë. Çdo person mund ta bëjë ndryshimin; mund të reflektojë; mund ta bëjë qytetin e tij një vend më të mirë për të jetuar.

Një njeri i zakonshëm mund të mos hedhë më ambalazhe apo bishta cigaresh në tokë.

Një arkitekt mund të ndërtojë më shumë shtëpi ekologjike, të mos ndërtojë fare hidrocentrale, por të zbulojë metoda të tjera pa dëmtuar natyrën, të bëjë shtëpi me panele diellore, apo të gjejë mënyra për të ripërdorur ujin e shiut për vaditje pa u dashur të shpërdorohen burimet e ujit të pijshëm.

Thjesht të mendosh se sa shumë njerëz vdesin nga problemet me frymëmarrjen vetëm për shkak të njerëzve që ende nuk kanë reflektuar. Të vjen të qash kur mendon se sa shumë gjallesa kanë ngordhur ose janë zhdukur vetëm për shkak të ndotjes.

Vallë, – o njerëz, – a nuk ju vjen keq për veten që sa vjen e dëmtoni më shumë me duart tuaja? Ju lutem të gjithëve, reflektoni! Mbrojeni natyrën! Mbroni mjedisin ku jetoni! Përmirësoni jetesën tuaj dhe të njerëzve përreth! Bëhuni të gjithë të ndërgjegjësohen dhe tregojuni pasojat e kësaj jetese të dhimbshme!

Bëjeni për veten dhe familjen!

*Kjo ese është shpallur fituese në garën mes nxënësve të ciklit 9-vjeçar në konkursin #jamliber #mitrushkuteli, organizuar nga Bukinist.al me rastin e muajit, kushtuar shkrimtarit tonë të shquar.

Autorja është nxënëse e klasës së VI-B në shkollën Nehemiah, në Pogradec.

kuteli

Librin me tregime të Mitrush Kutelit e gjeni tek Bukinist.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *